Qeveria e Maqedonisë paralajmëroi hapjen e Qendrës së parë për Inteligjencë Artificiale “Qëndisja”, e cila do të promovohet javën e ardhshme. Projekti, sipas ministrit të Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, ka për qëllim zhvillimin e modelit gjuhësor maqedonas dhe krijimin e bazës digjitale vendore. Megjithatë, fakti që ky projekt nuk përfshin gjuhën shqipe edhe pse është gjuhë zyrtare, ndërsa shihet si vazhdim i diskriminimit institucional ndaj shqiptarëve, gjë që nuk është hera e parë e kësaj përbërje qeveritare kur promovohen projekte të tilla, shkruan gazeta KOHA.
“‘Qëndisja’ është projekt i kahëzuar drejt digjitalizimit të korpusit të gjuhës maqedonase dhe zhvillimin e një modeli të madh gjuhësor që mund të përdoret nga institucionet, komuniteti akademik, kompanitë dhe qytetarët. Qëllimi është të ulet varësia nga veglat e huaja, të cilat shpesh nuk e njohin kontekstin maqedonas mjaftueshëm saktë”, shpjegoi Andonovski, ndërsa tha se ky projekt hedh themelet për krijimin e zgjidhjeve vendore bazuar në inteligjencën artificiale, të cilat do të përdoren në interes të publikut, arsimit, shkencës, ekonomisë dhe transformimit digjital të vendit.
Udhëheqësi i projektit është FSHIIK, i cili tashmë ka vendosur bashkëpunim me disa institucione relevante, duke përfshirë Gazetën Zyrtare, Parlamentin, Bibliotekën kombëtare dhe universitare, ASHAM-in, si dhe institutet për gjuhën dhe letërsinë maqedonase. Ky bashkëpunim do të sigurojë bazë të dhënash cilësore, duke përfshirë akte ligjore dhe nënligjore, literaturë profesionale dhe përmbajtje të tjera në gjuhën maqedonase. Andonovski informoi se edhe qytetarët do të mund të kontribuojnë për projektin përmes ngarkimit të punimeve të digjitalizuara, hulumtimeve të magjistraturës dhe doktoraturës, me çka do të pasurohet korpusi diogjital gjuhësor maqedonas.
Lidhur me rregullativën, ministri paralajmëroi përgatitjen e një ligji kompakt për inteligjencën artificiale, i cili do të vendosë rregulla etike dhe transparente për zbatimin e saj, pa kufizuar përdorimin e teknologjive të reja. Fokusi do të jetë në administratën publike, kujdesin shëndetësor, bujqësinë dhe kulturën. Projekti “Qëndisja” është me vlerë prej 6.5 milionë eurove, prej të cilave 1,5 milionë janë mjete shtetërore, një milion euro janë siguruar nga fakultetet, ndërsa pjesa tjetër nga Bashkimi Evropian.
Andonovski paralajmëroi se me përmbushjen e hapave nga agjenda reformuese në qershor, hapen 16,9 milionë euro të reja nga Plani për rritje, duke shtuar se Ministria vazhdon me realizimin e obligimeve për sigurim të përfitimeve konkrete për qytetarët dhe institucionet.
Ndryshe, Qendra Qeveritare për Reagim ndaj Incidenteve Kibernetike MKD-GOV-CSIRT e quajtur “Qëndisja” është pranuar si anëtare me të drejta të plota në FIRST (Forum of Incident Response and Security Teams), rrjeti global ndërkombëtar i ekipeve për reagim ndaj incidenteve të sigurisë kompjuterike. Pranimi i MKD-GOV-CSIRT si anëtar i ri me të drejta të plota është miratuar zyrtarisht nga Bordi i Drejtorëve të FIRST-it, duke konfirmuar përparimin e Maqedonisë së Veriut në fushën e sigurisë kibernetike dhe përkushtimin e saj për ndërtimin e një sistemi më të fortë, profesional dhe evropian të qëndrueshmërisë kibernetike.
Ky sukses, sipas Qeverisë, është rezultat i kapaciteteve njerëzore dhe infrastrukturore të Ministrisë së Transformimit Digjital dhe Sektorit për Siguri Kibernetike, me mbështetje profesionale dhe teknike nga partnerët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
“Anëtarësimi në FIRST mundëson besim më të madh ndërkombëtar, shkëmbim më të shpejtë të informacioneve, qasje në ekspertizë dhe koordinim më të mirë në parandalimin, zbulimin dhe përballimin e kërcënimeve dhe incidenteve kibernetike. Me këtë, Maqedonia e Veriut realizon edhe një hap të rëndësishëm nga Agjenda e Reformave, me afat deri më 30 qershor 2026, dhe krijon kushte për zhbllokimin e mjeteve të reja nga Plani për Rritje të Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e Qeverisë. (koha.mk)

