Dokumenti i ri i administratës amerikane sinjalizon ndryshim të qasjes së SHBA-së në rajon, me fokus te stabiliteti funksional, kontrolli i ndikimit rus e kinez dhe shndërrimi i Ballkanit Perëndimor në hapësirë investimesh strategjike amerikane
Administrata amerikane ka formalizuar një qasje të re politike ndaj Ballkanit Perëndimor përmes raportit zyrtar të dorëzuar në Kongres mbi “Politikën e Shteteve të Bashkuara për promovimin e stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor”.
Dokumenti përfaqëson një ridimensionim të rolit amerikan në rajon, duke e zhvendosur fokusin nga ndërhyrjet politike dhe ndërtimi institucional drejt interesave konkrete strategjike, ekonomike dhe të sigurisë.
Raporti e vendos Ballkanin Perëndimor në qendër të konkurrencës gjeopolitike mes Perëndimit, Rusisë dhe Kinës, ndërsa administrata amerikane e konsideron rajonin një zonë kyçe për stabilitetin europian, sigurinë transatlantike dhe zgjerimin e interesave ekonomike amerikane.
Qasja e re amerikane është e drejtpërdrejtë: SHBA-ja nuk synon më të jetë garantuesi kryesor politik i rajonit, por partner strategjik që mbështet stabilitetin, sigurinë dhe ekonominë, në funksion të interesave reciproke. Dokumenti e përcakton qartë se “epoka e ndërtimit të shteteve” ka përfunduar dhe se administrata amerikane nuk kërkon më të mbajë rol mbikëqyrës mbi zhvillimet e brendshme politike në Ballkan.
Ky formulim përbën një ndryshim të rëndësishëm konceptual në krahasim me dekadat e mëparshme, kur politika amerikane në rajon dominohej nga ndërhyrjet diplomatike, proceset e paqes dhe mbikëqyrja ndërkombëtare në Bosnjë, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.
Raporti thotë se “kontestet e pazgjidhura dhe ndasitë e mbetura e minojnë stabilitetin rajonal”. Administrata, thuhet më tej, është e fokusuar në “fuqizimin e aktorëve lokalë për t’i zgjidhur sfidat e tyre”, në vend të “varësisë së tepruar nga ndërhyrja apo mbikëqyrja ndërkombëtare”.
Prioritetet kryesore përfshijnë ruajtjen e stabilitetit rajonal, kundërshtimin e ndikimit keqdashës të Rusisë dhe Kinës, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, investimet në energji dhe infrastrukturë, luftën kundër krimit të organizuar dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.
Stabiliteti si kusht për interesat amerikane
Dokumenti e përcakton stabilitetin rajonal si prioritetin themelor të politikës amerikane. Sipas administratës, pa stabilitet nuk mund të ketë as investime, as zgjerim ekonomik, as kufizim të ndikimit rus dhe kinez. Në këtë kuadër, raporti identifikon disa pika të nxehta që vazhdojnë të konsiderohen rrezik për destabilizim: tensionet politike në Bosnjë dhe Hercegovinë; raportet Kosovë-Serbi; dobësia institucionale; ndikimi i aktorëve të jashtëm si dhe korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Për Bosnjën dhe Hercegovinën, raporti konfirmon mbështetjen amerikane për Marrëveshjen e Dejtonit dhe integritetin territorial të vendit. Dokumenti pretendon se diplomacia amerikane ka luajtur rol kyç në menaxhimin e krizës më serioze në Bosnje që nga përfundimi i luftës së viteve 1992-1995. Megjithatë, raporti shmang premtimet për angazhim të zgjeruar politik apo institucional, duke sinjalizuar se SHBA-ja pret që aktorët lokalë të marrin përgjegjësi më të madhe për zgjidhjen e krizave të brendshme.
Edhe në raport me Kosovën dhe Serbinë, administrata amerikane ruan mbështetjen për dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve, por pa paraqitur iniciativa të reja politike apo afate konkrete. Objektivi mbetet një marrëveshje “e qëndrueshme dhe e negociuar” mes dy vendeve.
Kjo tregon se SHBA-ja po e sheh stabilitetin jo më si proces transformimi demokratik, por si mekanizëm funksional për të parandaluar krizat që mund të krijojnë hapësirë për ndikimin rus dhe kinez.
Ndërkohë, lidhur me sigurinë, Uashingtoni thotë se “trupat amerikane vazhdojnë të marrin pjesë në KFOR, të cilin e cilëson si komponent kyç për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes në Kosovë”.
Dokumenti po ashtu thekson mbështetjen për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë profesionale të mbrojtjes territoriale, si dhe përmend modernizimin e termocentraleve me qymyr dhe projektet e gazifikimit të qymyrit në Kosovë si pjesë të prioriteteve energjetike në rajon.
NATO dhe dimensioni i sigurisë
Një pjesë e konsiderueshme e strategjisë lidhet me sigurinë dhe mbrojtjen. Dokumenti e konsideron integrimin euroatlantik si instrument kyç për stabilitetin e rajonit dhe për ruajtjen e ndikimit amerikan në Europën Juglindore. Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut përmenden si shembuj të zgjerimit të suksesshëm të NATO-s në Ballkan, ndërsa SHBA-ja synon të vazhdojë modernizimin e ushtrive të rajonit, stërvitjet e përbashkëta ushtarake, rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, si dhe bashkëpunimin në kuadër të Aleancës Atlantike.
Raporti përmend objektivin e NATO-s për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5 për qind të PBB-së, çka sinjalizon presion më të madh amerikan ndaj aleatëve europianë dhe vendeve partnere për të marrë më shumë përgjegjësi financiare në siguri.
Në Kosovë, SHBA-ja riafirmon mbështetjen për KFOR-in si faktor kyç për sigurinë dhe lirinë e lëvizjes. Paralelisht, raporti mbështet transformimin gradual të Forcës së Sigurisë së Kosovës në forcë profesionale territoriale.
Një element i rëndësishëm politik në dokument është fakti që Kosova dhe Shqipëria përmenden si kontribuese në misione ndërkombëtare sigurie, përfshirë Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën.
Kjo paraqet një ndryshim simbolik të narrativës amerikane për rajonin: Ballkani nuk shihet më vetëm si konsumator sigurie, por si ofrues sigurie në operacionet ndërkombëtare.
Ballkani si treg ekonomik dhe korridor strategjik
Shtylla e dytë e strategjisë amerikane është ekonomia. Dokumenti e trajton Ballkanin Perëndimor si zonë me potencial të konsiderueshëm ekonomik dhe si korridor strategjik mes Adriatikut, Europës Qendrore dhe Detit të Zi. Administrata amerikane identifikon disa avantazhe të rajonit si pozicionin gjeografik, korridoret e transportit, burimet natyrore, sektorin teknologjik në zhvillim, si dhe fuqinë punëtore me kosto relativisht të ulët.
Qëllimi i SHBA-së nuk paraqitet si ndihmë ekonomike tradicionale, por si zgjerim i interesave të kompanive amerikane në tregjet e rajonit.
Dokumenti e bën të qartë se administrata amerikane synon uljen e barrierave për kompanitë amerikane, përmirësimin e klimës së biznesit, forcimin e mbrojtjes ligjore për investimet, si dhe procese më transparente të prokurimeve publike.
Për këtë arsye, Departamenti Amerikan i Shtetit do të koordinojë veprimet me Departamentin e Tregtisë, Exim Bank, Korporatën Ndërkombëtare të Financimit për Zhvillim dhe agjenci të tjera financiare amerikane.
Marrëveshje tregtare dhe zgjerim ekonomik amerikan
Raporti konfirmon se SHBA-ja po negocion marrëveshje tregtare reciproke me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Veçanërisht theksohet marrëveshja kornizë e shkurtit me Maqedoninë e Veriut, e cila sipas administratës amerikane do të krijojë akses të paprecedentë për eksportuesit amerikanë në tregun maqedonas.
Kjo tregon se administrata amerikane po e trajton rajonin si pjesë të konkurrencës ekonomike globale dhe jo vetëm si zonë stabiliteti politik.
Një nga elementët më strategjikë të raportit është energjia. Administrata amerikane e konsideron varësinë energjetike të Ballkanit nga Rusia si kërcënim direkt për stabilitetin rajonal dhe interesat perëndimore.
Për këtë arsye, SHBA-ja synon zgjerimin e furnizimeve me gaz natyror të lëngshëm amerikan, promovimin e energjisë bërthamore, investime në energji të rinovueshme, si dhe ndërtimin e interkonektorëve rajonalë të gazit dhe energjisë.
Mes projekteve prioritare përmenden interkonektori Kroaci–Bosnjë, interkonektori Serbi–Maqedoni e Veriut, zhvillimi i hidrocentraleve në Shqipëri, Bosnjë, Serbi dhe Maqedoni të Veriut, modernizimi i termocentraleve në Kosovë, si dhe lidhja e rrjeteve energjetike të Ballkanit me tregun europian.
Dokumenti e lidh drejtpërdrejt energjinë me konkurrencën gjeopolitike ndaj Rusisë. Sipas raportit, eliminimi gradual i gazit rus nga rajoni shihet si objektiv strategjik amerikan.
Rusia dhe Kina, kërcënimi kryesor strategjik
Raporti identifikon Rusinë dhe Kinën si aktorët kryesorë që sfidojnë interesat amerikane në Ballkanin Perëndimor.
Sipas administratës amerikane, Rusia përdor energjinë, tensionet etnike dhe mbështetjen për aktorë destabilizues për të dobësuar institucionet perëndimore. Në document thuhet se Kina përdor kreditë shtetërore, projektet infrastrukturore, propagandën dhe lidhjet me elitat politike për të zgjeruar ndikimin e saj ekonomik dhe politik.
Raporti kritikon veçanërisht modelin kinez të investimeve, duke pretenduar se kompanitë kineze shpesh fitojnë tenderë me oferta të ulëta, por më pas rrisin kostot reale të projekteve përmes vonesave dhe tejkalimeve financiare.
Administrata amerikane argumenton se ekonomitë funksionale dhe institucionet transparente janë mbrojtja më e mirë ndaj ndikimit rus dhe kinez.
Krimi i organizuar si çështje sigurie kombëtare amerikane
Një dimension tjetër i rëndësishëm i dokumentit është lidhja që SHBA-ja bën mes Ballkanit Perëndimor dhe sigurisë së brendshme amerikane. Raporti pretendon se grupet kriminale të rajonit kanë krijuar lidhje me kartelet ndërkombëtare të drogës dhe rrjetet e pastrimit të parave. Sipas dokumentit, organizatat kriminale ballkanike kontribuojnë në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve, ndihmojnë emigracionin e paligjshëm drejt SHBA-së, si dhe marrin pjesë në pastrim parash dhe aktivitete financiare të paligjshme. “Kjo administratë do t’i çmontojë dhe shpërbëjë këto rrjete kudo që ato veprojnë, siç u dëshmua në vitin 2025 me përcaktimin e disa shtetasve të Ballkanit Perëndimor të lidhur me kartelet e shpallura organizata të huaja terroriste, që veprojnë në Hemisferën Perëndimore”, thuhet në raport.
Raporti sinjalizon disa ndryshime të rëndësishme në politikën amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor. Kështu SHBA-ja po redukton rolin tradicional si garantues politik dhe po kalon drejt partneriteteve pragmatike. Në document thuhet se stabiliteti shihet kryesisht si instrument për mbrojtjen e interesave strategjike amerikane, ndërsa ekonomia dhe energjia po bëhen po aq të rëndësishme sa siguria. Konkurrenca me Rusinë dhe Kinën është kthyer në boshtin kryesor të politikës amerikane në rajon, vlerësohet në dokumentin e DASH, ndërsa theksohet se Ballkani po trajtohet si pjesë e arkitekturës së sigurisë dhe ekonomisë euroatlantike.
Dokumenti tregon gjithashtu se administrata amerikane pret më shumë përgjegjësi nga qeveritë e rajonit, si në siguri ashtu edhe në reforma ekonomike dhe institucionale. Në thelb, strategjia e re amerikane nuk paraqet një rikthim të SHBA-së në Ballkan në formën tradicionale të ndërhyrjes politike, por një përpjekje për ta mbajtur rajonin të ankoruar në orbitën perëndimore përmes sigurisë, energjisë, tregtisë dhe konkurrencës gjeopolitike.

