Lajme

Diplomacia amerikane jashtë kontrollit!

Kaos në Uashington, edhe diplomatët amerikanë mbeten pa informacion. Në lojë vetëm bensikët e Trump…

Kur Donald Trump paralajmëroi Iranin më 7 prill se “një qytetërim i tërë mund të vdesë sonte”, alarmi nuk u ndez vetëm në Teheran. Në Uashington, diplomatët europianë kërkuan menjëherë të kuptonin nëse presidenti amerikan po mendonte realisht përdorimin e armës bërthamore.

Frika në Europë dhe Azi shkonte shumë përtej vetë deklaratës së Trump. Ekzistonte shqetësimi se Rusia mund të përdorte të njëjtin precedent për të justifikuar kërcënime të ngjashme ndaj Ukrainës, duke hapur një krizë bërthamore në dy kontinente njëkohësisht.

Qeveritë europiane kërkuan urgjentisht sqarime përmes Departamentit Amerikan të Shtetit, por përgjigjja që morën ishte tronditëse: vetë zyrtarët amerikanë nuk dinin çfarë kishte dashur të thoshte Trump dhe as çfarë mund të nënkuptonin deklaratat e tij.

Ky episod po shihet si shenja më e qartë e shpërbërjes së diplomacisë tradicionale amerikane. Në një moment kur presidenti amerikan trondit aleatët dhe tregjet globale me deklarata të forta dhe të paparashikueshme, shumë qeveri po zbulojnë se kanalet klasike diplomatike të SHBA-së nuk funksionojnë më si dikur.

Më shumë se gjysma e posteve të ambasadorëve amerikanë në botë janë aktualisht vakantë. Nga 195 poste diplomatike, mbi 100 rezultojnë bosh. Shumë ambasada drejtohen nga të ngarkuar me punë dhe jo nga ambasadorë të konfirmuar, ndërsa mijëra diplomatë karriere janë larguar, janë pushuar ose janë spostuar nga administrata Trump.

Marco Rubio e kishte quajtur Departamentin Amerikan të Shtetit një burokraci “të fryrë” dhe kishte nisur një reformë të thellë të strukturës diplomatike amerikane. Brenda një viti, rreth 3 mijë punonjës u larguan nga departamenti, ndërsa administrata nisi zëvendësimin gradual të diplomatëve të karrierës me njerëz politikisht besnikë ndaj Trump.

Në shumë raste, aleatët amerikanë nuk komunikojnë më përmes ambasadave apo kanaleve zyrtare. Shumë qeveri kanë nisur të kërkojnë lidhje direkte me njerëzit më të afërt të Trump, si Jared Kushner apo Steve Witkoff, sepse shpesh vetë diplomatët amerikanë nuk kanë informacion mbi vendimet reale të presidentit.

Kjo ka krijuar një situatë të pazakontë në diplomacinë globale. Në vend të analizave institucionale dhe koordinimit tradicional, shumë qeveri po përpiqen të interpretojnë postimet e Trump në rrjetet sociale për të kuptuar drejtimin e politikës amerikane.

Në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, disa zyrtarë thuhet se mbanin të hapur gjatë gjithë kohës llogarinë e Trump në Truth Social për të kuptuar sinjalet e politikës së jashtme amerikane.

Në të njëjtën kohë, aleatët europianë kanë nisur të ndryshojnë mënyrën si reagojnë ndaj presidentit amerikan. Pas kërcënimit ndaj Iranit, Britania, Franca dhe Gjermania hartuan një deklaratë të ashpër kundër Trump, por vendosën të mos e publikojnë. Arsyeja ishte frika se një reagim publik mund ta shtynte presidentin amerikan drejt një përshkallëzimi të mëtejshëm ushtarak.

Në fund të ditës, Trump shpalli armëpushim me Iranin.

Por për shumë diplomatë europianë, problemi më i madh nuk është vetëm retorika agresive e presidentit amerikan. Shqetësimi real është se askush nuk di më nëse deklaratat e Trump janë presion politik, kërcënime reale apo vendime që mund të ndryshojnë brenda pak orësh.

Në disa raste, edhe vetë diplomatët amerikanë kanë mbetur jashtë zinxhirit të informacionit.

Ish-ambasadorja amerikane në Ukrainë, Bridget Brink, tregoi se kur administrata Trump pezulloi ndihmën ushtarake për Kievin, askush në ambasadë nuk mori shpjegim. Ajo deklaroi se kontaktoi Pentagonin, Departamentin e Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë për të kuptuar arsyen, por nuk mori përgjigje.

Ndërkohë, ndikimi në diplomacinë amerikane po kalon gjithnjë e më shumë tek figura jashtë strukturave tradicionale shtetërore. Jared Kushner dhe Steve Witkoff po menaxhojnë negociata për Ukrainën, Gazën dhe Iranin, edhe pse nuk kanë eksperiencë tradicionale diplomatike apo ekspertizë të thellë në çështje strategjike.

Në negociatat me Iranin, diplomatët europianë raportuan se ekipi amerikan kishte vështirësi të kuptonte elementët teknikë të programit bërthamor iranian dhe se shpesh ishin vetë europianët që shpjegonin aspektet bazë të negociatave.

Në shumë kryeqytete europiane dhe aziatike po krijohet bindja se diplomacia amerikane po funksionon tashmë mbi marrëdhënie personale dhe jo më mbi institucione.

Kjo është arsyeja pse vende si Koreja e Jugut apo Japonia kanë nisur të përdorin kanale alternative për të arritur direkt tek Trump, duke anashkaluar diplomatët dhe negociatorët zyrtarë amerikanë.

Për aleatët e SHBA-së, dilema është bërë gjithnjë e më e madhe: a duhen marrë seriozisht kërcënimet e Trump apo duhet të konsiderohen thjesht retorikë politike?

Sepse rreziku më i madh nuk është vetëm ajo që Trump thotë, por fakti që askush nuk di më me siguri se çfarë do të bëjë Amerika. /Marrë me shkurtime nga “Reuters”

3sgIgLJ.png