Lajme

Latifi: Shfuqizimi i emrave të rrugëve, pasqyrë e dobësimit politik të shqiptarëve

Analisti dhe profesori universitar nga Kosova, Blerim Latifi, ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit të Komunës së Tetovës nga viti 2007, me të cilin disa rrugë të qytetit ishin emërtuar me emra që lidhen me historinë dhe identitetin shqiptar. Sipas Latifit, fakti që vendimi u anulua pothuajse dy dekada pas miratimit të tij nuk është rastësi, por pasqyrim i ndryshimit të rrethanave politike në Maqedoninë e Veriut.

“Në vitin 2007, Komuna e Tetovës vendosi që disa rrugë të qytetit të mbanin emrat ‘Iliria’, ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe ‘Dervish Cara’. Gati njëzet vjet më vonë, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi atë vendim dhe riktheu emrat e vjetër, përfshirë edhe emrin e Titos. Pse ky vendim nuk u mor atëherë, por pas pothuajse dy dekadash? Arsyeja është e qartë: shqiptarët sot janë politikisht shumë më të dobët sesa ishin në atë kohë”, vlerëson Latifi.

Statusi i plotë i profesor Blerim Latifit:

Në vitin 2007, Komuna e Tetovës mori vendim që disa rrugë të qytetit të emërtoheshin “Iliria”, “Dëshmorët e Kombit” dhe “Dervish Cara”. Gati njëzet vjet më vonë, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut e shfuqizoi atë vendim, duke rikthyer emrat e vjetër të këtyre rrugëve, përfshirë edhe emrin e Titos.

Pse ky vendim nuk u mor atëherë, por u desh të priteshin pothuajse dy dekada?

Nuk është aspak e vështirë të kuptohet arsyeja: sot shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë politikisht shumë më të dobët sesa ishin në atë kohë. Kjo u pa edhe në çështjen e gjuhës shqipe.

Protestat e studentëve nuk arritën të shndërrohen në një lëvizje më të gjerë politike. Partitë shqiptare janë më të përçara dhe me më pak peshë se dikur, ndërsa ajo që, me kusht, mund ta quajmë elitë kulturore, po i ngjan përditë e më shumë elitave kulturore të Lindjes së Mesme, duke u marrë me kauza dhe identitete të largëta, ndërsa humbet ndjeshmërinë për çështjet që prekin drejtpërdrejt pozitën e shqiptarëve në vendin e vet.

Si rezultat, është krijuar një gjendje paradoksale: shqiptari i Maqedonisë mund të të hidhet në fyt për Palestinën, por kur i ndërrojnë emrin shqip të rrugës para shtëpisë, kthen kokën në anën tjetër.

Natyrisht, nacionalistët maqedonas e dinë këtë gjendje, prandaj edhe i janë futur punës për t’i shkatërruar të gjitha rezultatet që arritën shqiptarët pas luftës së vitit 2001.

Do të doja, por nuk shoh se do të hasin në shumë vështirësi.

3sgIgLJ.png