Lajme

Izraeli sfidon armëpushimin, ministri i Mbrotjes: Nuk do të tërhiqemi nga Libani!

Pavarësisht njoftimit për një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hezbollahut, Izraeli ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të tërheqë forcat e tij nga zona e sigurisë në Libanin jugor.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se ushtria do të vazhdojë të operojë në territorin ku aktualisht është e vendosur, duke theksuar se nuk ekzistojnë kufizime për veprimet e saj ushtarake. “Nuk ka asnjë kufizim për ushtarët që veprojnë në Liban”, deklaroi Katz.

Ai shtoi se prania ushtarake izraelite do të vazhdojë përgjatë të ashtuquajturës Vijë e Verdhë, e cila shërben si zonë sigurie për komunitetet në veri të Izraelit.

“Forcat tona mbeten të vendosura në zonën e sigurisë përgjatë Vijës së Verdhë në Liban dhe veprojnë prej andej kundër terroristëve dhe infrastrukturës terroriste”, tha ministri izraelit.

Sipas tij, marrëveshja e armëpushimit e shpallur një ditë më parë nuk ndryshon pozicionimin aktual të ushtrisë izraelite.

“Armëpushimi i shpallur dje e lë IDF-në në të gjitha pozicionet e saj brenda zonës së sigurisë që mbron komunitetet e Izraelit verior”, u shpreh Katz.

Deklaratat vijnë në një moment kur kushtet e marrëveshjes së armëpushimit mbeten ende të paqarta. Izraeli dhe Hezbollahu kanë shfaqur rezerva mbi zbatimin e saj, ndërsa detajet e plota nuk janë bërë publike.

Në javët e fundit, ushtria izraelite ka intensifikuar bombardimet në territorin libanez, përfshirë edhe periudhën kur po zhvilloheshin negociatat për armëpushim. Situata në Liban konsiderohet tashmë një element kyç në përpjekjet diplomatike për uljen e tensioneve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë, delegacione nga SHBA-ja, Irani dhe Pakistani ndodhen në Zvicër për bisedime urgjente diplomatike, ku sipas burimeve diplomatike, çështja e Libanit është tema e parë në axhendë.

3sgIgLJ.png