EVN Maqedoni hapi poligonin e parë për trajnimin e të rinjve elektromontues dhe
elektroteknikë në Gostivar. Poligoni është ndërtuar në kuadër të Shkollës së Mesme Teknike Komunale
„Gostivar“, si pjesë e projektit për arsimin dual „Mësimi përmes punës“. Poligoni i ri i jashtëm i shton vlerë
kabinetit ekzistues të shkollës, i cili është i pajisur me materiale, vegla dhe pajisje moderne për tension të
ulët dhe të mesëm, identike me ato që ekipet e Elektrodistribuimit i përdorin çdo ditë në terren.
Përmes mësimit dhe punës në poligon dhe në kabinet, të rinjtë kanë mundësinë të arsimohen dhe të
trajnohen sipas standardeve evropiane.
„Si kompani e përkushtuar ndaj modernizimit të rrjetit elektrodistributiv, investimi në kuadro të reja teknike
përfaqëson prioritetin tonë strategjik afatgjatë. Poligoni i ri i trajnimit në Gostivar u mundëson nxënësve
trajnim praktik në kushte reale dhe në një mjedis të sigurt. Në këtë mënyrë, investojmë drejtpërdrejt në
krijimin e kuadrove teknike të kualifikuara, të gatshme për sfidat e energjetikës moderne“, deklaroi z.
Sasho Saltirovski, menaxher i Elektrodistribuimit.
“Për zhvillimin e profesionistëve të rinj, njësoj të rëndësishme janë si arsimi cilësor, ashtu edhe mundësitë
për zhvillim të vazhdueshëm. Përmes donacionit tonë dëshirojmë t’i ndihmojmë nxënësit të realizojnë
potencialin e tyre dhe të përgatiten për një fillim të suksesshëm të karrierës së tyre në sektorin
energjetik”, deklaroi z. Fisnik Oseku, Prokurist dhe Udhëheqës i Burimeve Njerëzore dhe Organizimit në
EVN Maqedoni.
Bashkëpunimi ndërmjet EVN Maqedonisë dhe SHMTK „Gostivar“ daton që nga viti 2013 dhe zhvillohet
vazhdimisht. Në vitin 2019 u hap klasa e parë duale për profilin arsimor trevjeçar „Elektricist –
elektromontues i rrjeteve elektrike“, ndërsa nga viti 2025 bashkëpunimi u zgjerua edhe me përfshirjen e
nxënësve të profilit arsimor katërvjeçar „Elektroteknik – energjetik“.
„Falë partneritetit me EVN-në, nxënësit tanë kanë mundësi unike t'i zhvillojnë aftësitë e tyre në një
poligon modern, me pajisje cilësore, gjë që i bën plotësisht konkurrues në tregun e punës“, tha
drejtoresha e SHMTK „Gostivar“, znj. Teuta Minahi.


