Çmimi i naftës ka rënë në nivelin më të ulët në gati 15 javë, pavarësisht pasigurisë se sa shpejt do të rihapet Ngushtica e Hormuzit.
Nafta Brent ka rënë sot me gati 2.5%, në pak mbi 81 dollarë për fuçi, duke iu shtuar rënies prej 4.75% të së hënës. Ky është niveli më i ulët që nga 4 marsi, java e parë e luftës me Iranin.
Megjithatë, çmimi mbetet ende mbi nivelin para luftës, prej 72.48 dollarësh për fuçi.
Tregtarët e naftës po llogarisin se rihapja e Ngushticës së Hormuzit do të sjellë rritje të furnizimeve me naftë nga Lindja e Mesme, pasi Donald Trump tha se kjo rrugë jetike detare do të rihapet sapo SHBA-ja dhe Irani të nënshkruajnë një memorandum fillestar mirëkuptimi.
Megjithatë, ekonomistët paralajmërojnë se do të duhet kohë që trafiku përmes ngushticës të kthehet në normalitet, pasi disa objekte prodhimi duhet të rihapen ose riparohen, ndërsa disa cisterna nafte dhe gazi ndodhen në vende të gabuara.
Kreu i operatorit më të madh të cisternave në botë, Mitsui OSK Lines, tha për Financial Times se pronarët e anijeve nuk do të rifillojnë kalimin përmes Ngushticës së Hormuzit për disa javë, derisa të jenë të bindur se marrëveshja SHBA-Iran është “thelbësore”.
Kathleen Brooks, drejtoreshë e kërkimeve në kompaninë financiare XTB, shpjegon se drejtuesit e kompanive më të mëdha të transportit detar duan të shohin më shumë sesa thjesht një marrëveshje në letër.
Sipas saj, minat duhet të pastrohen dhe të gjitha armiqësitë duhet të marrin fund, përpara se cisternat me ngarkesa me vlerë qindra miliona dollarë të mund të kalojnë nëpër Ngushticë pa frikën e një përshkallëzimi të ri që mund ta mbyllë atë në mes të udhëtimit.
Prandaj, edhe nëse nënshkruhet një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës SHBA-Iran, situata mbetet e ndërlikuar.
Nafta Brent vijon të qëndrojë mbi 80 dollarë për fuçi dhe ka pak gjasa të bjerë nën këtë nivel derisa të shihen anije mallrash që kalojnë me sukses përmes Ngushticës.

