Shkruar nga Pierre Haski – France Inter
Evropa gjendet në kurthin e dy zjarreve: mes “çekanit” rus dhe “kudhrës” së administratës Trump. Ndërsa Uashingtoni shpall “luftë” ideologjike ndaj rregullave evropiane dhe mbështet hapur forcat përçarëse në kontinent, Brukseli përballet me provën më të vështirë të ekzistencës së tij: si të mbijetojë në një botë, ku aleati i vjetër po kthehet në kundërshtarin më të paparashikueshëm…
Një simbol i qartë i trazirave të thella që bota pritet të përjetojë gjatë vitit 2026 janë sanksionet e papritura të vendosura nga administrata Trump ndaj ish-Komisionerit Evropian, Tieri Breton, dhe katër udhëheqësve të tjerë të lartë evropianë pak para Krishtlindjeve.
Ky akt shënoi një gjest armiqësie të paparë midis vendeve që historikisht konsideroheshin aleate, ose më saktë, që “teorikisht” duhej të ishin të tilla. Reagimet në Francë dhe në mbarë kontinentin ishin të menjëhershme, duke reflektuar një ndjesi tradhtie dhe pasigurie.
Këto sanksione mbartin një ngarkesë kryesisht ideologjike, duke u bazuar në një koncept strikt amerikan mbi lirinë e shprehjes, i cili është i lidhur ngushtë me interesat e oligarkëve të teknologjisë që sot përbëjnë gurin e themelit të ekonomisë së SHBA-së.
Argumentet e Uashingtonit ndjekin besnikërisht rreshtat e fjalimit të ashpër që J.D.Vans mbajti në Mynih në fillim të këtij viti, ku zëvendës/presidenti amerikan i akuzoi hapur evropianët për “pengim të qëllimshëm të lirisë së shprehjes”.
I njëjti qëndrim radikal pasqyrohet edhe në dokumentin strategjik të publikuar në dhjetor nga administrata Trump, i cili paralajmëronte me tone thuajse apokaliptike, se në rast se nuk ndryshon kurs, Evropa rrezikon “zhdukjen e plotë të qytetërimit të saj”.
Tronditja që ka shkaktuar kjo ndarje është e jashtëzakonshme në çdo fazë të saj. Masat ndëshkimore kundër ish-komisionerit Breton, i cili akuzohet nga Uashingtoni për udhëheqjen e një “kompleksi industrial të censurës”, patën efektin e një goditjeje të fortë elektrike në prag të festave.
Tashmë është e qartë se midis administratës Trump dhe demokracive liberale të Evropës po ndodh një divorc i dhimbshëm, edhe pse udhëheqësit evropianë duket se nuk e kishin parashikuar kurrë një shpërthim të tillë dhune diplomatike.
Evropianët e kanë ditur prej vitesh, që nga koha e presidencës Obama se Shtetet e Bashkuara e kishin kthyer vëmendjen e tyre strategjike drejt Azisë dhe veçanërisht drejt Kinës, duke e parë atë si rivalin kryesor, ndërkohë që kontinenti i vjetër po humbte gradualisht rëndësinë e tij globale.
Megjithatë, Trump ka shkuar shumë më tej se paraardhësit e tij: ai duket se dëshiron shpërbërjen e Bashkimit Evropian, duke e përsëritur vazhdimisht tezën e tij (të pabazuar në fakte) se ky bashkim u krijua me qëllimin e vetëm për të “shfrytëzuar dhe shkatërruar Shtetet e Bashkuara”.
Për pasojë, sot Evropa e gjen veten në një paradoks të rrezikshëm: mbrojtësi i saj kryesor ushtarak është njëkohësisht forca që dëshiron ta shkatërrojë politikisht. Evropianët nuk ishin aspak të përgatitur për një evolucion të tillë, gjë që vërtetohet nga varësia e tyre e dyfishtë dhe e pakundërshtueshme: nga njëra anë varësia ndaj teknologjisë amerikane (e cila dominon tregun pasi Evropa dështoi në revolucionet e fundit dixhitale) dhe nga ana tjetër, varësia jetike për mbrojtjen brenda strukturave të NATO-s.
Përpjekje për të kufizuar dëmet
Në fund të vitit 2025, qoftë në mbështetjen e tyre për Ukrainën apo në marrëdhëniet e tyre komplekse transatlantike, evropianët po e kuptojnë më në fund se bota ka ndryshuar rrënjësisht dhe se ky ndryshim nuk po ndodh në favorin e tyre.
Bashkimi Evropian gjendet sot në një pozicion ekstremisht të cenueshëm, i bllokuar “midis dy zjarreve”: agresionit të pandalshëm të Rusisë nga Lindja dhe armiqësisë së hapur të Shteteve të Bashkuara nga Perëndimi.
Problemi i madh për 27 vendet anëtare është se varësi të tilla strukturore nuk mund të eliminohen brenda natës, pasi ato kërkojnë dekada për t’u rregulluar. Rrjedhimisht, atyre do t’u duhet të gjejnë një mënyrë për të bashkëjetuar me administratën Trump, duke u përpjekur me vështirësi që të kufizojnë sa të munden dëmet e mëtejshme.
Kjo është edhe arsyeja përse përgjigja ndaj sulmeve amerikane është kaq e ndërlikuar dhe, në mënyrë të pashmangshme, do të shkaktojë zhgënjim tek opinioni publik evropian që kërkon më shumë dinjitet.
Një provë zjarri e vërtetë për vitin 2026, do të jetë mbrojtja e ligjit dixhital, pikërisht legjislacioni për të cilin u sanksionua ish-komisioneri Breton. Më 24 dhjetor, Komisioni Evropian u detyrua të mbronte publikisht këtë rregullore, duke theksuar se ajo është miratuar nga shtete sovrane dhe një parlament i zgjedhur me votë universale.
Por sulmi i Trump ndaj BE-së nuk pritet të ndalet këtu; Uashingtoni po kërkon një kapitullim të plotë të Evropës, ashtu siç kërkohet nga interesat e Silicon Valley. Testi i dytë dhe më delikat do të jetë ndërhyrja e drejtpërdrejtë politike.
Administrata amerikane po mbështet tashmë hapur partitë e ekstremit të djathtë në Evropë, të cilat i cilëson si forca “patriotike”, dhe shpreson t’i ndihmojë ato që të vijnë në pushtet dhe dobësojnë unitetin e Brukselit.
Prandaj Evropa nuk duhet të ushqejë më asnjë iluzion: ky me SHBA-në do të jetë një divorc i egër, i ftohtë dhe pa asnjë “dhuratë” diplomatike.
