Lajme

“Safe City”/ Sistemi në funksion, nga 1 janari

Pushteti është duke kaluar ndryshimet e fundit ligjore që do të mundësojnë përdorimin e sistemit “Qytet i sigurtë”, ose kamerat e rrugës, nga një janari i vitit të ardhshëm. Kamerat e rrugës do të monitorohen për t’u dokumentuar shkeljet eventuale në trafik. Numri i targave lidhet me pronarin e makinës, dhe në rast të shkeljes, krijohet procesverbal me urdhërpagesë kundërvajtëse për pronarin, ndërsa me fotografi dokumentohet shkelja.

Njoftimi i pronarit të automjetet për shkeljen do të bëhet në mënyrë elektronike dhe jo me postë.

“Për herë të parë mundësohet dorëzimi elektronik përmes e-mailit ose sms porosive me çka shkurtohen procedurat, sigurohet shpërndarje e sigurt dhe e rregullt, gjegjësisht i pamundësohet të akuzuarit t’i ikë zbatimit të dënimit por kjo është edhe në favor të ekonomisë së procedurës sepse ulen shpenzimet që i kanë gjykatat dhe organet e rendit për dërgesat përmes postës”, tha Alen Dereban, Zv.ministër i Drejtësisë.

Brenda ka një lidhëz, apo siç njihet link, përmes të cilit merret procesverbali me urdhëresën për pagesën e shkeljes dhe fotografinë me të cilën është dokumentuar shkelja. Shkelësi merr dy mesazhe brenda 24 orëve.

Ndërsa nëse kryerësi nuk e pranon përgjegjësinë, ka të drejtë që në afat prej 8 ditësh, dokumentet që i ka marrë përmes sms-porosisë, t’i dorëzojë në gjykatën kompetente, që do të shërbenin si kërkesë për fillimin e procedurës së shkeljes. Nëse pronari i makinës nuk e ka drejtuar automjetin, gjatë kohës që është kryer shkelja, ai është i obliguar që në afat prej 8 ditësh të jep të dhënat e identitetit të personit që ia ka dhënë makinën. Këtë do ta bëjë në stacion policor, bashkë me personin që e ka kryer veprën, ose i vetëm.

“Parashihet përgjegjësi me gjobë prej 500 eurove për personat që marrin fajin në emër të dikujt tjetër, kur raporti elektronik pa dyshim e vërteton identitetin e personit dhe që nuk është ai që e pranon fajin”, theksoi Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm.

Për shkelje të përsëritura, propozohet që Gjykata të shqiptojë vendim për përfundim të vlefshmërisë së patentës së vozitjes. Kjo të ndodh nëse shoferi në periudhën prej 4 vitesh ka dy ndalesa të një kategorie të caktuar për drejtimin e automjetit.

Për siguri më të madhe në trafik dhe që nuk lidhet domosdoshmërisht me sistemin “Safe City”, Ministria e Punëve të Brendshme poashtu propozon kufizimin e përdorimit të celularëve në trafik.

“Futet ndalesë për përdorimin e pajisjeve telefonike gjatë drejtimit të biçikletës, skuterëve, motorit, trotinetit, traktorit dhe mjeteve të tjera, duke u parashikuar gjoba. Ndalesë parashikohet edhe për këmbësorët gjatë kalimit të rrugës, rrugës për biçikleta dhe korsive, në rast se përdorin telefonin”, u shpreh Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm.

Me këto ndryshime, institucionet presin që të ulen shkeljet në trafik, veçanërisht ata me pasoja të rënda fizike. / Alsat.mk

3sgIgLJ.png
KddZqn1.gif