Lajme

Trump drejt pazarit të madh me Xi dhe Putinin: A do të paguajë faturën Evropa?

Ettore Sequi

Takimet e nëntorit në Azi dhe samiti trepalësh në Shenzhen, mund të hapin një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Uashingtonit, Pekinit dhe Moskës. Trump kërkon marrëveshje për të lehtësuar barrën e angazhimeve amerikane, por Xi dhe Putini mund ta shfrytëzojnë këtë nevojë për të kërkuar lëshime me pasoja për Ukrainën, aleatët dhe sigurinë ndërkombëtare…

Në rrugën drejt Shenzhenit, ku më 19 nëntor do të takohet me Xi Jinpingun dhe Vladimir Putinin, Donald Trump ndalon sot në në Manila, për samitin SHBA-ASEAN, organizata që bashkon vendet e Azisë Juglindore.

Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., kërkon garanci amerikane përballë presionit të Kinës në Detin e Kinës Jugore. Ndërkohë, vende të tjera të ASEAN-it duan të ruajnë marrëdhëniet tregtare me Pekinin, pa iu nënshtruar imponimeve të tij strategjike.

Pra Trump duhet të qetësojë ata që druhen nga Kina, përpara se të ulet në tryezë për të negociuar me të. Në Manila do të mblidhet edhe QUAD-i, forumi që përfshin SHBA-në, Japoninë, Indinë dhe Australinë. Tokio dhe Kanberra janë aleatë të Uashingtonit, ndërsa Nju Delhi bashkëpunon me të, pa hequr dorë nga autonomia e vet strategjike.

Pavarësisht interesave të ndryshme, të katër vendet synojnë të pengojnë Pekinin që të përdorë epërsinë në përpunimin e mineraleve kritike si instrument presioni apo të kushtëzojë lëvizjen në rrugët detare.

Kriza në Ngushticën e Hormuzit, tregon se sa ngushtë janë të lidhura siguria dhe ekonomia. Kërcënimi ndaj furnizimeve me naftë për Azinë dhe angazhimi i forcave amerikane në këtë krizë, kufizojnë kapacitetet që Uashingtoni mund të përdorë në Paqësor.

Më 18 dhe 19 nëntor, në Shenzhen, samiti i APEC-ut do të mbledhë ekonomi që përfaqësojnë 62 për qind të PBB-së botërore. Në kuadër të tij, Trump do të negociojë me Xi-në për tarifat doganore, çipat e avancuar dhe tokat e rralla, përpara takimit trepalësh me Putinin.

Uashingtoni e kufizon qasjen e Kinës në gjysmëpërçuesit më të përparuar, ndërsa Pekini shfrytëzon epërsinë në përpunimin e tokave të rralla për të rritur koston e kufizimeve amerikane.

Xi kërkon lëshime nga Trumpi dhe kohë për të zvogëluar varësinë teknologjike nga Shtetet e Bashkuara. Ndërvarësia ekonomike nuk e zhduk rivalitetin mes dy fuqive; përkundrazi, ajo po kthehet në një instrument të tij.

Një armëpushim tregtar mund ta zbusë përplasjen, por nuk mund ta ndalë garën për teknologjitë nga të cilat varen industria dhe fuqia ushtarake. Pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, Trump kërkon suksese diplomatike dhe synon të lehtësojë angazhimet amerikane në Ukrainë dhe Iran, për të përqendruar më shumë burime në përballjen me Kinën.

Por nevoja për një marrëveshje, mund ta rrisë çmimin e saj. Xi mund të kërkojë lehtësimin e kufizimeve për çipat e avancuar, ndërsa Putin mund të kërkojë njohjen e pretendimeve territoriale ruse në Ukrainë dhe kufizimin e lirisë së Kievit për të përcaktuar zgjedhjet e veta strategjike.

Nuk është e sigurt që Trumpi do t’i pranojë këto kërkesa. Ai ruan ende mjete presioni dhe Kongresi amerikan mund të pengojë disa lëshime. Por rreziku, është që Uashingtoni të paguajë dy herë: duke forcuar rivalët dhe duke dëmtuar besimin e aleatëve, mbi të cilin mbështetet prania amerikane në Evropë dhe Azi.

Takimi trepalësh do të përballë interesa që nuk përputhen me njëra-tjetrën. Trump kërkon marrëveshje me të dyja palët, pa cenuar aleancat amerikane. Putin synon njohjen e pretendimeve të tij ndaj Ukrainës, pa humbur mbështetjen e Kinës.

Ndërsa Xi, dëshiron ta ruajë Moskën si kundërpeshë ndaj Uashingtonit, por pa marrë përsipër barrën e luftës ruse. Pekinit i intereson që Rusia të mos mposhtet, por jo deri në të pikë sa të sakrifikojë marrëdhëniet me Perëndimin për interesat e Putinit.

Me skadimin e marrëveshjes Neë START për kontrollin e armëve bërthamore strategjike, Trump dëshiron ta përfshijë edhe Kinën në negociatat për kufizimin e arsenalit bërthamor.

Xi kundërshton vendosjen e kufizimeve që do ta vendosnin Pekinin në një pozitë më të pafavorshme se fuqitë me arsenale shumë më të mëdha.

Ndërkohë Putin, mbron barazinë bërthamore me SHBA-në, të cilën e konsideron themelin e statusit të Rusisë si fuqi botërore. Sa i përket Iranit, Moska dhe Pekini mund të ushtrojnë ndikim mbi Teheranin, por nuk mund t’i imponojnë një marrëveshje.

Në fund, fotografia e përbashkët e tre liderëve, mund të jetë i vetmi rezultat i samitit pa kosto politike dhe pa lëshime konkrete. Trumpi do ta paraqesë atë si dëshmi të lidershipit të tij, Putini si njohje të statusit të Rusisë, ndërsa Xi si konfirmim të rolit qendror të Kinës në rendin botëror.

Tre fitues përpara kamerave, por tri interesa që nuk përputhen në tryezën e negociatave. Po të enjten në Berlin, udhëheqësit e Koalicionit të të Vullnetshmëve do të diskutojnë mënyrat për të garantuar sigurinë e Ukrainës pas një armëpushimi: mbrojtjen ajrore, furnizimet ushtarake dhe përgjigjen ndaj një sulmi të ri rus.

Siguria është e pandashme, para së gjithash në Evropë. Nuk mund të garantohet siguria e Moskës duke i mohuar Kievit të drejtën për të zgjedhur lirisht aleancat e veta./Pamfleti nga “La Stampa”

Shënim: Ettore Sequi është diplomat dhe analist italian i politikës së jashtme. Ka shërbyer si ambasador i Italisë në Shqipëri dhe si ambasador i Bashkimit Evropian në Shqipëri, si dhe ka mbajtur poste të rëndësishme në diplomacinë italiane.

3sgIgLJ.png