Lajme

Ballkani si front i ri kundër Iranit? Nga Izraeli hidhet ideja për një qendër të Mossadit në rajon

Një analizë e publikuar në The Times of Israel propozon krijimin e një qendre rajonale inteligjence në Qipro, nën drejtimin e Mossadit, për të monitoruar rrjetet e dyshuara iraniane në Ballkan. Në këtë strukturë parashikohet përfshirja edhe e shërbimeve shqiptare…

Pas shtrirjes së ndikimit në ushtri dhe politikë, Izraeli mund të tentojë të futet edhe te shërbimet inteligjente.

Një analizë e publikuar në The Times of Israel hedh idenë e krijimit të një qendre rajonale në Qipro, ku shërbimi sekret izraelit, Mossad, do të merrte rolin kryesor në koordinimin e operacioneve kundër rrjeteve të dyshuara iraniane.

Autori i analizës, Jose Lev Alvarez Gomez, një studiues amerikano-izraelit i specializuar në Politikën e Sigurisë Ndërkombëtare dhe ish-ushtarak, propozon që qendra të vendoset në Nikozia dhe të funksionojë si një mekanizëm i përhershëm për mbledhjen, analizimin dhe shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës ndërmjet Izraelit dhe vendeve të Evropës Juglindore.

Propozimi mbështetet në shqetësimet për aktivitetin e rrjeteve kriminale që dyshohet se bashkëpunojnë me strukturat iraniane dhe mund të përdoren për operacione kundër objektivave izraelite jashtë territorit të Izraelit.

Sipas tij, nevoja për një mekanizëm të tillë u bë më e dukshme pas një operacioni të përbashkët të autoriteteve greke dhe atyre të Maqedonisë së Veriut, të cilat zbuluan një plan të dyshuar për vrasjen e një drejtuesi izraelit të një kompanie që vepron në Greqi.

Hetimet çuan në arrestimin e pesë shtetasve të Maqedonisë së Veriut, katër në Shkup dhe një në Greqi. Një person tjetër dyshohet se ishte pjesë e grupit dhe mbetet në kërkim.

Grupi dyshohet se merrte udhëzime nga shtetasi iranian Edris Jahangiri Mavaneh, i lidhur me rrjetin e Naji Sharifi Zindashti, një emër që është përmendur në hetime ndërkombëtare për krim të organizuar dhe operacione të dhunshme.

Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan armë, municione, harta dhe shënime që dyshohet se lidheshin me përgatitjen e atentatit.

Autori e përdor këtë rast për të argumentuar se rrjetet e lidhura me Iranin mund të shfrytëzojnë kufijtë e shumtë, strukturat kriminale dhe mangësitë në shkëmbimin e informacionit ndërmjet vendeve të Ballkanit.

Në analizë përmendet edhe historia e pranisë iraniane në rajon, veçanërisht gjatë luftës në Bosnjë në vitet 1990, kur Teherani krijoi lidhje politike, ushtarake dhe të inteligjencës që, sipas autorit, mund të kenë lënë pas rrjete dhe kontakte të shfrytëzueshme edhe sot.

Për të përballuar këto kërcënime, Gomez propozon krijimin e strukturës së quajtur “Balkan Counter-Proxy Fusion Cell”, një qendër që do të bashkonte informacionet e disa shërbimeve kombëtare dhe do të koordinonte veprimet e tyre.

Në këtë mekanizëm, Mossadi do të kishte një rol drejtues, ndërsa vendet pjesëmarrëse do të kontribuonin me të dhëna për lëvizjet e personave të dyshuar, transaksionet financiare, komunikimet dhe lidhjet e mundshme me organizata kriminale.

Qendra do të krijonte lista të përbashkëta monitorimi dhe do të përdorte mjete teknologjike për identifikimin e modeleve të dyshimta të udhëtimeve, transfertave të parave dhe lëvizjeve në rrugët detare.

Një nga propozimet është përdorimi i inteligjencës artificiale për të analizuar informacionet që lidhen me qarkullimin ndërmjet Iranit, Turqisë dhe Ballkanit, me synimin për të identifikuar më shpejt rrjetet që mund të organizojnë sulme.

Analiza kërkon gjithashtu ekipe të përbashkëta reagimi, shkëmbim të vazhdueshëm informacioni dhe koordinim më të ngushtë për ngrirjen e pasurive, arrestimin e personave të dyshuar dhe ndërprerjen e burimeve të financimit.

Sipas autorit, Mossadi mund të ofrojë kapacitete teknike dhe përvojë operative, ndërsa shërbimet vendase do të kryenin veprimet në përputhje me kompetencat dhe legjislacionin e tyre kombëtar.

Autori sjell edhe të dhëna për praninë izraelite në Mesdheun Lindor, duke theksuar se në Qipro jetojnë rreth 20 mijë izraelitë, ndërsa mbi 10 mijë të tjerë janë zhvendosur në Greqi pas vitit 2023. Sipas shifrave që citon, gjatë viteve 2021–2024 blerësit izraelitë kanë qenë të përfshirë në 3.851 transaksione dhe kontrata pronash në Larnaka, Pafos dhe Limasol.

Ai përmend gjithashtu 54 operacione iraniane jashtë vendit gjatë periudhës 2021–2024, prej të cilave 16 dyshohet se kanë përdorur individë të lidhur me krimin e organizuar. Për Britaninë e Madhe, analiza citon të dhëna të MI5 për 25 komplote të mbështetura nga Irani që nga janari 2022. Këto shifra përdoren nga autori për të argumentuar nevojën e një mekanizmi më të fortë parandalues në Evropën Juglindore.

Në këtë plan përmenden shërbimet e inteligjencës së Greqisë, Qipros dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe përfaqësues të përzgjedhur nga Shqipëria, Serbia dhe Bullgaria. Kjo do ta vendoste edhe Shqipërinë brenda rrjetit të propozuar të shkëmbimit të informacionit, megjithëse nuk ka njoftim për një marrëveshje apo angazhim zyrtar të Tiranës.

“Mossadi duhet të krijojë një Qelizë të Përhershme Bashkimi të Kundër-Prokurës në Ballkan me seli në Nikozia. E pajisur me oficerë ndërlidhës ekspertë të specializuar nga Mossadi, EYP i Greqisë, KYP i Qipros, ANB i Maqedonisë së Veriut dhe shërbime të zgjedhura nga Shqipëria, Serbia dhe Bullgaria, kjo qendër do të transformonte koordinimin rajonal. Kjo qelizë duhet të mbajë një listë të përbashkët mbikëqyrjeje në kohë reale të mundësuesve kriminalë të lidhur me Iranin, të bashkojë të dhënat e udhëtimit, financiare dhe të komunikimit sipas protokolleve të dakorduara reciprokisht dhe të shkaktojë ndalime të koordinuara brenda orësh, jo muajsh. Shërbimet pjesëmarrëse duhet gjithashtu të rrotullojnë oficerët përmes cikleve të përbashkëta trajnimi të përqendruara në zbulimin e prokurës dhe hartëzimin e rrjetit kriminal, duke e shndërruar bashkëpunimin episodik në një aftësi gjeostrategjike të qëndrueshme”, shprehet ai.

Padyshim, kjo mbetet thjesht një analizë mediatike, por sinjalet janë se Ballkani tashmë është kthyer në shënjestër të Izraelit dhe Shqipëria është treguar më mikpritëse. Përveç kontratave qeveritare, u është hapur rruga edhe qendrave hebraike.

3sgIgLJ.png