Ministri i Punëve të Brendshme, Pance Toshkovski, ka paralajmëruar vendosjen e kamerave inteligjente trupore për ekipet e ndërhyrjes, si pjesë e një sistemi modern që synon rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në punën e policisë.
Sipas tij, këto kamera do të regjistrojnë 24/7 çdo situatë në terren, duke krijuar një pasqyrë të saktë dhe të dokumentuar të ngjarjeve. Sistemi do të ndërtohet brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe do të mundësojë komunikim dypalësh, duke siguruar evidencë të qartë për çdo ndërhyrje.
“Qëllimi është të përcaktojmë situatën faktike – nëse ka pasur dhunë, kërcënim apo provokim – dhe kjo të mbështetet në prova që vështirë mund të kundërshtohen,” theksoi ministri.
Ky projekt pritet të sjellë përfitime të dyanshme: nga njëra anë do të mbrojë qytetarët dhe viktimat, ndërsa nga ana tjetër do t’u japë mbështetje oficerëve profesionistë të policisë, duke u mundësuar atyre të dëshmojnë veprimet e tyre në përputhje me ligjin.
Autoritetet vlerësojnë se implementimi i kamerave trupore do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e besimit publik dhe në forcimin e standardeve profesionale në polici.

