Lajme

Lufta e re e Evropës: Paniku si armë, pasiguria si front!

Shkruar nga Francesca Mannocchi

Lufta nuk ka nevojë të shpallet për të hyrë në jetën tonë. Nga shkollat te aeroportet, nga supermarketet te hapësira ajrore, siguria e përditshme po shndërrohet në një objektiv të cenueshëm. Në këtë konflikt pa fronte të qarta, frika është arma, ndërsa normaliteti i shoqërive demokratike është fusha e betejës…

Dje në mëngjes, i njëjti email mbërriti në kutitë postare të rreth 6 mijë shkollave italiane. E kishte firmosur një person që prezantohej si Mikhail Andropov, kreu i një kalifati imagjinar me emrin “Vilajeti i Mizogjinistanit”. Mesazhi njoftonte për bomba të fshehura në qese plastike, të pajisura me detonatorë në distancë.

Me pak fjalë, paralajmëronte një masakër. Njësitë xheniere kontrolluan ndërtesat, kryeministrja njoftoi se nuk kishte shenja të një rreziku konkret dhe thirri në Pallatin Kixhi ministrat, shërbimet e inteligjencës dhe Agjencinë për Sigurinë Kibernetike.

Për sot ka ftuar edhe drejtuesit e opozitës. Ndërkohë, mesazhi kishte nisur të qarkullonte në grupet e komunikimit të klasave. Nëpër zyra, punonjësit kërkonin që të largoheshin më herët. Fëmijët prisnin në trotuare, me çantat ende në shpinë, ndërsa mësuesit i numëronin e rinumëronin për t’u siguruar që askush të mos mungonte. Mjaftoi një klikim për t’i marrë një vendi të tërë një paradite pune dhe mësimi. Normaliteti, kjo strukturë e padukshme që mban në këmbë jetën tonë të përditshme, u shemb brenda pak minutash.

Natën mes 1 dhe 2 nëntorit, dikush kishte depërtuar nga distanca në sistemet që kontrollojnë zinxhirin frigoriferik të supermarketeve dhe kompanive ushqimore, nga Siçilia në Friuli, nga Sardenja në Trentino.

E njëjta gjë kishte ndodhur në Francë në mesin e tetorit, ndërsa në të njëjtat orë incidente të ngjashme raportoheshin në Belgjikë, Suedi, Irlandë dhe Holandë. Përmes ndërhyrjeve nga distanca, temperatura e dhomave frigoriferike dhe ngrirësve ishte rritur, duke e bërë ushqimin

të papërdorshëm. Në mëngjes, produktet duhej të hidheshin.

Të enjten e kaluar, të paktën 18 fluturime evropiane, disa prej tyre me destinacion aeroportet Fiumiçino dhe Malpensa, morën alarme për bomba. Natën mes të martës dhe të mërkurës, banorët e Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë u zgjuan nga mesazhe që i këshillonin të kërkonin strehim, ndërsa avionët luftarakë të NATO-s ngriheshin në ajër për të interceptuar dronët që kishin hyrë në hapësirën ajrore të vendeve baltike.

Identifikimi i autorëve të këtyre email-eve dhe i atyre që kanë ndërhyrë në sistemet frigoriferike u takon prokurorive, të cilave u duhet koha e nevojshme për të përfunduar hetimet. Përgjigjja mund të çojë te individë që kërkojnë famë, te imitues, rrjete të organizuara apo struktura të një shteti armiqësor.

Por neve na takon të shtrojmë një pyetje tjetër: Çfarë gjurme lënë këto episode në ndërgjegjen kolektive dhe çfarë zbulojnë për shoqërinë mbi të cilën bien? Për shekuj me radhë, lufta ka pasur një prag të dallueshëm. Ajo niste kur dikush e shpallte ose kur një ushtri kapërcente kufirin.

Që nga ai çast, koha ndahej më dysh: përpara dhe pas. Ky prag shënonte vijën ndarëse mes paqes dhe rrezikut. Gjendja me të cilën po mësohemi të jetojmë sot është krejt tjetër, një gjendje pa prag, pa një çast të përcaktuar fillimi dhe pa një vijë të qartë që ndan sigurinë nga kërcënimi. Rreziku depërton përmes arterieve të jetës së përditshme: kutisë elektronike të një shkolle, zinxhirit frigoriferik të ushqimeve, itinerarit të një avioni civil.

Fuqia e tij matet me ndërprerjen, në rastin më të mirë, ose paralizimin, në rastin më të keq, që shkakton në jetën e zakonshme. Është një luftë që zhvillohet fillimisht në rrafshin e perceptimit, sepse pikërisht aty synon të godasë.

Në shënjestër janë siguria që e marrim si të mirëqenë dhe gjestet e zakonshme që kryejmë pa menduar: të lësh fëmijën përpara portës së shkollës, të blesh ushqime në supermarket, të hipësh në një avion pa e përfytyruar se udhëtimi mund të kthehet në një skenar emergjence.

Fakti që bomba nuk ekziston, nuk e zhbën efektin e operacionit. Sapo mbillet, frika shndërrohet në lëndë politike dhe fillon të peshojë mbi vendimmarrjen kolektive po aq sa një dëmtim real.

Kush e ka përjetuar luftën e njeh mirë gjendjen shpirtërore që i paraprin asaj, bindjen kokëfortë se rreziku i përket gjithmonë një vendi tjetër, se pamjet e strehimoreve dhe sirenave kanë të bëjnë me jetën e të tjerëve, deri në ditën kur sirenat bien poshtë dritares sonë. Derisa të mbërrijë, nuk duam që ta besojmë.

Në Kiev, gjatë dimrit të vitit 2022, shumë njerëz vazhdonin të bënin plane për pranverën, ndërsa divizionet ruse grumbulloheshin përtej kufirit. Mosbesimi është një mekanizëm mbrojtës i psikikës njerëzore, por njëkohësisht edhe porta përmes së cilës lufta depërton në jetët tona.

Ç’orientimi që përjetuam dje i përket së njëjtës familje ndjenjash: bindjes se ajo që po ndodh,

 nuk mund të na prekë dhe, njëkohësisht, vetëdijes së ngadaltë, pothuajse të heshtur, se në të vërtetë na ka prekur tashmë. Nuk mund të jetë mes nesh, e megjithatë është këtu.

Pikërisht në këtë hapësirë të mjegullt vepron lufta hibride. Ajo ka nevojë më shumë për një vullnet sesa për një ushtri dhe këtë vullnet mund ta vërë në jetë kushdo, madje edhe një individ që kërkon të tërheqë vëmendjen dhe përsërit të njëjtat veprime pa e njohur domosdoshmërisht planin e përgjithshëm.

Prandaj, identiteti i autorit material ka rëndësi për drejtësinë penale, por shumë më pak për të kuptuar përmasat e fenomenit. Ajo që ka rëndësi është objektivi, krisja e bindjes se stabiliteti ynë është i përhershëm dhe se siguria jonë mund të merret si e mirëqenë.

Ndjesia se lufta është tashmë mes nesh, mbërrin shumë përpara pamjeve me të cilat jemi mësuar ta njohim atë. Për një qytetar italian, dronët që avionët luftarakë të NATO-s ndoqën natën e kaluar në qiellin e Letonisë dhe Lituanisë mbeten një lajm i largët.
E njëjta gjë vlen për hijen e mobilizimit ushtarak apo kujtimin e kolonës së tankeve që në vitin 2022 përparonte drejt Kievit. Ajo që na prek drejtpërdrejt, është zbulimi se siguria mbi të cilën kemi ngritur ndërtesën e jetës sonë të përditshme mund të çmontohet nga larg, edhe pa u shkrepur asnjë plumb.

Kjo siguri ka një histori të shkurtër. Evropa nisi ta ndërtonte mbi rrënojat e shekullit XX, kur e mbështeti bashkëjetesën e saj mbi premtimin se lufta do të mbetej jashtë kufijve të kontinentit. Për dekada me radhë, besoi se ky premtim ishte shndërruar në realitet.

Por lufta hibride, po e vë në pikëpyetje pikërisht këtë ide të sigurisë. Ajo po na tregon se një shtet mund të ruajë me vigjilencë kufijtë e tij, e megjithatë, të zbulojë se është i pambrojtur përpara portës së një shkolle.

Ajo po na kujton se e tashmja kërkon të rishikojmë kategoritë me të cilat kemi ndarë luftën nga paqja, dhe të pranojmë se mes tyre është hapur një hapësirë e ndërmjetme, ku tashmë jetojmë.

Ingeborg Bachmann e kishte nuhatur këtë zonë të ndërmjetme plot 70 vjet më parë.

Në vitin 1953 botoi përmbledhjen poetike “Koha e shtyrë”  dhe në një prej poezive të saj, “Çdo ditë”, shkruante se lufta nuk shpallet më, por vazhdon, dhe se e padëgjuara është bërë e përditshme.

Bachmann vështronte paqen e pasluftës dhe dallonte vazhdimësinë e dhunës në trajta të reja. Një dhunë të ngulitur në institucione, në gjuhë, por edhe në marrëdhëniet mes njerëzve. Lufta që vazhdon, sipas saj, nuk ka nevojë të shpallet dhe as të ketë një vijë ndarëse mes së shkuarës dhe së ardhmes.

Ajo është zhvendosur brenda jetës së zakonshme dhe ka përvetësuar ritmin e saj. E tashmja po na dëshmon se ky është tipari më i thellë i luftës që po përjetojmë. Askush nuk e shpall, por ajo vazhdon ditë pas dite, alarm pas alarmi.

Pasojat e saj grumbullohen në lodhjen kolektive dhe në gërryerjen e ngadaltë të besimit. Ka shumë të ngjarë që ç’orientimi i përjetuar dje në mëngjes të thellohet më tej. Dhe duhet marrë seriozisht, sepse na detyron të bëjmë një zgjedhje që deri pak kohë më parë mund ta shtynim pa pasoja të dukshme.

Përballë frikës ekzistojnë dy përgjigje të mundshme. E para është tërheqja. Ajo thotë se po paguajmë çmimin e kësaj paqëndrueshmërie për një luftë që nuk na përket; se mjaft më me Ukrainën; se është më mirë të mos provokojmë ata që mund të kërcënojnë qetësinë tonë; se kopshti ynë mund të mbrohet duke qëndruar larg zjarrit.

Është një përgjigje e kuptueshme, sepse premton të na rikthejë pragun e humbur dhe të rivizatojë një kufi përtej të cilit rreziku mbetet çështje e të tjerëve. Por është edhe përgjigjja që çdo operacion i luftës së perceptuar, pavarësisht se kush qëndron pas tij, ka interes të nxisë.

Një alarm i rremë, e arrin objektivin e vet politik kur e shndërron frikën e një nëne përpara shkollës së fëmijës në një kërkesë për tërheqje dhe mospërfshirje.
Përgjigjja e dytë, kërkon të mos e shmangim vështrimin nga e tashmja, por të përballemi me të ashtu siç është. Ajo nis nga vetëdija se pragu i humbur nuk mund të gjendet duke u tërhequr, sepse lufta e perceptuar prek njësoj si ata që ekspozohen, ashtu edhe ata që mbyllen në vetvete. Asnjë distancë e shpallur, nuk mjafton për ta mbajtur atë jashtë shtëpisë. Kjo përgjigje, kërkon t’i japim kësaj gjendjeje emrin e saj dhe të pranojmë të mbajmë mbi supe peshën e saj. Ky emër është lufta hibride, një luftë që mbërrin edhe pa tanke, edhe pa të shtëna, edhe pa mbajtur firmën e askujt.

Ta njohësh si të tillë, e ndryshon mënyrën se si gjykohen zgjedhjet e politikës së jashtme, sepse

i çliron ato nga shantazhi i qetësisë shtëpiake. Një demokraci që i mat angazhimet e saj ndërkombëtare me shkallën e shqetësimit të qytetarëve të vet, ia ka dorëzuar tashmë atij që prodhon këtë shqetësim pushtetin për të orientuar vendimet. / La Stampa/

3sgIgLJ.png