Lajme

Sulmet ndaj SHBA nga protesta e Tiranës: Vëllazëria Muslimane shqiptarë në kërkim të kalifatit

Pas një muaji protestash paqësore, organizimi kalon nga OJF-të proeuropiane te erdoganistët; përplasja me ambasadën Amerikane dhe protesta kombëtare e shpallur pikërisht më 4 korrik. Rama, që i ka hapur dyert Islamit Politik dhe ka pranuar donacione nga Katari e Turqia, tani përballet me një lëvizje që synon të spostojë orientimin identitar të Shqipërisë...

Protestat qytetare thuajse njëmujore në Shqipëri kanë mbjellë një faktor fantastik qytetar, kanë sjellë një fenomen që Shqipëria nuk e ka parë asnjëherë, atë të protestës paqësore, civile dhe padyshim vendosmërinë për të kundërshtuar kastën e vjetër politike.

Por në këtë protestë u vërtetua se një faktor i rëndësishëm, me gjasë edhe determinant në mbështetjen e saj, kryesisht në aspektin financiar e logjistik, ka qenë segmenti apo fronti i islamit politik, i cili ka prapa dorën e fortë të Turqisë.

Ky segment, të paktën deri para pak ditësh, edhe pse ka pasur njerëzit e tij brenda protestës, edhe pse ka qenë me peshë në organizim, nuk ka dalë hapur të japë të kuptojë se është nyja themelore e saj.

Me evidentimin si kokë politike të Dritan Goxhajt, i cili është profilizuar si një antiperëndimor, kishte një lëvizje, le ta quajmë trullosëse, të paktën për opinionin.

Së cilës Edi Rama dhe mazhoranca iu hodhën sipër të eksituar, a thua se zbuluan Amerikën, në mënyrë jo korrekte, por edhe politikisht diletante.

Nga kjo lëvizje e Edi Ramës, njerëzit që e organizojnë protestën duhet të ndiheshin mirë, e qetësisht të vijonin axhendën e tyre, madje edhe duke e avancuar e korrigjuar edhe më shumë qoftë objektivin politik, por edhe grupin përfaqësues.

Por në realitet, pas nxjerrjes së një personazhi të spikatur antiperëndimor, në kulmin e protestës u krijua një përplasje me ambasadën Amerikane në Tiranë. E panevojshme, pa shkak, e stisur, por dukshëm e orientuar. Pas kësaj ndodhi hapi tjetër, kur u tha se protesta e radhës me pjesëmarrjen e diasporës do të mbahet më 4 korrik. Ditën Kombëtare të SHBA-së.

4 korriku është e shtunë, organizatorët nuk kishin asnjë problem për ta caktuar të premte, apo të dielë. Por e kanë me qëllim të menduar e kanë zgjedhur atë ditë.

Që do të thotë se do të kemi një protestë antiamerikane, jo si rastësi, por si qëllim, i cili tregohet pikërisht në shpalljen e lidershipit organizator e mbështetës, pasi është spostuar qartësisht konteksti laik, majtist, sorosian dhe proeuropian i revoltave.

Në ditët e para të protestës, organizimin e fjalimeve dhe personazheve i bënte një ekip i OJF-ve që mbështeteshin nga vendet e BE-së, ndërsa aktualisht revanshin e kanë marrë plotësisht erdoganistët. Posaçërisht pas incidentit në ambasadën e Izraelit në Tiranë.

Jemi para një skenari të një pranvere arabe në Tiranë, ku fryma e “Vëllazërisë Myslimane”, posaçërisht nëna e Islamit Politik, ka marrë në dorë lëvizjen e re në Shqipëri. Pavarësisht se po sjell kërkesat që tashmë prej vitesh i shtron Sali Berisha, forma është më e rëndësishme se përmbajtja.

Nuk ka dyshim që për këtë revansh të Islamit Politik në Shqipëri, fajtori më i madh është Edi Rama, i cili jo vetëm i ka llastuar, por i ka hapur dyert e pushtetit dhe Partisë Socialiste, ka pranuar në shumë fushata donacionet e mëdha që vijnë nga Katari dhe Turqia, por edhe ka kandiduar personazhet e propozuara nga Islami Politik. Që në administratën qendrore deri në pushtetin vendor. Personazhe që e cilësojnë Edi Ramën një autokrat në panik, ndërkohë që Erdoganin, që po bombardon ditë për ditë opozitën pasi e ka futur në burg kryetarin, e quajnë lider vizionar.

Synimi i këtij segmenti, që ka një peshë të madhe në protestë, është legjitimimi i kalifatit, legacy-së osmane dhe kundërshtimit të orientimit identitar të Shqipërisë. Shihet fare qartë, pasi mbështetës të mëdhenj të kësaj pjese janë personazhe si Olsi Jazexhi, që i quan rilindasit agjentë të Perëndimit, e më pas mërzitet kur Edi Rama e quan agjent të Iranit. Që realisht ai jo vetëm nuk e fsheh, por tregohet krenar dhe entuziast./Pamfleti

3sgIgLJ.png