Shkruar nga Mark Hollingsworth
Në vitin 2019 u zgjodh si heroi i antikorrupsionit, por tani akuzat për përfitime lufte, kapje shteti dhe drejtësi të blerë po e rrethojnë nga të gjitha anët. Ndërsa hetimet zbulojnë lidhje shqetësuese me ish-biznespartnerët dhe këshilltarët e tij më të ngushtë, Perëndimi po e humb durimin. Pyetja nuk është më nëse korrupsioni ekziston, por nëse Zelensky do të mund të mbijetojë politikisht kur të dalin në dritë të gjitha provat…
Në një apartament modest në Kiev, disa biznesmenë me lidhje të fuqishme po diskutojnë marrëveshje me politikanët më me ndikim të Ukrainës. Ata nuk e dinë që hetuesit antikorrupsion po i përdëgjojnë përmes një mikrofoni të fshehur.
Përmbajtja e mbi një mijë orëve bisedë është tronditëse. Ajo zbulon se si rrethi i ngushtë i presidentit Zelensky po përfiton masivisht nga lufta. Në një rast, kompania shtetërore Energoatom i detyronte kontraktorët të paguanin 10-15 pëe qind komision të paligjshëm, përndryshe kontratat u anuloheshin.
Regjistrimet u bënë nga Byroja Kombëtare Antikorrupsion (NABU) dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar (SAPO) në kuadër të “Operacionit Midas”, një hetim 15-mujor i nisur në 2024. NABU i publikon zbulimet si episode të një serie thrilleri dhe u ka vënë të dyshuarve pseudonime si Kirurgu, Profesori, Raketa dhe Çe Gevara.
Vetëm një pjesë e transkripteve është publikuar deri tani. Por 9 të dyshuarit e përmendur janë njerëz shumë të afërt të Zelensky-t: ish-këshilltari kryesor Andriy Yermak, ish-ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov, ish-zëvendëskryeministri Oleksii Chernyshov dhe Tymur Mindich, pronari i apartamentit dhe ish-partneri në biznes i presidentit ukrainas.
Deri tani janë kryer 70 bastisje, ku janë sekuestruar 4 milionë dollarë, qindra dokumente dhe telefona. Vetëm dy të dyshuar po ndiqen në gjendje të lirë në këmbim të garancisë pasurore. “Kjo është thellësisht e pafalshme. Ato janë paratë e popullit, që duhet të shkonin në vijën e frontit”, deklaroi Kaja Kallas e BE-së.
Vetë Zelensky reagoi duke premtuar pastrimin e sektorit energjetik, por çdo përpjekje për t’u distancuar nga skandali ka dështuar. Në korrik, qytetarët dolën në rrugë me pankarta, pasi parlamenti votoi t’i hiqte pavarësinë NABU-së. Kjo lëvizje u pa si një përpjekje për të mbyllur gojën hetuesve.
Protestat u rishfaqën kur Zelensky shkarkoi Ministrin popullor të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, i cili kishte luftuar korrupsionin duke bërë transparencë mbi blerjen e armëve.
Deputeti Yaroslav Zhelezniak ka thënë se zotëron më shumë prova dhe do të publikojë regjistrime të tjera. Sondazhet tregojnë se 67 për qind e ukrainasve e mbështesin ende Zelensky-n, por 84 për qind e tyre besojnë se mashtrimi dhe ryshfeti janë të përhapura në qeveri.
Këtë vit, 54 për qind e ukrainasve e shohin korrupsionin si kërcënimin më të madh – krahasuar me 39 për qind që e konsiderojnë luftën. Ndërkohë, skandali kërcënon të destabilizojë Ukrainën në një moment shumë kritik.
Dronët ukrainas i kanë dhënë vendit një avantazh strategjik dhe diplomacia e Zelensky-t po jep fryte në Uashington. Por ai u zgjodh në viti 2019 si kandidati antikorrupsion, si komediani që paraqitej si i jashtmi ndaj sistemit. Në skenën ndërkombëtare, ai është lavdëruar si një hero i demokracisë.
Pikërisht kjo e bën atë të cenueshëm ndaj akuzave për hipokrizi. Ndërsa s’ka ende prova që e përfshijnë drejtpërdrejt Zelenskyn, disa ish-partnerë në biznes dhe anëtarë të partisë së tij i kanë shpëtuar akuzave duke u larguar jashtë vendit – gjë që ka nxitur dyshime se janë paralajmëruar nga brenda.
Njëri prej tyre është Tymur Mindich, pronari i apartamentit të përgjuar. Ish-partneri në biznes i Zelenskyt është protagonisti i “Operacionit Midas”, që në Ukrainë njihet edhe si “Kaseta e Mindich”.
Ai u arratis në Izrael pak para se të akuzohej se kishte organizuar një skemë 100 milionëdollarëshe, duke devijuar fondet e infrastrukturës energjetike drejt komisioneve për zyrtarët e korruptuar. Ai loboi për kontrata ushtarake për kompaninë e tij “Firepoint”.
Ukraina kërkon ekstradimin e tij, ndërsa ai ka paditur ish-mikun e tij, presidentin ukrainas. Një figure tjetër qendrore është Andriy Yermak, ish-kreu i stafit të Zelenskyt, i konsideruar dikur si njeriu i dytë më i fuqishëm i vendit. “Praktikisht, ishte ai që e drejtonte Ukrainën”, më tha një biznesmen ukrainas.
Me nofkën “Kirurgu”, Yermak është arrestuar dhe ka lënë garanci 2.3 milionë paundësh. Ai i hedh poshtë akuzat si “të pabazuara në prova”. Por përgjimi më i bujshëm është një bisedë midis Mindich dhe Natalia-s, e cila mbikëqyr ndërtimin e katër vilave luksoze pranë Kievit, me para që vijnë si pasojë e abuzimeve me fondet shtetërore.
Një vilë ishte për Mindich, një për Yermak, një për Chernyshov. Natalia thotë në përgjim se punimet e brendshme të shtëpisë së “Andriy-t”, kanë përfunduar dhe se një gardh ndan vilën e Mindich nga ajo e “Vova-s” – një shkurtesë që shumë e lidhin me Zelenskyn.
Vetë Zelensky mohon çdo dijeni mbi këto fakte dhe kërkon burgim për zyrtarët e korruptuar. Shpjegimi më i besueshëm është se presidenti ka treguar gjykim të dobët në zgjedhjen e bashkëpunëtorëve. Ai trashëgoi një korrupsion endemik, me ryshfet të institucionalizuar dhe oligarkë që grabisnin shtetin.
Vetë ekzistenca e NABU-së, liria e medias dhe protestat dëshmojnë angazhimin për transparencë. Por akuzat ndaj miqve të tij e bëjnë të vështirë distancimin. Skandali i Bankës Sense e ndërlikon edhe më tej situatën e tij.
Kjo bankë, me asete 2.3 miliardë paund, ishte në pronësi të oligarkëve rusë Fridman dhe Aven. Pas pushtimit, u sanksionua dhe u shtetëzua për një hryvnia (monedha kombëare ukrainase) në vitin 2023.
“Kaseta e Mindich”, zbulon se Oleksandr Tsukerman luajti rol kyç në emërimin e bordit të ri. Një “vëzhgues” nga zyra e presidentit i diktoi emrat: 6 nga 9 anëtarët duhej të ishin “tanët”. Një muaj më vonë, qeveria i emëroi ata. Kryetari i bankës u vetëpezullua.
“Duket se Banka Sense është kapur nga rrjete kriminale vendase”, më tha një analist vendas. Edhe Tsukerman u arratis në Izrael. Ish-kreu i Bankës Kombëtare, Kyrylo Shevchenko, shkroi se “ky nuk është skandal për emra, por për një bankë me rëndësi sistematike dhe se kush kontrollon institucionet financiare gjatë luftës”.
Ai e përshkroi mandatin e tij si të ndikuar nga “ndërhyrje” politike në lidhje me emërimet. Përfshirja e Yermak në procesin e shtetëzimit është problematike. Shteti e mori bankën sipas një ligji që lejonte nacionalizimin nëse aksionerët ishin të sanksionuar.
Por Banka Kombëtare e kishte deklaruar bankën joproblematike. Megjithatë, tre aksionerë të tërthortë ishin të sanksionuar, kështu që banka u shpall e falimentuar dhe u shtetëzua. ABH Holdings ngriti padi 1 miliard dollarësh kundër Ukrainës në arbitrazhin e Bankës Botërore, duke akuzuar se njerëz afër Zelenskyt përdorën taktika korruptive për të shtënë në dorë bankën.
Nëse ABH fiton gjyqin, paralajmërojnë studiuesit, mund të hapet një “kuti e Pandorës” ku oligarkët të përdorin luftën ligjore kundër Ukrainës. Zelensky deklaroi se banka “duhet të privatizohet”, por kjo nuk ka ndodhur.
Qeveria kërkon seanca të fshehta, por ABH refuzon. Nëse Ukraina humb, dëmshpërblimi mund të jetë qindra miliona paund – një goditje shumë e fortë për buxhetin e luftës. Por rëndësia e këtyre çështjeve është më e thellë. Aseti më i madh strategjik i Ukrainës nuk është forca ushtarake, por qartësia morale e kauzës së saj: një demokraci e bazuar në sundimin e ligjit, e denjë për t’u mbrojtur kundër tiranisë.
Por korrupsioni është pika e dobët fatale e Ukrainës. Nëse Zelensky nuk e shkul këtë kancer nga zemra e shtetit, Perëndimi do ta ketë gjithnjë e më e vështirë të mbrojë dhe të mbështesë financiarisht Ukrainën./“Unherd”

