Shqipëria nuk është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që përballet me sfidën e pastrimit të parave…
Tirana është një kryeqytet dinamik, i karakterizuar nga arkitektura moderne, më shumë se 300 ditë me diell në vit dhe pothuajse 40 mijë apartamente të pabanuara, sipas të dhënave më të fundit të regjistrimit të popullsisë në Shqipëri.
Prej vitesh në Ballkan qarkullojnë akuza se paratë me origjinë kriminale po ushqejnë bumin e ndërtimeve. Megjithatë, në Shqipëri, pavarësisht numrit të lartë të pronave të pabanuara, perceptimi mbi pastrimin e parave duket se nuk përputhet gjithmonë me përmasat dhe pasojat e fenomenit.
“Pastrimi i parave nuk shihet si diçka negative”, thotë Dardan Koçani nga Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GI-TOC). Sipas tij, një pjesë e njerëzve mendojnë se paratë me origjinë të paligjshme, kur investohen në apartamente, hotele luksoze apo projekte të tjera, sjellin kapital në ekonomi.
Shqipëria nuk është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që përballet me sfidën e pastrimit të parave. Një problem i përbashkët për vendet e rajonit mbetet zbatimi i dobët dhe mbështetja e pamjaftueshme institucionale për masat kundër këtij fenomeni.
Sipas raportit “Licencë për pastrim parash”, të hartuar nga Koçani dhe Anesa Agovic Djozo, analiste e lartë dhe koordinatore në terren për Bosnjë-Hercegovinën, profesionistët e sektorëve ligjorë dhe financiarë mund të luajnë një rol vendimtar në lëvizjen dhe legjitimimin e parave të përfituara në mënyrë të paligjshme, duke shfrytëzuar boshllëqet ligjore dhe dobësitë në zbatimin e rregullave.
Raporti, me nëntitullin “Mundësuesit profesionalë dhe arkitektura e financimit të paligjshëm në Ballkanin Perëndimor”, analizon zbatimin jo të njëtrajtshëm të legjislacionit kundër pastrimit të parave në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi. Ndër problemet kryesore renditen raportimi i pamjaftueshëm i transaksioneve të dyshimta nga profesionistët, mungesa e personelit mbikëqyrës të trajnuar dhe bashkëpunimi i kufizuar ndërmjet sektorit privat dhe institucioneve shtetërore.
“Noterët, kontabilistët dhe avokatët janë mundësuesit në shumë raste, sepse nuk mund të blesh një apartament ose të hapësh një kompani pa një kontabilist, avokat e kështu me radhë”, thotë Agovic Djozo.
Në një raport tjetër të publikuar në korrik 2025, ajo evidentonte se tregjet kriminale gjenerojnë të ardhura të paligjshme nga trafikimi i drogës, armëve dhe qenieve njerëzore, kontrabanda e migrantëve dhe evazioni fiskal, ndërsa profesionistë si avokatët, noterët dhe kontabilistët mund të ndihmojnë në realizimin e skemave të pastrimit të parave.
Pastrimi i parave nuk lidhet vetëm me investimet në pasuri të paluajtshme. Ai është një mekanizëm thelbësor për funksionimin dhe financimin e krimit të organizuar. Të ardhurat e siguruara nga aktivitete kriminale mund të “pastrohen” dhe më pas të investohen në biznese të ligjshme ose të paligjshme, duke e bërë më të vështirë për autoritetet tatimore dhe organet ligjzbatuese të gjurmojnë origjinën e tyre.
Raporti i cilëson si “mundësues profesionistë” personat që, përmes njohurive dhe kompetencave të tyre, mund t’u japin transaksioneve me para të paligjshme një pamje legjitime. Në disa raste, këto fonde kanalizohen drejt pasurive të paluajtshme dhe sektorit të ndërtimit përmes kompanive fiktive.
“Në të gjithë Ballkanin Perëndimor, paratë e paligjshme rrallë lëvizin vetë. Ato kalojnë përmes kontratave të noterizuara, akteve të pronësisë, marrëveshjeve të kredisë, faturave dhe pasqyrave financiare të audituara,dokumente që kërkojnë që dikush me licencë t’i nënshkruajë, certifikojë ose vulosë përpara se të paraqiten si të ligjshme”, thuhet në raportin e GI-TOC.
Sipas raportit, profesionistët mund të formojnë rrjete joformale, të cilat, ndonëse të fragmentuara, janë në gjendje të bashkëpunojnë ngushtë. Rregullat që garantojnë konfidencialitetin profesional mund të krijojnë gjithashtu hapësira që keqpërdoren për veprimtari të paligjshme.
“Pastrimi i parave dhe krimi i organizuar në përgjithësi nuk njohin kufij”, thekson Agovic Djozo.
Një tjetër dobësi strukturore që lehtëson pastrimin e parave në Ballkanin Perëndimor është niveli i lartë i ekonomisë informale, sipas Koçanit, i cili më parë ka punuar për nëntë vjet në Ministrinë e Brendshme të Kosovës në fushat e planifikimit strategjik, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Ekonomia informale ka mbetur në nivele të larta në pjesën më të madhe të rajonit prej dekadash. Sipas një vlerësimi të Bankës Botërore të cituar në material, ajo përbën më shumë se 30 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të rajonit, krahasuar me një mesatare prej 23 për qind në Bashkimin Evropian.
Më shumë se dy miliardë njerëz në mbarë botën punojnë në ekonominë informale. Sipas Task-Forcës së Veprimit Financiar (FATF), varësia e lartë nga pagesat me para në dorë dhe dobësitë e institucioneve mbikëqyrëse mund t’i bëjnë ekonomi të tilla më të ekspozuara ndaj pastrimit të parave dhe veprimtarive kriminale. FATF është organi ndërkombëtar që përcakton standardet për luftën kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe flukseve të tjera financiare të paligjshme.
Megjithatë, informaliteti nuk është faktori i vetëm që e ndërlikon luftën kundër pastrimit të parave në Ballkan. Duke iu referuar perceptimit se investimi në apartamente dhe hotele sjell përfitime ekonomike pavarësisht origjinës së kapitalit, Koçani thotë se dëmi i shkaktuar nga ky fenomen shpesh nuk kuptohet sa duhet.
Sipas Agovic Djozo, një prej boshllëqeve më të mëdha në luftën kundër pastrimit të parave mbeten hetimet e dobëta financiare dhe çështjet që nuk përfundojnë me rezultate të plota gjyqësore.
“Dënimet për pastrim parash nuk janë të mjaftueshme. Pra, çfarë mesazhi po u dërgojmë kriminelëve? Se edhe kur dënohen për pastrim parash, dënimet nuk janë të larta?”, shprehet ajo.
Sipas Koçanit, shumë vende të Ballkanit Perëndimor i kanë përafruar ligjet e tyre me standardet kryesore ndërkombëtare. Problemi kryesor, sipas tij, nuk qëndron domosdoshmërisht te mungesa e legjislacionit apo e rregulloreve, por te mënyra se si ato zbatohen në praktikë.
FATF publikon të ashtuquajturën “listë gri”, zyrtarisht “Juridiksione nën monitorim të shtuar”, ku përfshihen vendet që kanë mangësi strategjike në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, por që bashkëpunojnë me organizatën për adresimin e tyre. Organizata mban gjithashtu një “listë të zezë” më të kufizuar për juridiksionet që konsiderohen me rrezik të lartë.
Përfshirja në listën gri mund të sjellë pasoja ekonomike, përfshirë uljen e investimeve të huaja dhe rritjen e kostove të huamarrjes, sipas Institutit të Bazelit për Qeverisje.
Një ditë pas publikimit të raportit “Licencë për pastrim parash”, Bosnjë-Hercegovina u përfshi në listën gri për herë të dytë në më pak se një dekadë, pavarësisht ekzistencës së legjislacionit për luftën kundër pastrimit të parave.
Bosnjë-Hercegovina ishte përfshirë për herë të parë në këtë listë në vitin 2015, për shkak të mangësive në kuadrin për parandalimin e pastrimit të parave. Pas miratimit të një sërë ndryshimesh ligjore, vendi u hoq nga lista tre vjet më vonë.
Rikthimi në listën gri nënkupton një mbikëqyrje më të rreptë dhe mund të komplikojë përpjekjet e Bosnjë-Hercegovinës për t’iu bashkuar Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), mekanizëm që lehtëson pagesat elektronike ndërkufitare në Evropë.
Bullgaria dhe Monako përmenden si vendet e tjera evropiane të përfshira në listë, ndërsa Kroacia, anëtare e Bashkimit Evropian, ishte vendosur në të në vitin 2023 dhe u hoq në vitin 2025, pasi FATF vlerësoi se kishte bërë “përparim të rëndësishëm” në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit./ “Transitions”

