Pikërisht këtu reforma e re bëhet veçanërisht interesante për Shkupin: ajo hap mundësinë që bllokadat në fazat e ndërmjetme të zvogëlohen, por nuk e eliminon veton në fund të procesit. Për më tepër, propozimi për vendimmarrje me shumicë të kualifikuar duhet të marrë mbështetjen e vetë vendeve anëtare
Xhenur ISENI
Shkup, 7 tetor – Vetoja që për vite me radhë ka qenë një nga pengesat më të mëdha politike në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian mund të humbasë një pjesë të fuqisë së saj. Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, prezantoi reformën e re të zgjerimit, të përmbledhur në dokumentin “Përgatitja për një Evropë më të gjerë”, duke propozuar që hapja e klasterëve negociues dhe disa hapa të ndërmjetëm të mos varen më nga unanimiteti i të gjitha vendeve anëtare, por nga votimi me shumicë të kualifikuar, shkruan gazeta KOHA.
Për Maqedoninë e Veriut, e cila prej vitesh e ndjen drejtpërdrejt peshën e mosmarrëveshjeve bilaterale në rrugën drejt BE-së, ky propozim mund të ketë rëndësi të veçantë. Megjithatë, ndryshimi nuk nënkupton zhdukjen e plotë të vetos: për vendimin përfundimtar për pranimin e një shteti të ri në Union do të vazhdojë të kërkohet unanimitet. Duke prezantuar strategjinë, Kos propozoi që Këshilli i BE-së të pajtohet për përdorimin e shumicës së kualifikuar gjatë hapjes së klasterëve negociues dhe në hapa të tjerë të ndërmjetëm të procesit të anëtarësimit.
Në të njëjtën kohë, Këshillit i rekomandohet të shfrytëzojë më mirë mekanizmat ekzistues për përshpejtimin e vendimmarrjes dhe shmangien e bllokadave. Mesazhi është se zgjerimi mbetet i mundshëm, por Brukseli kërkon ta bëjë procesin më funksional dhe më pak të cenueshëm nga bllokadat në secilën fazë të negociatave.
INTEGRIM GRADUAL, POR JO ZËVENDËSIM I ANËTARËSIMIT
Një nga elementet kryesore të qasjes së re është edhe integrimi gradual i vendeve kandidate. Ato mund të përfshihen hap pas hapi në tregun e përbashkët dhe në politika të tjera të Unionit edhe përpara anëtarësimit të plotë. Kos, megjithatë, theksoi se integrimi gradual nuk duhet të shihet si alternativë ndaj anëtarësimit. Për avancimin e vendeve kandidate parashihen dy shtylla të rëndësishme: përparimi real në reforma dhe harmonizimi me objektivat dhe politikat strategjike të Bashkimit Evropian. Procesi nuk do të funksionojë vetëm në një drejtim.
Për vendet që shënojnë regres në sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut apo në respektimin e parimeve themelore të Unionit, parashihen mekanizma më të fuqishëm mbrojtës dhe masa ndëshkuese.
Mes mundësive të përmendura janë kufizimi i mbështetjes financiare, masa lidhur me të drejtat e votimit, si dhe mekanizma që do të pengonin shtetet e reja anëtare të përdorin veton për bllokimin e kandidatëve të tjerë. Kjo e bën reformën një përpjekje për të balancuar dy shqetësime: t’u hapet më shumë hapësirë vendeve që përmbushin detyrimet, por njëkohësisht të sigurohet që zgjerimi të mos dobësojë funksionimin e vetë Unionit. Kos theksoi se synimi nuk është krijimi i një “Evrope me dy shpejtësi”, por pranimi i vendeve në të cilat sundimi i ligjit funksionon plotësisht.
MAQEDONIA JASHTË GRUPIT MË TË AVANCUAR
Komisionerja paralajmëroi se më 29 tetor do të prezantohen udhërrëfyesit për katër vendet më të avancuara në procesin e integrimit. Maqedonia e Veriut nuk bën pjesë në këtë grup, ndërsa pengesa kryesore mbetet mosplotësimi i kushtit për ndryshimet kushtetuese. Dokumenti i ri kërkon nga vendet e përfshira në procesin e zgjerimit institucione demokratike funksionale, gjyqësor të pavarur dhe efikas, luftë konkrete kundër korrupsionit, respektim të të drejtave themelore dhe të pakicave, si dhe mbrojtje të lirisë dhe pluralizmit të mediave.
Reformat, sipas qasjes së re, nuk duhet të mbeten vetëm në letër. Nga vendet kandidate kërkohen rezultate të matshme dhe të besueshme. Pikërisht këtu reforma e re bëhet veçanërisht interesante për Shkupin: ajo hap mundësinë që bllokadat në fazat e ndërmjetme të zvogëlohen, por nuk e eliminon veton në fund të procesit. Për më tepër, propozimi për vendimmarrje me shumicë të kualifikuar duhet të marrë mbështetjen e vetë vendeve anëtare.
PROBLEMI NUK JANË VETËM NDRYSHIMET KUSHTETUESE
Ndërkohë, lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, pretendon se ngecja e integrimit evropian nuk lidhet vetëm me mosrealizimin e ndryshimeve kushtetuese. Në një intervistë për emisionin “Direktno” në TV Telma, ai akuzoi kryeministrin Hristijan Mickoski se nuk dëshiron avancimin e procesit edhe për shkak të mundësisë së bashkëpunimit me Prokurorinë Publike Evropiane. “Është plotësisht e qartë se Hristijan Mickoski nuk dëshiron në Evropë për shkak të Prokurorisë Evropiane dhe jo vetëm për shkak të ndryshimeve kushtetuese. Ndoshta edhe për shkak se më në fund duhet të hapen dosjet e UDBA-së”, deklaroi Filipçe.
Këto janë pretendime politike të kreut të opozitës, i cili argumenton se vazhdimi i rrugës evropiane duhet të nënkuptojë edhe institucione më të pavarura dhe mundësi për përfshirje më të madhe të mekanizmave evropianë në luftën kundër korrupsionit.
Filipçe tha se bashkëpunimi me Prokurorinë Evropiane është pjesë edhe e të ashtuquajturit “Master Plan” të LSDM-së, së bashku me rishikimin e rasteve që kanë shkaktuar dyshime dhe mosbesim në opinion. “Gjëja e parë e Master Planit është vazhdimi i rrugës evropiane. Qytetarët duhet ta dinë se ne konsiderojmë, ashtu siç konsideron shumica e madhe e qytetarëve, se nuk kemi alternativë tjetër përveç Evropës. Pastaj vjen nevoja për drejtësi, dy ligje të posaçme, një për bashkëpunim me Prokurorinë Evropiane dhe rishikim të rasteve që krijojnë shqetësim në shoqëri”, deklaroi Filipçe.
NGA TAKIMI ME SOFJEN NUK DUHET PRITUR MENJËHERË KTHESË
Në prag të kontakteve të reja ndërmjet Shkupit dhe Sofjes, politologu Toni Popovski vlerëson se sinjalet nga pala bullgare tregojnë gatishmëri për dialog, por jo për rihapjen e kornizës tashmë të përcaktuar. Sipas tij, Sofja i qaset takimit si një “dialog i rregullt”, ndërsa sinjalizon gatishmëri për bisedime “pa ultimatume”, por njëkohësisht pa hequr dorë nga ajo që e konsideron politikë tashmë të përcaktuar evropiane. Për këtë arsye, Popovski nuk pret që takimi të sjellë harmonizim të menjëhershëm të pozicioneve themelore, veçanërisht për çështjen e ndryshimeve kushtetuese. Ai rikujton se marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe zbatimi i marrëveshjeve me fqinjët mbeten pjesë e procesit të anëtarësimit.
Në këtë kontekst, sipas Popovskit, prania e një përfaqësuesi të BE-së në bisedimet Shkup–Sofje mund të jetë e dobishme, por më shumë në rolin e lehtësuesit të dialogut sesa të një ndërmjetësuesi klasik që do të rinegocionte kushtet e përcaktuara më parë.
Propozimi i ri i Komisionit Evropian, në këtë mënyrë, hap një mundësi të re për zgjerimin: më pak hapësirë për bllokada në mes të rrugës, por pa hequr unanimitetin në fund të saj. Për Maqedoninë e Veriut kjo mund të jetë një lehtësim procedural në të ardhmen, por jo një rrugë automatike për anashkalimin e kushteve aktuale. Fjala e fundit për ndryshimin e mënyrës së vendimmarrjes do t’u takojë vendeve anëtare, ndërsa për Shkupin sfida e parë mbetet zhbllokimi i vetë procesit negociues. (koha.mk)

