Shkruar nga Giulio Alicanti
Revolucioni i Flamingove në Shqipëri nuk është thjesht një protestë mjedisore, por një shpërthim i një plage shekullore të padrejtësisë së tokës dhe një revoltë kundër një sistemi që ka tradhtuar besën. Nga konfiskimet komuniste te koncesionet për të huajt, populli kërkon llogari dhe një demokraci të vërtetë, ndërsa në sheshe dhe nëpër botë rikthehet thirrja: “Shqipëria e shqiptarëve” dhe ëndrra për Evropën…
Ervan Dragoti është një kopshtar shqiptar, i diplomuar në Shqipëri dhe i emigruar në Itali 4r vjet më parë për të gjetur punë. Ashtu si shumë bashkatdhetarë të tij, ai ka një gjysh, Ymer Dragotin, të cilit iu konfiskuan tokat gjatë regjimit komunist, dhe që në vitet ’90, pas shpërbërjes së kooperativave dhe fermave shtetërore, nuk i pa kurrë ato toka që t’i ktheheshin.
Shpesh, nëpërmjet Ligjit nr. 7501 të vitit 1991, pronat e konfiskuara nuk iu kthyen pronarëve të vjetër, por iu shpërndanë falas fermerëve të tjerë vendas. Toka pjellore u copëtua, u fragmentua në pjesë të barabarta dhe u nda në raport me numrin e anëtarëve të familjes, në kuota që varionin nga 1000-4000 metra katrorë për person – një shifër e papërfillshme për ata që para regjimit zotëronin mbi 50 hektarë tokë, si gjyshi i Ervanit.
Kjo krijoi një konfuzion të madh normativ dhe pengoi zhvillimin e bujqësisë moderne dhe industriale. Ajo e Ervanit, është një plagë e hapur, që bashkon shumë shqiptarë dhe që i shtohet vuajtjes nga detyrimi për të lërë vendlindjen – atë Shqipëri ku dërgon remitancat për të ndihmuar prindërit të paguajnë taksat.
“Nëse nuk ndryshon sistemi, në fund do të detyrohem t’i sjell prindërit këtu në Itali”, më thotë. Në fshatin e tij, Dragot, nga 100 banorët që jetonin dikur, 95 janë larguar. “Toka është e jona, jo e amerikanëve apo e qeverisë shqiptare”, deklaronai, duke iu referuar protestave që po mbushin sheshet e Shqipërisë.
Për të kuptuar sesi kjo çështje e pazgjidhur e tokës rrënjoset në historinë shqiptare dhe peshon kaq shumë në Revolucionin e sotëm të Flamingove, kërkoj ndihmën e Daniela Skëndajt, studiuese në ISEA, me të cilën bashkëpunoj prej vitesh. Ajo vjen nga Tirana, por jeton në Romë prej shumë kohësh.
Çfarë dinamikash të reja po shfaqen në këtë lëvizje?
Mobilizimi filloi si protestë kundër projektit të qeverisë shqiptare për t’i dhënë ishullin e Sazanit – për dekada një zonë ushtarake e mbyllur – dhe bregdetin e Zvërnecit, pranë Vlorës, për ndërtimin e një resorti luksoz nga familja Kushner, e lidhur me presidentin amerikan Trump.
Në qendër të kritikave është ndryshimi i legjislacionit mjedisor i miratuar në vitin 2024, të cilin protestuesit e konsiderojnë të përshtatur për të lehtësuar autorizimin e projektit. Revolucioni filloi nga rrjetet sociale, njësoj si pranverat arabe, dhe përfshiu shqiptarë të diasporës në mbarë botën: në Nju Jork, Paris, Londër e Bruksel.
Por protestat në Shqipëri kanë precedentë historikë. Në Shqipëri s’ka pasur kurrë luftë civile për fe apo ndonjë gjë tjetër. Por vetëm kryengritje popullore kundër regjimit në vitet 1990-1991, gjatë tranzicionit nga komunizmi në kapitalizëm, dhe në vitet 1997-1998, protesta të mëdha për shkak të krizës financiare.
Por që nga ai dyvjeçar, nuk ka pasur më protesta masive në rrugë. Unë vetë erdha në Itali pikërisht pas shpërthimit të krizë së atyre viteve.
Dhe sot çfarë ka ndryshuar?
Kohëzgjatja e atyre manifestimeve ishte e kufizuar. Sot Revolta e Flamingove është shndërruar në diçka më të madhe. Nuk është më thjesht Revolucioni i Flamingove. Ajo është bërë shprehja e një pakënaqësie më të përgjithshme ndaj qeverisë dhe stilit të saj autoritar. Protesta nuk ka të bëjë më vetëm me koncesionin e Ramës për Kushner-ët.
Në sulm është vetë mënyra e tij jorespektuese ndaj normave, jo vetëm atyre mjedisore. Për shqiptarët ka mbaruar koha kur vendimet merreshin në emër të të gjithëve, por në dobi të një elite të vogël. Është hapur tashmë Kutia e Pandorës,.
Çështja e resortit të Kushnerit, hyn në modelin oligarkik klientelar të të djathtave të reja? Çfarë lloj socializmi është ai i Ramës?
Edi Rama është një figurë karizmatike, që e ka rritur prestigjin ndërkombëtar të Shqipërisë, por që ka marrë një karakter autoritar në politikën e brendshme. Sot protestuesit kërkojnë një ekuilibër tjetër. Qeveria mbrohet duke thënë se natyra nuk do të dëmtohet, se resortet janë luksoze dhe të mira, dhe se SPAK-u ka vepruar pa prova.
Por Rama është në mandatin e katërt, i verbuar nga pushteti, dhe nuk jep dorëheqje, por as nuk bën vetëkritikë. Kalimi nga fqinjësia e mirë në favorizimin e koncesioneve është i ngushtë, por Rama e ka kaluar atë vijë.
Identiteti shqiptar ka një hero kombëtar të padiskutueshëm: Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Në shekullin XV, ai bashkoi fiset shqiptare për 25 vjet kundër Perandorisë Osmane, duke dëshmuar se një popull i vogël, i bashkuar, mund t’u rezistojë perandorive më të fuqishme. Flamuri i sotëm – shqiponja dykrenore e zezë në sfond të kuq – është stema e familjes së tij…
Gjergj Kastrioti është i padiskutueshëm si për të majtën ashtu edhe për të djathtën. Nuk ka shqiptar që nuk e njeh. Stili i tij i lidershipit tregoi se vetëm të bashkuar fitohet. Por sot nuk kemi një Skënderbe, ose të paktën unë nuk e shoh.
Gjatë Rilindjes Kombëtare, poeti Pashko Vasa shkroi: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Kjo të kujton sloganin e sotëm të protestuesve: “Shqipëria e shqiptarëve”. Shqipëria është një vend që respekton të gjitha fetë.
Toleranca fetare është shprehje e besës dhe mikpritjes – vlera të rrënjosura në ADN-në shqiptare. Por besa nuk është vetëm fjala e dhënë mes njerëzve. Ajo është edhe fjala e dhënë nga shteti. Dhe shteti nuk e ka mbajtur premtimin për t’i kthyer tokat.
Trauma e vitit 1912 – kur fuqitë e mëdha lanë gjysmën e popullsisë shqiptare jashtë kufijve – e përforcon nacionalizmin kulturor mbrojtës. Sot ajo traumë rijetohet me imperializmin trumpian dhe aspiratat e tij ndaj Shqipërisë.
Por çfarë e ka shkaktuar këtë shkëputje midis njeriut dhe tokës?
Gjatë periudhës osmane dhe asaj komuniste, prona private ishte e ndaluar. Kjo solli dëme jo vetëm ekonomike, por edhe një shkëputje nga e mira e përbashkët. Në fillim të viteve 1990, reagimi i parë ishte shkatërrimi i çdo gjëje publike, sepse publiku ishte sinonim i së keqes. Plaga ishte e freskët. Pas rënies së regjimit, prona private u rivendos, por kadastra është ende kaotike. Investitorët nuk dinë se si të veprojnë. Duke parë vështirësitë, qeveria vendosi të ndryshojë ligjin për zonat e mbrojtura. Por gaboi rëndë.
Sa peshon në kujtesën kolektive tranzicioni i papërfunduar i viteve 1990?
Në fillim të viteve 1990, në pushtet erdhi Partia Demokratike. Por ajo nuk ishte një e djathtë e vërtetë, sepse ne nuk kishim pasur kurrë kapitalizëm. Kalimi nga feudalizmi në socializëm la një vakum.
Edhe sot, opozita e udhëhequr nga Berisha nuk flet me zërin e së djathtës. Në fakt, as e majta nuk është e majtë. Shqipëria nuk ka qenë kurrë një demokraci e përfunduar. Atje tranzicioni nuk ka mbaruar kurrë.
A është toka e shenjtë sepse përmban eshtrat e të parëve? Dhe a është kjo arsyeja pse mërgimi përjetohet kaq rëndë?
Unë, ashtu si shumë shqiptarë, jetoj në një limbo. Në Shqipëri më shohin si “ajo që iku jashtë”, në Itali më shohin si “vajzën shqiptare”, edhe pse kam shtetësi italiane. Por të gjithë shqiptarët – në atdhe e në diasporë – njihen në të njëjtat vlera: integritetin, besën.
Rama erdhi në pushtet kur Shqipëria ishte e varfër. I dha prestigj vendit, por vitet e fundit, i verbuar nga pushteti, u largua nga shqiptaria. Sot, unë kam prindërit në Itali sepse nuk i besoj sistemit shëndetësor shqiptar. I solla këtu 15 vjet më parë, sepse pensionet atje janë shumë të ulëta.
A po kompromenton çështja e resortit të Kushnerit hyrjen e Shqipërisë në BE?
Nuk mendoj se Shqipëria do të shmangë hyrjen në BE. Ajo i përket familjes evropiane nga historia, kultura dhe vlerat. Por duke kërkuar pajtueshmërinë me BE-në, Rama ka krijuar efektin e kundërt.
A është kjo një mundësi e fundit e Shqipërinë për të ndryshuar sistemin? A ka shpresë?
Po, unë kam shpresë. Kam besim te karakteri i Shqipërisë, te vlerat e saj. Ndërkohë kam më pak me shpresë për perspektivat demografike. Të rinjtë duan të ikin. Por këto protesta tregojnë se ndjesia qytetare nuk ka vdekur. Dhe kjo më ngushëllon./ “Left.it”

