Lajme

Pse Irani ka futur në “rreth të kuq” Emiratet Arabe?

Autoritetet iraniane kanë shtuar deklaratat kërcënuese ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe, duke paralajmëruar se vendi mund të përballet me sulme më të forta nëse SHBA-ja dhe Izraeli rifillojnë operacionet kundër Iranit.

Një anëtar i komisionit parlamentar iranian për sigurinë kombëtare, Ali Khezrian, deklaroi këtë javë për televizionin shtetëror se Emiratet nuk konsiderohen më “fqinj”, por tashmë “bazë armiqësore”.

Edhe Komanda Qendrore “Khatam al-Anbiya”, e drejtuar nga Garda Revolucionare Iraniane (IRGC), paralajmëroi publikisht udhëheqjen e Emirateve që të mos e kthejë vendin në një qendër të forcave amerikane dhe izraelite, raporton “Al Jazeera”.

Sipas Teheranit, bashkëpunimi gjithnjë e më i ngushtë ushtarak, politik dhe inteligjent mes Emirateve, SHBA-së dhe Izraelit po rrit pasigurinë në rajon.

Irani ka përmendur veçanërisht portin strategjik të Fujairahut, pranë Ngushticës së Hormuzit, duke deklaruar se zona ndodhet nën kontrollin detar iranian. Porti u godit më herët gjatë muajit, megjithëse Teherani mohoi përfshirjen.

Nga ana tjetër, Emiratet kanë dënuar sulmet iraniane dhe kanë deklaruar se rezervojnë të drejtën për t’u përgjigjur, përfshirë edhe me mjete ushtarake.

Tensionet janë përshkallëzuar edhe në aspektin ekonomik. Emiratet kanë anuluar viza për iranianë që jetonin prej vitesh në vend, kanë mbyllur biznese iraniane dhe kanë kufizuar rrjetet tregtare e financiare të lidhura me Iranin.

Kjo ka goditur ekonominë iraniane, e cila përdorte portet emirate si një pikë kyçe për importet nga tregje të treta, përfshirë Kinën.

Një nga arsyet kryesore pse Irani po fokusohet te Emiratet lidhet me praninë e fortë ushtarake amerikane në territorin emiratas, veçanërisht në bazën ajrore Al-Dhafra pranë Abu Dhabit, ku ndodhen mijëra trupa amerikane dhe sisteme të avancuara radarësh e inteligjence.

Gjithashtu, marrëdhëniet mes Emirateve dhe Izraelit janë forcuar ndjeshëm pas Marrëveshjeve të Abrahamit të vitit 2020, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja.

Që prej asaj kohe, të dy vendet kanë zgjeruar bashkëpunimin ushtarak dhe të inteligjencës, ndërsa gjatë konfliktit aktual Izraeli ka dërguar në Emirate sisteme të mbrojtjes raketore “Iron Dome” dhe personel ushtarak për operimin e tyre.

Media iraniane dhe analistë pranë pushtetit kanë sugjeruar gjithashtu se Emiratet mund të kenë luajtur rol në sulme ndaj territorit iranian, përfshirë goditje ndaj objekteve energjetike në jug të vendit.

Megjithëse Emiratet kanë mohuar çdo përfshirje direkte, raportet mes dy vendeve konsiderohen ndër më të tensionuarat e viteve të fundit, ndërsa Gjiri Persik mbetet një nga pikat më të rrezikshme të përplasjes mes Iranit, SHBA-së dhe aleatëve të tyre rajonalë.

3sgIgLJ.png