Nga Parisi në Berlin, të rinjtë po protestojnë kundër kostos së lartë të jetesës, krizës së strehimit dhe mungesës së perspektivës ekonomike. Një brez që po humbet besimin te premtimi për një jetë më të mirë kërkon ndërhyrje më të forta shtetërore, ndërsa pakënaqësia ndaj institucioneve po ndryshon edhe prirjet politike në Evropë…
Në Paris digjen automjete, ndërsa në një kafene pranë Harkut të Triumfit një çift rreth të pesëdhjetave vazhdon i qetë të shijojë kafenë. Pamjet, që kanë tërhequr vëmendje të madhe në rrjetet sociale, janë kthyer në një simbol të dallimeve mes brezave në Evropë. Ndërsa të rinjtë protestojnë për kushtet e jetesës dhe të ardhmen e tyre, brezat më të vjetër duket se gëzojnë një siguri ekonomike që për Gjeneratën Z po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u arritur.
Kjo është panorama që përshkruan gazeta zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ) në një analizë mbi valën e protestave rinore që po përfshin vende të ndryshme evropiane. Megjithëse kërkesat ndryshojnë nga një shtet në tjetrin, pas tyre qëndron një shqetësim i përbashkët: rritja e kostos së jetesës, vështirësitë për të gjetur punë dhe pasiguria për të ardhmen.
Në Francë, pakënaqësia lidhet me gjendjen e shkollave, mungesën e vendeve në universitete dhe problemet e sistemit arsimor. Në Itali, të rinjtë kundërshtojnë çmimet e larta, ndërsa në Spanjë dhe Portugali protestat përqendrohen te kriza e strehimit. Edhe në Shqipëri dhe Serbi, studentët kanë zhvilluar protesta, kryesisht kundër korrupsionit qeveritar.
Në qytetin portugez të Portos, mësuesja e teatrit Inês Carneiro ka ngritur tendën në sheshin Praça D. João për të protestuar kundër çmimeve të banesave. Sipas saj, shpenzimet e strehimit arrijnë të konsumojnë deri në 70 për qind të të ardhurave. “Na duhet siguria se kemi një të ardhme këtu”, thotë ajo.
Pakënaqësia po përhapet edhe në vende të tjera. Në Gjermani, një aleancë e Gjeneratës Z ka bërë thirrje për demonstrata më 31 tetor, ndërsa në Zvicër organizata rinore e socialistëve po përgatit mobilizime për nëntorin.
Megjithatë, ajo që e dallon këtë valë protestash nga lëvizjet rinore të dekadave të mëparshme nuk është vetëm përmasa e pakënaqësisë, por edhe natyra e kërkesave. Nëse në vitet 1980 shumë të rinj kërkonin më pak ndërhyrje shtetërore dhe më shumë liri individuale, sot një pjesë e konsiderueshme e Gjeneratës Z kërkon pikërisht të kundërtën: një shtet më aktiv, që ndërhyn për të mbrojtur qytetarët nga pasiguritë ekonomike.
Revista britanike The Economist e ka trajtuar këtë prirje si ngritjen e një forme të re të socializmit të Gjeneratës Z. Por, ndryshe nga socializmi tradicional, kjo lëvizje nuk mbështetet domosdoshmërisht te projekte të mëdha për transformimin e sistemit ekonomik. Kërkesat e saj lidhen kryesisht me problemet konkrete të përditshmërisë: kufizimin e qirave, subvencionimin e ushqimeve bazë, çerdhe falas dhe transport publik pa pagesë.

Në Berlin, partia E Majta ka shkuar edhe më tej, duke propozuar shtetëzimin e banesave që zotërojnë kompanitë e mëdha të pasurive të paluajtshme, me qëllim ofrimin e tyre me qira më të përballueshme. NZZ ngre pikëpyetje mbi financimin e këtyre masave dhe pasojat që ato mund të kenë për borxhin publik, investimet dhe tregun e banesave.
Për shumë prej protestuesve, zgjidhja qëndron te taksimi më i lartë i individëve shumë të pasur. Por analiza vëren se kjo qasje nuk merr gjithmonë parasysh mundësinë e zhvendosjes së kapitalit drejt vendeve me politika më të favorshme tatimore.
Një brez që nuk beson më te përparimi ekonomik
Pas kërkesave për më shumë mbështetje shtetërore qëndron një ndryshim i thellë në pritshmëritë e të rinjve evropianë. Për brezat e mëparshëm, arsimi, puna dhe rritja ekonomike krijonin mundësinë për një jetë më të mirë. Sot, ky premtim po humbet besueshmërinë.
Sipas studimit “Junges Europa” të grupit TUI, vetëm 25 për qind e evropianëve të moshës 16 deri në 26 vjeç besojnë se brezi i tyre do të jetojë më mirë se prindërit. Në vende si Franca, Spanja dhe Italia, papunësia e të rinjve arrin rreth 20 për qind, ndërsa zhvillimi i inteligjencës artificiale po shton pasigurinë për mundësitë e punësimit, veçanërisht për ata që sapo përfundojnë studimet.
Në Zvicër, një i ri që prezantohet në rrjetet sociale si “Oivi redet” tërhoqi vëmendje pasi tregoi se, megjithëse kishte përfunduar studimet në Universitetin e Zyrihut në shkencën e të dhënave, statistikë dhe politikë, për katër vjet kishte punuar si shpërndarës gazetash e picash dhe në një qendër telefonike.

“Nëse miliona njerëz në botën e industrializuar nuk gjejnë punë, pavarësisht arsimimit të mirë, atëherë kemi të bëjmë me një problem shoqëror dhe jo me një problem të CV-së së tyre”, shprehet ai në një video që ka marrë qindra mijëra shikime.
Rasti ilustron shqetësimin se diploma universitare nuk garanton më një vend pune të qëndrueshëm apo përparim ekonomik. Për shumë të rinj, vështirësia nuk qëndron vetëm te sigurimi i të ardhurave, por edhe te pamundësia për të blerë një banesë, për të krijuar familje dhe për të planifikuar të ardhmen.
Kjo pakënaqësi ka rritur interesin për ekonomistë dhe mendimtarë që mbështesin ndërhyrje më të forta shtetërore. Mes tyre përmenden ekonomistja britanike Grace Blakeley, e njohur për kritikat ndaj kapitalizmit, dhe ekonomistja gjermane Isabella Weber, e cila propozon kontrollin e çmimeve për mallrat thelbësore, duke argumentuar se kompanitë mund të shfrytëzojnë fuqinë e tyre në treg.
Një tjetër propozim që ka fituar mbështetje në qarqet e majta është ai i ekonomistit francez Gabriel Zucman, i cili kërkon vendosjen e një takse prej 2 për qind mbi pasuritë që tejkalojnë 100 milionë.
Kritikët e këtyre politikave argumentojnë se kontrolli i çmimeve mund të përkeqësojë mungesat në treg, ndërsa taksimi më i lartë mund të nxisë largimin e investitorëve. Megjithatë, kërkesa për një rol më të madh të shtetit po fiton terren. Sipas një studimi të Fondacionit Konrad Adenauer, 60 për qind e të rinjve në Gjermani mendojnë se shteti duhet të bëjë më shumë për qytetarët.
Paradoksi është se kjo kërkesë për më shumë ndërhyrje shtetërore shoqërohet me rënien e besimit te institucionet. Sipas të dhënave që citon NZZ, rreth gjysma e të rinjve evropianë shprehin dyshime ndaj demokracisë si forma më e mirë e qeverisjes, për shkak të mënyrës se si ajo funksionon në praktikë.

Sociologu Oliver Nachtwey, nga Universiteti i Bazelit, shpjegon se shumë të rinj kanë humbur besimin se mund të ndikojnë në vendimet politike. Sipas tij, qeveritë shpesh i justifikojnë zgjedhjet e tyre me kufizime ekonomike, ndërsa të rinjtë dyshojnë se pas këtyre argumenteve qëndrojnë prioritete të tjera politike.
Ky mosbesim nuk kufizohet vetëm te e majta. Nachtwey vëren se një ndjenjë e ngjashme largimi nga institucionet ekziston edhe mes të rinjve që mbështesin partitë e djathta populiste, përfshirë Alternativën për Gjermaninë (AfD) dhe forcat politike të Marine Le Pen në Francë.
“Në të dyja anët pasqyrohet një largim më i thellë nga demokracia liberale”, thotë sociologu, duke theksuar se zgjidhjet politike që propozojnë këto grupe mbeten thelbësisht të ndryshme.
Përplasja mes brezave po ndryshon politikën evropiane
Sipas analizës, pakënaqësia e Gjeneratës Z lidhet edhe me një konflikt gjithnjë e më të dukshëm mes brezave. Të rinjtë e sotëm janë rritur mes krizës financiare globale, kufizimeve të pandemisë dhe pasigurisë ekonomike. Ndërkohë, prindërit e tyre përjetuan një periudhë kur mundësitë për punësim, blerje banesash dhe përparim ekonomik dukeshin më të mëdha.
Këto dallime po ndërthuren me ndarjet ekonomike mes pronarëve dhe qiramarrësve, individëve me pasuri dhe atyre që mbështeten te paga, si edhe mes qytetarëve që kanë mundësi të ndryshme për të përfituar nga shërbimet publike.
“Po zhvillohet një çështje sociale që përqendrohet te përballueshmëria e jetesës, mundësitë për përparim dhe perspektiva për të ardhmen”, shpjegon Nachtwey.
Në këtë klimë, figura të së majtës tradicionale po gjejnë mbështetje të re mes të rinjve. Në Francë, Jean-Luc Mélenchon, drejtuesi 75-vjeçar i lëvizjes La France insoumise, është kthyer në një nga politikanët që përfitojnë nga mobilizimi rinor.

Megjithatë, NZZ shpreh rezerva ndaj programit të tij ekonomik, duke argumentuar se ulja e moshës së pensionit në 60 vjeç dhe rritja e detyrueshme e pagave minimale mund të favorizojnë kryesisht personat që kanë tashmë një vend pune, pa garantuar krijimin e mundësive të reja për të rinjtë.
Ndërkohë, lëvizjet protestuese vazhdojnë të zhvillohen pa një program të përbashkët politik. Politologu Marco Giugni, nga Universiteti i Gjenevës, shpjegon se protestat për klimën, luftën në Gaza, arsimin apo koston e jetesës mund të kenë objektiva të ndryshme, por pakënaqësia ndaj institucioneve dhe afërsia ideologjike mund të nxisin përhapjen e tyre.
Sipas tij, suksesi i këtyre lëvizjeve do të varet nga aftësia për të krijuar presion publik, për të siguruar mbështetje politike dhe për të bindur një pjesë më të gjerë të shoqërisë. Po aq e rëndësishme do të jetë aftësia për t’i shndërruar protestat në kërkesa konkrete, pa lejuar që incidentet e dhunshme të mbulojnë qëllimet e tyre.
Në Porto, Inês Carneiro vazhdon të protestojë dhe pyet veten nëse mobilizimi i të rinjve do të sjellë ndryshime të qëndrueshme.
“A po ngremë vetëm pak pluhur, apo ky mund të jetë fillimi i një lëvizjeje të madhe? Ndoshta po kuptojmë se kemi një zë kur bashkohemi përtej rretheve tona”, shprehet ajo.
Përtej dallimeve politike dhe kërkesave të veçanta, protestat e Gjeneratës Z nxjerrin në pah një sfidë të rëndësishme për Evropën: si të ruajë besimin e të rinjve te demokracia dhe ekonomia e tregut, në një kohë kur arsimi dhe puna nuk ofrojnë më të njëjtën siguri për përparim ekonomik. Mënyra se si qeveritë do t’u përgjigjen këtyre shqetësimeve mund të ndikojë jo vetëm te e ardhmja e këtij brezi, por edhe te drejtimi politik i kontinentit. /Përshtati Pamfleti nga NZZ/

