Shkruar nga Francesco Manacorda
Ndërsa pjesa tjetër e botës lutet për fundin e bllokadës në Gjirin Persik, Ankaraja po nxiton të ndërtojë një arkitekturë të re energjetike që e bën Ngushticën e Hormuzit gjeopolitikisht të parëndësishme për Evropën. Ajo po përdor presidentin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, turkun Fatih Birol, i cili po promovon hapur projektin e Erdoganit: një naftësjellës për të dërguar naftën irakiane në Mesdhe.
“Vazoja është thyer dhe riparimi i saj do të jetë shumë i vështirë!”. Fatih Birol, drejtori ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, i vë një vizë të prerë të ardhmes së Ngushticës së Hormuzit.
Ai e bën këtë duke folur me të përditshmen turke Hürriyet. Birol, me kombësi turke, po çon haptazi përpara një projekt alternativ, natyrisht “Made in Turkey”. Është momenti i duhur, thotë ai, për të ndërtuar një naftësjellës të ri që lidh fushat naftëmbajtëse irakiane të Basrës me terminalin mesdhetar turk të Cejhanit (Ceyhan).
Ky do të ishte një projekt “jashtëzakonisht tërheqës dhe shumë i rëndësishëm, si për Irakun, ashtu edhe për Turqinë, ashtu edhe për sigurinë e furnizimeve rajonale, sidomos nga këndvështrimi evropian”.
Sipas Birol, çështja e parave për projektin mund të zgjidhej me mbështetjen e Brukselit, dhe një marrëveshje politike mes Bagdadit dhe Ankarasë është më se e arritshme. Koha e kësaj interviste nuk është aspak e rastësishme.
Teksa Hormuzi është bllokuar sërish nga iranianët nga brenda, dhe i rrethuar nga jashtë prej flotës amerikane, destabiliteti i asaj pjese të detit dhe mbi të gjitha i transportit të gazit dhe naftës që kalon përmes saj është gjithnjë e më pak një çështje teorike dhe gjithnjë e më shumë një dëm konkret për të gjithë, nga prodhuesit te konsumatorët.
Të gjitha vendet e Gjirit “po qajnë me lot” mbi Hormuzin, por edhe Iraku varet nga ngushtica për të eksportuar naftën bruto nga porti i Basrës, ku gjenden rreth 90 miliardë fuçi rezerva të certifikuara dhe gjenerojnë rreth 90 për qind të eksporteve energjetike të vendit.
Për më tepër, një rrugë alternative për të dalë nga Gjiri Persik përmes detit nuk ka. Dhe meqë edhe ngushtica e Bab-El-Mandeb, “porta e lotëve” që mbyll në jug Detin e Kuq drejt Oqeanit Indian, shihet vazhdimisht si një kalim i rrezikshëm, alternativa mbetet vetëm ajo e përdorimit të tubave në tokë në vend të anijeve.
Dhe është pikërisht këtu ku Turqia vjen me lëvizjen e saj strategjike. Aktualisht, Ankaraja është goditur fort nga pasojat e konfliktit aktual, sepse ajo importon rreth 90 për qind të nevojave të saj energjetike, me një faturë vjetore prej 60-65 miliardë dollarësh.
Prandaj, rritja e çmimeve të naftës do të thotë që inflacioni po arrin në rreth 31 për qind, lira është në nivelet minimale historike dhe eksportet drejt vendeve të Gjirit kanë rënë me 37 për qind vetëm në muajin mars.
Por kjo nuk do të thotë se ajo është e papërgatitur ndaj pasojave. Përkundrazi, skenarët e rinj mund t’i japin asaj shumë kënaqësi dhe, mbi të gjitha, një rol si “strumbullari” në tregtinë energjetike. Pas mbylljes së ngushticës, Iraku dhe Kurdistani kanë rënë dakord për rihapjen e naftësjellësit Kirkuk-Cejhan, i cili transporton 250.000 fuçi në ditë.
Pastaj është naftësjellësi Baku-Cejhan, 1.700 kilometra i gjatë, që sjell tashmë deri në 1.2 milionë fuçi në ditë drejt Mesdheut. Po ashtu, çdo ditë, mbi 3.5 milionë fuçi naftë kalojnë përmes Bosforit.
Është ky rrjeti që Turqia dëshiron të zgjerojë me disa lëvizje simultane: të zgjasë drejt jugut naftësjellësin Kirkuk-Cejhan deri në Basra, pra projektin e sponsorizuar nga Birol. Gjithashtu, të çojë përpara të ashtuquajturën “Development Road”, një rrjet hekurudhor dhe rrugor që do të lidhte Gjirin me Evropën duke kaluar përmes Irakut; dhe në fund, të zgjerojë “Korridorin e Mesëm”, rrugën tokësore që bashkon Kinën me Evropën përmes Kaukazit. Projekti kyç i të cilit është TRIPP – Rruga e Trumpit për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar – një lidhje mes Turqisë dhe Azerbajxhanit përmes Armenisë, e prezantuar në Shtëpinë e Bardhë në shkurt, së bashku me një marrëveshje paqeje paraprake mes dy ish-republikave sovjetike.
Tani, ndoshta mund të ndryshojë emri i projektit, duke parë edhe popullaritetin në rënie të shefit të Shtëpisë së Bardhë, por sigurisht jo substanca. Sidoqoftë, interesat në lojë shkojnë përtej fuçive të naftës dhe momentit aktual.
Nga njëra anë, sepse nëse në planin afatmesëm një kuotë domethënëse e flukseve energjetike nga Azia Qendrore dhe Gjiri drejt Evropës do të kalonte përmes territorit turk, Ankaraja do të fitonte një fuqi kontraktuese të paprecedentë.
Presidenti turk Erdoğan, e ka artikuluar tashmë këtë vizion pa ndonjë modesti: “Turqia dallohet si një ishull stabiliteti dhe port i sigurt. Ne besojmë me gjithë zemër se kjo krizë globale do të hapë dyer të reja për vendin tonë”.
Por përveç planit ekonomik, është ai gjeopolitik në një diapazon më të gjerë ku Turqia ka vënë një bast të madh: me një Iran të gjymtuar, Ankaraja shfaqet si e vetmja fuqi me kapacitet ushtarak, kompetencë industriale dhe projeksion kulturor për të ridifinuar ekuilibrat e Lindjes së Mesme të zgjeruar.
Dyzet e një anije lufte po ndërtohen në të njëjtën kohë, industria e dronëve të lehtë është ndër më lulëzuarat në nivel kombëtar, kuota e prodhimit të armatimeve kombëtare ka kaluar 80 për qind, krahasuar me 20 për qind të viteve të para të viteve 2000.
Pastaj është anëtarësimi në NATO, stërvitjet e së cilës do t’i mikpresë në korrik. Këta janë elementë që lobojnë që edhe projektet e naftësjellësve të konkretizohen, por edhe të bëhet realitet aspirata e fuqisë së madhe rajonale./ Përshtati “Pamfleti” nga “La Repubblica”

