Lajme

Pse Bullgaria mund të shndërrohet në “Hungarinë e re” brenda Bashkimit Evropian?

Shkruar nga Marco Zacchera

Fitorja plebishitare e Rumen Radevit paralajmëron një epokë të re euroskeptike në Ballkan, duke sfiduar hapur linjën e Bashkimit Evropian për luftën në Ukrainë. Mes rritjes së kostos së jetesës dhe lodhjes nga korrupsioni, Bullgaria zgjedh dorën e fortë të një ish-gjenerali që shikon nga Moska.

Nuk ka paqe për Ursula von der Leyen. Ende pa mbaruar mirë festimet për humbjen e Viktor Orbán në zgjedhjet parlamentare hungareze, edhe pse mbetet për t’u parë nëse lideri i ri Péter Magyar do të tregojë vërtet se është ndryshe nga paraardhësi i tij, një tjetër goditje e fortë vjen nga Sofja.

Ish-presidenti i republikës, Rumen Radev, triumfoi të dielën në zgjedhjet e radhës të parakohshme me një rezultat që tejkaloi çdo parashikim të sondazheve. Radev, një figurë e njohur për qëndrimet e tij pro-ruse dhe euroskeptike, siguroi mbi 45 përqind të votave.

Falë sistemit zgjedhor bullgar dhe pragut prej 4 përqind që la jashtë parlamentit disa parti të vogla, kjo u përkthye në 129 mandate nga 240 gjithsej. Me këtë fitore absolute, Bullgaria pritet të dalë më në fund nga periudha e gjatë e ngërçit politik që e ka karakterizuar vitet e fundit, ku plot 5 raunde zgjedhore të njëpasnjëshme kishin prodhuar gjithmonë parlamente shumë të fragmentuara, duke e bërë praktikisht të pamundur krijimin e një shumice të qëndrueshme dhe duke detyruar koalicione tepër të gjera e heterogjene.

Këtë herë pritet të jetë ndryshe, edhe sepse në disa çështje kyçe, si marrëdhëniet me Brukselin, deputetëve të Radevit mund t’u shtohen edhe ata të së djathtës ekstreme nacionaliste “Vazrajdane” (Rilindja), e cila ka fituar rreth 10 vende.

Humbësi i madh i kësaj gare është koalicioni i qeverisë në largim, që kishte futur Bullgarinë në zonën e euros që nga janari i këtij viti: koalicioni liberal PP-DB u ndal në 14.6 përqind.

Ndërsa partia aleate e liderit në largim Boiko Borisov, GERB, nuk shkoi përtej 12.5 përqind, duke humbur rreth gjysmën e votave të saj krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.

E reja kryesore është rënia e konservatorëve të GERB-it, të cilët kishin dominuar politikën bullgare për më shumë se një dekadë dhe që janë akuzuar se e kanë çuar vendin në nivele të larta korrupsioni.

Akuzat kanë prekur veçanërisht Borisovin, i cili prej vitesh ka qenë në qendër të dyshimeve për lidhje me mafian dhe botën e krimit. Një tjetër zhvillim i madh historik,  është se për herë të parë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik dhe hapja e Bullgarisë ndaj demokracisë, nuk do të ketë më përfaqësim parlamentar Partia Socialiste Bullgare (BSP), e cila përfaqësonte vazhdimësinë e ish-partisë komuniste, pasi nuk arriti të kalonte pragun prej 4 përqind.

Gjithsesi, edhe ky votim nxori në pah brishtësinë e situatës bullgare, të karakterizuar nga stanjacioni ekonomik dhe një pakënaqësi e thellë sociale për shkak të rritjes së shpejtë të kostos së jetesës, sidomos pas futjes së euros në fillim të vitit.

Muajt e fundit janë shoqëruar edhe me protesta të forta kundër korrupsionit. Dhe duke e ndjerë peshën e situatës, Radev vendosi papritur të hyjë në garë, ndonëse ishte ende president dhe afër përfundimit të mandatit të dytë.

I dorëhequr papritur 3 muaj më parë, ai e ndërtoi fushatën e tij pikërisht mbi luftën kundër korrupsionit dhe mbi politika për frenimin e çmimeve, duke iu përgjigjur pritshmërive të protestuesve.

Ish-pilot ushtarak dhe gjeneral i forcave ajrore, në deklaratat e para pas zgjedhjeve Radev ishte shumë i qartë. Ai përsëriti kritikat ndaj Evropës dhe kundërshtimin ndaj ndihmave të mëtejshme për Ukrainën.

Po ashtu, deklaroi se Evropa do të ishte shumë më pragmatike nëse Bashkimi Evropian do të rifillonte dialogun me Moskën, duke e cilësuar rezultatin si një fitore të moralit dhe të shpresës ndaj mosbesimit.

Qëndrimet e tij kanë tërhequr vëmendje të madhe ndërkombëtare, pasi gjatë presidencës ai ka kundërshtuar vazhdimisht dërgimin e ndihmave ushtarake për Ukrainën dhe ka kritikuar politikat e BE-së mbi luftën, duke shprehur frikën se mbështetja e tepërt mund ta përfshijë Bullgarinë në konflikt.

Fushata e tij nuk ka kaluar pa polemika. Gjatë një takimi elektoral, opozita e sulmoi për shkak të një videoje ku shfaqej në takime me Vladimir Putin, ndërsa deklarata e tij e fundit se “Krimea është ruse” mbetet një qëndrim i diskutueshëm që rrit shqetësimin në Bruksel se Bullgaria mund të zëvendësojë Hungarinë në drejtimin e vendeve euroskeptike./  “Il Sussidiario”

3sgIgLJ.png