Lajme

“Poshtërimi” i Amerikës apo fundi i regjimit iranian?

Perëndimi pretendon se nuk ndjek vetëm politikë të pastër realiste. Bëhet fjalë edhe për të bërë atë që është e drejtë. Regjimi iranian është jopopullor dhe ndodhet pranë greminës. A e justifikon kjo luftën?

Iranianët vuajnë nën diktaturën që themeluesi i shtetit islamik iranian, Ajatollah Ruhollah Khomeini, ngriti dekada më parë. Pasardhësi i tij, Ajatollah Ali Khamenei, vazhdoi të njëjtën rrugë. Edhe djali i tij, Mojtaba Khamenei, mbetet besnik ndaj kursit të regjimit.

Shumë njerëz në SHBA dhe akoma më shumë në Europë duan ta shohin Donald Trumpin të dështojë. Ata nuk mund ta imagjinojnë se ai mund të bëjë diçka siç duhet ose se është ende herët për të gjykuar përfundimisht veprimet e tij.

Si qëndrim politik kjo është plotësisht legjitime. Por si kategori analitike është mjaft e varfër. Lufta me Iranin është shembulli më i mirë për këtë. Pavarësisht epërsisë ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit, Teherani nuk është dorëzuar edhe pas 8 javësh. Kjo tashmë po konsiderohet si provë e humbjes së presidentit amerikan.

Formulimin më të prerë për këtë ide e dha kancelari gjerman Friedrich Merz. Ai deklaroi se Irani e kishte “poshtëruar” kombin amerikan. Sipas kësaj logjike, diktatura iraniane ka fituar dhe demokracia amerikane ka humbur.

Kush do ta fitojë këtë luftë nervash?

Megjithatë, regjimi islamik nuk ka qenë kurrë më afër rrëzimit gjatë gjysmë shekulli ekzistence. Edhe gjatë luftës mbrojtëse kundër Saddam Husseinit në vitet ‘80, kur ushtria irakiane u ndal vetëm me sakrifica të jashtëzakonshme, uniteti i brendshëm i vendit ishte më i fortë se sot.

Në atë kohë ende ekzistonte shpresa se revolucioni do të krijonte një Iran më të mirë. Patriotizmi ushqehej nga kjo shpresë. Sot populli i ka humbur të gjitha iluzionet. Asnjë regjim i vjetër nuk është më i rrezikuar sesa kur duhet t’u thotë masave të uritura të “hanë tortë”. Dhe sot gjendja ekonomike në Iran është katastrofike.

Para luftës, një dollar kushtonte 800 mijë rialë. Sot kushton 1.8 milionë. Inflacioni është edhe më i lartë se në fillim të vitit. Në janar, pakënaqësia e përhapur ndaj qeverisë shkaktoi trazirat më të rënda që nga rrëzimi i Shahut në vitin 1979. Për t’i shtypur protestat, regjimi dyshohet se masakroi deri në 30 mijë persona.

Dhe ta lësh këtë popull në mëshirë të fatit pikërisht në momentin kur regjimi po lëkundet, është më shumë se zemërftohtësi.

Qeveria në Teheran tashmë duhet të subvencionojë importet ushqimore me kosto shkatërruese. Mallrat e tjera të importit janë bërë pothuajse të papërballueshme edhe për shtresën e pasur. Dëmet e luftës dhe bllokada detare amerikane po e godasin rëndë ekonominë.

Papunësia është rritur ndjeshëm dhe eksportet janë shembur. Kjo vlen sidomos për naftën bruto, produktin kryesor të eksportit të Iranit. Kur Trump pretendon se Irani humbet çdo ditë 500 milionë dollarë nga bllokada detare, ndoshta ai nuk po e ekzagjeron.

Një bombë ekonomike me sahat

Problemi më i madh është se vetë prodhimi i naftës po vihet në rrezik. Që nga mbyllja e plotë e Ngushticës së Hormuzit, nafta duhet të ruhet në cisterna ose depo në tokë. Kur kapacitetet mbushen, burimet e naftës duhet të mbyllen. Por ky proces është shumë i vështirë për t’u kthyer pas.

Në këtë mënyrë Irani mund të humbasë përgjithmonë kapacitete prodhimi prej 300 mijë deri në 500 mijë fuçi në ditë, çka do të përkthehej në humbje prej 9 deri në 15 miliardë dollarësh në vit.

Një vend i dobësuar prej sanksioneve dhe ekonomisë së luftës nuk mund t’i përballojë lehtë këto humbje. Analistët perëndimorë që flasin për “poshtërimin” amerikan argumentojnë se Teherani ka arritur ta zhvendosë konfliktin nga fusha ushtarake në atë politike.

Kjo është e vërtetë, por edhe Irani ndodhet nën të njëjtin presion. Të dyja palët kanë armët e tyre në këtë luftë nervash.

Trump shpreson ta çojë Iranin drejt rrënimit ekonomik. Teherani beson se pakënaqësia në pikat e karburantit dhe zgjedhjet e ndërmjetme në SHBA do ta detyrojnë Trumpin të tërhiqet. Konflikti reduktohet në pyetjen se kush do të rezistojë më gjatë.

Është e mundur që presidenti amerikan të dorëzohet, sipas parimit të parë të “trumpologjisë”: “Trump gjithmonë tërhiqet në fund.”

Kjo do të ishte vërtet një poshtërim. Por ndoshta ai do të vazhdojë kursin e ashpër, sepse nuk shqetësohet më për zgjedhjet ose sepse mendon për trashëgiminë e tij politike.

Nëse Irani detyrohet të bëjë lëshime thelbësore, Trump do të arrinte diçka ku të gjithë paraardhësit e tij, që nga Jimmy Carteri, kanë dështuar. Dhe kjo me një çmim relativisht të ulët: inflacion pak më të lartë dhe pakënaqësi të moderuar në pompat e karburantit. Kjo nuk do të ishte një marrëveshje e keqe.

Regjimi sakrifikon popullin e vet

Përballë krizës ekonomike, revolucionarët iranianë kanë shumë më tepër për të humbur. Ata po e blejnë çdo sukses me vuajtjen e popullit të tyre. Kjo është taktika klasike e islamistëve.

Ata sakrifikojnë mirëqenien e qytetarëve për “fitoren përfundimtare”. Kjo ndodh në Iran ashtu si në Gaza, ku Hamasi llogarit me vetëdije vdekjen masive të civilëve për propagandë.

Irani ende nuk ka rënë në atë nivel ekstrem. Vendi ka një qytetërim të lartë, gjë që edhe Trump e pranoi me zor kur kërcënoi me shkatërrimin e tij. Teherani është një metropol modern dhe Isfahani mbetet një perlë e kulturës botërore. Regjimi, pavarësisht brutalitetit, ende duhet të tregojë një minimum kujdesi ndaj shoqërisë.

Protestat e viteve të fundit tregojnë qartë frymën e rezistencës së popullit iranian. A nuk meriton ky popull mbështetje?

Rusia tregon se autokracitë janë të rrezikshme

Në të njëjtën kohë, udhëheqja iraniane nuk është aq monolite sa përpiqet të duket. Gardat Revolucionare kanë marrë pothuajse të gjithë pushtetin, ndërsa forcat civile janë margjinalizuar.

Ka humbës politikë që kërkojnë hakmarrje. Sundimi i mullahëve po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një juntë ushtarake. Irani ka qenë për gjysmë shekulli një sistem i çuditshëm: gjysmë teokraci dhe gjysmë shtet laik. Por regjimi gjithmonë e ka justifikuar veten me legjitimitet fetar.

Sot kjo po kthehet në një fasadë boshe, me një figurë fetare gjithnjë e më të zbehtë në krye, kualifikimi kryesor i së cilës është fakti se është “bir”. Kjo prek drejtpërdrejt themelet e revolucionit islamik.

Për Trumpin bëhet fjalë për zgjedhjet e ndërmjetme. Për revolucionarët iranianë bëhet fjalë për gjithçka.

Nëse diktatura do të bjerë apo jo, mbetet e paqartë. Duke parë aftësinë brutale të regjimit për të shtypur protestat, ai ende ka avantazh. Megjithatë, regjimi nuk ka qenë kurrë kaq i dobët.

Ish-presidenti Barack Obama pranoi vite më vonë se ishte penduar që nuk kishte mbështetur lëvizjen demokratike iraniane dhe ishte fokusuar vetëm te diplomacia. Trump zgjodhi një rrugë tjetër. Është ende herët për ta gjykuar.

Por politika e zbutjes dhe e mbylljes së syve ndaj një prej diktaturave më të përgjakshme në botë mbart një njollë morale. Lufta në Ukrainë dhe politika e mëparshme ndaj Rusisë tregojnë se autokracitë janë të rrezikshme. Ky duhet të jetë një mësim bazë për politikën e jashtme në shekullin XXI.

Paralajmërimet e vazhdueshme për “përshkallëzim” mund të jenë dy gjëra: një kujdes i arsyeshëm kundër gjakderdhjes ose justifikimi më i lirë për të mos bërë asgjë. Luftërat kundër Saddam Husseinit dhe talebanëve treguan kufijtë e ndërhyrjeve perëndimore.

Por të nxjerrësh prej tyre një politikë të mosndërhyrjes absolute është po aq e gabuar sa idealizmi humanitar pas rënies së komunizmit.

Në atë kohë u promovua koncepti “responsibility to protect”, detyrimi ndërkombëtar për të mbrojtur popujt nga diktatorët e tyre, edhe me forcë ushtarake nëse është e nevojshme. Edhe kjo mund të jetë e pamatur nëse zbatohet verbërisht.

Konfliktet në Iran dhe Ukrainë po ripërcaktojnë mënyrën se si Perëndimi e kupton rolin e vet në botë. A mjafton t’i japësh armë Kievit, por të mos i ofrosh garanci sigurie përmes anëtarësimit të shpejtë në Bashkimin Europian? A mjafton të japësh këshilla nga distanca për mënyrën se si duhet trajtuar Teherani?

Henry Kissinger, simboli i politikës realiste, këmbëngulte se politika e jashtme pa bazë morale përfundon në katastrofë. Irani dhe Ukraina janë prova reale për të kuptuar se çfarë do të thotë kjo në epokën e konkurrencës së pamëshirshme mes fuqive të mëdha. Ndaj ka mundësi që strategjia e Trumpit të përfundojë në dështim.

Por të bërtasësh “poshtërim” dhe të rrish duarkryq nuk është përgjigje serioze për një nga çështjet më të rëndësishme të politikës së jashtme në këtë shekull. /Përshtatur nga NZZ/

3sgIgLJ.png