Lajme

Politika po na shkatërron!

Shkruar nga Catherine Kim

Një numër gjithnjë e më i madh amerikanësh po kërkojnë ndihmë psikologjike për shkak të ankthit dhe stresit të shkaktuar nga politika, polarizimi dhe lajmet e vazhdueshme. Terapistët paralajmërojnë se kjo gjendje po ndikon jo vetëm në mirëqenien individuale, por edhe në pjesëmarrjen qytetare dhe funksionimin afatgjatë të demokracisë.

Kanë kaluar tri orë duke lëvizur pafund në X dhe çdo postim duket më shqetësues se tjetri: grafikë që parashikojnë kolaps ekonomik, tituj për një atentat të dështuar, miniatura videosh në YouTube me titullin “apokalips bërthamor”.

Të shtrëngohet kraharori dhe të dhemb koka, nga koha e tepërt para ekranit, nga ankthi i tepërt, ose ndoshta nga të dyja. Me ankthin politik që po arrin nivele të reja dhe krizat që shfaqen pa pushim në ekranet tona, profesionistët e shëndetit mendor thonë se po shohin një fluks pacientësh të shqetësuar nga lajmet që vijnë nga Uashingtoni dhe më gjerë.

“Kjo është hera e parë që po shohim njerëz të nisin terapi për shkak të ankthit politik”, thotë Veronica Calkins, drejtoreshë klinike në Pacific Mind Health me bazë në Kaliforni.

Calkins thotë se rritja nisi pas inaugurimit të dytë të presidentit Donald Trump, me pacientë liberalë që kishin frikë nga ajo që do të vinte. Por terapistë të tjerë thonë se edhe konservatorët po kërkojnë më shpesh ndihmë për shkak të dëshpërimit politik. Ankthi politik duket se prek të dyja kampet.

“Shumica dërrmuese e njerëzve preken në një mënyrë ose tjetër nga politika. Dhe kjo është më e vërtetë sot se kurrë më parë.”, thotë terapistja nga Nju Jorku, Melissa Tihinen, për klientët e saj në Doëntoën Psychological Services.

Edhe sondazhet publike e mbështesin këtë: 65 për qind e amerikanëve thanë vitin e kaluar se politika ishte një burim i rëndësishëm stresi në jetën e tyre, sipas një ankete të Shoqatës Amerikane të Psikologjisë. Në fakt, shkaku kryesor i stresit ishte shqetësimi për të ardhmen e vendit, me 76 për qind, më shumë se ekonomia, puna apo paratë. Terapistët thonë se këto shifra kanë qenë shpesh të larta, por është fenomen i kohëve të fundit që ky shqetësim t’i shtyjë realisht klientët drejt zyrave të tyre, një ndryshim i nxitur si nga ulja e stigmatizimit të kujdesit për shëndetin mendor, ashtu edhe nga ndjesia se disa njerëz po arrijnë kufirin e tyre.

Si rezultat, edhe terapistët po përshtaten dhe disa kanë nisur të specializohen në këtë fushë. Brenda praktikës së saj, Calkins është ngarkuar të trajtojë klientët që kërkojnë ndihmë për ankthin politik, përfshirë mënyrën si ai ndikon në stresorë të tjerë të jetës. Të tjerë në këtë profesion e shohin ankthin politik si një çështje aq të përhapur sa besojnë se çdo terapist duhet të mësojë si ta trajtojë gjatë seancave. Tihinen thotë se praktika e saj ka zhvilluar mbledhje të stafit të dedikuara për mënyrat më të mira të trajtimit të ankthit politik.

Një numër shoqatash psikologjike shtetërore në SHBA kanë organizuar gjithashtu seminare për të trajtuar mënyrën si politika po riformëson shëndetin mendor të amerikanëve, mes kërkesës në rritje nga terapistët. Seminarët, të organizuar nga politologu Kevin Smith i Universitetit të Nebraskës-Lincoln dhe psikologu Brett Ford i Universitetit të Torontos, paraqesin kërkime mbi ankthin politik për të ndihmuar terapistët të orientohen në këtë çështje brenda praktikave të tyre.

“Për njerëzit për të cilët politika është më stresuese, flas për strategjitë që ata përdorin për të përballuar këtë stres. Të identifikosh mënyra për t’u përballur me stresin politik pa u shkëputur plotësisht dhe pa u larguar”, thotë Ford.

Rritja e ankthit politik përfaqëson një zhvillim të jashtëzakonshëm në jetën amerikane. Klima është aq e polarizuar dhe lajmet e politika janë bërë një prani kaq e vazhdueshme dhe personale në jetën tonë, sa pjesë të mëdha të vendit ndihen emocionalisht të rraskapitura dhe të frikësuara. Aq sa kanë nevojë për ndihmën e profesionistëve të shëndetit mendor për ta përballuar. Ky është një ndryshim shqetësues, jo vetëm për miliona individë, por edhe për vendin në tërësi. Nëse jeta qytetare përcaktohet nga një stres i tillë kronik, a mund të funksionojë demokracia amerikane në mënyrë të shëndetshme në afatgjatë?

Ishte lufta në Iran që e çoi Joe-n në spirale ankthi këtë herë.

Titujt për bombardimet amerikane, imazhet e Teheranit të mbuluar nga tymi, postimet në rrjetet sociale që parashikonin një luftë tjetër të gjatë në Lindjen e Mesme, të gjitha ia përkeqësuan ankthin. Ai ndjeu nevojën ta diskutonte me terapistin e tij.

“Fytyra ime ishte bërë krejt e kuqe. Po dridhesha”, kujton Joe, mbiemri i të cilit nuk bëhet publik sepse kishte frikë nga ngacmimet për pikëpamjet e tij politike. Ai thotë se nuk ka qenë gjithmonë kështu. Dy vite më parë, ngjarjet aktuale dhe politika nuk dominonin kohën e tij me terapistin. Tani kjo ka ndryshuar plotësisht.

Terapistët thonë se po shohin gjithnjë e më shumë klientë si Joe, të cilët diskutojnë çështje politike gjatë pjesës më të madhe të seancave, ose klientë që kërkojnë terapi për herë të parë vetëm për shkak të ankthit politik.

Shkaktari më i shpeshtë? Ngjarjet e mëdha politike.

“E gjitha lidhet me mungesën e kontrollit ose një lloj pafuqie, që kjo po ndodh dhe unë nuk mund të ndikoj në rezultat. Pavarësisht çfarë bëj, asgjë nuk do të ndihmojë”, thotë Calkins.

Ngjarjet e fundit që kanë sjellë rritje të klientëve përfshijnë luftën në Iran, goditjet e ICE në Minesota dhe fjalimin e Trumpit për Gjendjen e Unionit, të gjitha duke shtuar ndjenjat e dëshpërimit tek ata në të majtë që nuk pajtohen me administratën aktuale.

Megjithatë, terapistët që kanë shumë klientë konservatorë thonë se edhe ata po shohin rritje të njerëzve të mbingarkuar nga lajmet dhe që përpiqen të kuptojnë botën përreth.

“Mendoj se ekziston kjo dinamikë interesante ku klientët e mi liberalë mendojnë se republikanët janë të lumtur tani. Por kjo nuk është domosdoshmërisht e vërtetë”, thotë Adam Luke, terapist nga Tenesi dhe pjesë e një rrjeti terapistësh konservatorë.

Luke thotë se klientët e tij konservatorë ndiejnë të njëjtën pafuqishmëri si homologët liberalë, qoftë për shkak të reagimit të dobët të Uashingtonit ndaj “dosjeve Epstein”, qoftë për shkak të dështimit të republikanëve për të miratuar reformën zgjedhore SAVE Act.

“Po marr gjithnjë e më shumë njerëz, republikanë që kanë votuar tri herë për Trumpin dhe tani janë jashtëzakonisht të zhgënjyer me partinë e tyre sepse, edhe pse partia e tyre është në pushtet, ata nuk ndihen të dëgjuar. Klientët e mi në të 60-at thonë: ‘Për 40 ose 50 vite kam besuar te sistemi. Tani nuk besoj më. Kjo është hera e fundit që do të votoj”, thotë Luke.

Një arsye kyçe pse njerëzit ndihen më të ankthshëm për politikën, deri në pikën e kërkimit të ndihmës profesionale, është se ajo është bërë shumë personale. Debatet politike bëhen më urgjente kur lidhen me identitetin personal.

Alan Jacobson, terapist familjar nga Bostoni, i cili thotë se tani pothuajse ekskluzivisht trajton klientë me vështirësi emocionale për shkak të politikës, vëren se shumë njerëz e shohin politikën si çështje morali. Me rrezikun që perceptohet kaq i lartë dhe me hiperpolarizimin në rritje, përplasjet personale mbi politikën bëhen të pashmangshme, gjë që çon në më shumë izolim dhe përfundimisht më shumë ankth.

“Frika është fjala kyçe këtu. Dhe kur kemi frikë, të gjitha emocionet tona intensifikohen ndjeshëm.”, thotë Jacobson.

Faktori tjetër madhor në rritjen e ankthit politik është qasja e pandërprerë në përmbajtje: emisione televizive, gazeta, podkaste dhe rrjete sociale bombardojnë njerëzit me lajme dhe komente në nivele të paprecedenta, duke i lodhur emocionalisht. Në fakt, terapistët thonë se një tipar ishte i përbashkët pothuajse për të gjithë klientët me ankth politik: konsumonin lajme në mënyrë intensive.

“Ata mbajnë CNN ose Fox Neës ndezur në sfond 12 orë në ditë. Ndaj, një nga ndërhyrjet e mia të para është: fikeni televizorin dhe shikojeni vetëm një orë në javë, vetëm lajmet kryesore. Nuk keni nevojë të dëgjoni të njëjtat detaje vazhdimisht. Kjo e rrit ankthin”, thotë Jason Odegaard, terapist me klientë në shtatë shtete amerikane, nga Florida deri në Kaliforni.

Përtej rekomandimit për një “detoks” mediatik, terapistët kanë edhe disa receta të tjera. Disa flasin për pranimin radikal: arti i pajtimit me situata që nuk mund të kontrollohen, në mënyrë që paaftësia për t’i ndryshuar të mos kthehet në vuajtje. Të tjerë sugjerojnë ndryshim të mënyrës së aktivizmit, për shembull duke u shkruar letra ligjvënësve në vend të pjesëmarrjes në protesta.

Por nëse angazhimi qytetar kërkon gjithnjë e më shumë strategji emocionale përballimi, si duket pjesëmarrja afatgjatë në demokraci për një publik të stresuar dhe të përçarë?

Skenari më i keq për vendin, nëse jo për psikikën individuale, është tërheqja totale.

“Një nga mënyrat më të zakonshme për menaxhimin e ankthit është shmangia. Kur ankthi kombinohet me dëshpërimin dhe ndjesinë se nuk mund të bësh asgjë, krijohet stuhia perfekte për shkëputje masive nga politika.”, thotë Ford, psikologu i Universitetit të Torontos që organizon seminaret për terapistët.

Megjithatë, ky nuk është domosdoshmërisht fati i Amerikës. Ankthi politik është në thelb një formë stresi kronik, lloji që depërton në jetën e përditshme dhe njerëzit janë çuditërisht të qëndrueshëm ndaj stresit kronik. Kjo është veçanërisht e vërtetë, thotë Ford, nëse ndjekin strategjitë e duhura përballuese, qoftë duke gjetur mënyra të vogla për të mbetur të angazhuar qytetarisht, qoftë duke praktikuar pranimin radikal kur është e nevojshme.

Megjithatë, këta terapistë nuk ka gjasa të mbeten pa pacientë së shpejti. Sigurisht jo për sa kohë çdo zgjedhje shihet si një betejë me pasoja të mëdha nga të dyja palët politike.

“Mendoj se ndikimi i politikës në mirëqenie do të jetë i fortë këtë vit dhe se ndoshta do të jetë edhe më keq në vitin 2028”, thotë Smith.

3sgIgLJ.png