Pse elitat e pasura pendohen për marrëveshjet e tyre me autoritarët
Të pranishmit në inaugurimin e dytë të presidentit amerikan Donald Trump përfshinin një përbërje tipike zyrtarësh qeveritarë, ligjvënësish dhe kandidatësh për kabinetin. Ajo që nuk ishte tipike ishte prania e miliarderëve, të cilët jo vetëm morën pjesë, por zunë edhe vend qendror.
Drejtori ekzekutiv i Meta-s, Mark Zuckerberg, themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, drejtori i Google, Sundar Pichai, dhe drejtori i Tesla/SpaceX, Elon Musk, ishin ulur një rresht pas fëmijëve të Trump dhe përpara shumë kandidatëve për kabinetin e tij, përfshirë Pete Hegseth, Robert Kennedy Jr. dhe Kristi Noem. Për shumëkënd, vendosja e tyre e spikatur dhe afrimet që dukeshin se po bënin në prag të betimit të Trump, sinjalizuan një marrëveshje të re mes elitave të biznesit amerikan dhe presidentit. Një marrëveshje e tillë nuk është e rrezikshme vetëm për demokracinë e një vendi, por edhe për vetë elitat e biznesit që e bëjnë atë. Ajo e afron Shtetet e Bashkuara me vende ku aleancat mes drejtuesve politikë dhe magnatëve të biznesit janë më të zakonshme.
Me të drejtë, shumë vëzhgues në Shtetet e Bashkuara panë në inaugurimin e Trump institucionalizimin e një oligarkie të re. Termi “oligark” lidhet më shpesh me Rusinë post-sovjetike. Në fund të viteve 1980, reformat e mëdha ekonomike të udhëheqësit sovjetik Mikhail Gorbachev, të njohura si perestroika, lejuan që asetet industriale të shtetëzuara dhe të administruara nga shteti të kalonin gjithnjë e më shumë në duart e menaxherëve të lidhur politikisht dhe një klase në lindje sipërmarrësish.
Rënia e Bashkimit Sovjetik e përshpejtoi këtë proces, pasi keqmenaxhimi ekonomik nga zyrtarët e Kremlinit çoi në mungesa kronike parash dhe detyroi qeverinë të merrte hua nga bankat private. Si kolateral, bankierët privatë kërkuan pjesë në ndërmarrjet kryesore shtetërore. Kur qeveria nuk i shlyente borxhet, bankat merrnin kontrollin e sektorëve kyç të ekonomisë ruse.
Pronarët e këtyre bankave, figura të favorizuara si Roman Abramovich, Boris Berezovsky dhe Mikhail Khodorkovsky, përdorën këto blerje me çmime shumë të ulëta për të konsoliduar pasuri të mëdha në sektorët e naftës, bankave, medias dhe të tjerë.
Kjo u lejoi atyre të ushtronin ndikim të fortë mbi presidentin e ri rus, Boris Yeltsin, dhe mbi ekonominë e vendit. Edhe pse shumë prej këtyre kompanive performuan mirë dhe madje ndihmuan Rusinë të dilte nga kriza financiare e vitit 1998, ky sistem krijoi një përqendrim të madh të pasurisë dhe pushtetit politik që pengoi reformat e vërteta të tregut të lirë në vend.
Por pothuajse po aq shpejt sa u shfaqën, oligarkët rusë u bënë vetë objektiva politikë. Në dekadën e parë të këtij shekulli, me stabilizimin e situatës pas trazirave të viteve 1990, Rusia zhvilloi atë që studiuesit e quajnë “kapitalizëm shtetëror autoritar”: një sistem ekonomik nominalisht privat, por me ndërhyrje të fortë të shtetit për të përfituar një elitë, ndërkohë që institucionet nuk janë ende plotësisht të kapura prej saj. Në këtë sistem, liderët politikë ekzistojnë në një ekuilibër të brishtë, duke u përpjekur të sigurojnë levat e pushtetit në shoqëri që mbeten jashtë kontrollit të tyre. Ata duhet të kapërcejnë kundërpeshën më të rëndësishme ndaj pushtetit politik: pushtetin ekonomik. Për këtë arsye, aktorët ekonomikë të fuqishëm dhe të pavarur bëhen objektiva, sepse fuqia e tyre pengon konsolidimin e plotë autoritar.

Oligarkët rusë janë më të njohurit në botë, por vende të tjera me sisteme të kapitalizmit shtetëror autoritar, nga Arabia Saudite deri në Turqi, kanë versionet e tyre. Elitat në mbarë globin shpesh imagjinojnë se janë të imunizuara ndaj tronditjeve që sjellin ndryshimet e mëdha politike, duke besuar se pasuria dhe rrjetet e tyre do t’i mbrojnë. Por, ashtu si afrimi me autoritarët mund t’i pasurojë dhe fuqizojë përkohësisht, ai mund të çojë edhe në rrëzimin e tyre.
Gjatë viteve 1990, Yeltsin u mbështet gjithnjë e më shumë te oligarkët për të qeverisur në mënyrë efektive dhe, si rezultat, ata fituan ndikim më të madh mbi ekonominë dhe politikën. Kur Vladimir Putin u bë president në vitin 2000, ai nisi një mision për t’i kufizuar ata.
“Turma” e viteve 1990, sipas politologut Jordan Gans-Morse, ia la vendin “njeriut”. Gjatë mandatit të tij të parë presidencial, figura si Berezovsky, Vladimir Gusinsky dhe Vladimir Potanin u përballën me hetime dhe, në shumë raste, me konfiskim të pasurive nga një aparat shtetëror i rigjallëruar. Në vitin 2003, Putin burgosi Khodorkovsky-n, një nga njerëzit më të pasur në botë, me akuza për mashtrim dhe evazion fiskal. Shumë e interpretuan këtë si një “deklaratë lufte” kundër oligarkëve. Bizneset që dikur manipulonin shtetin filluan t’i frikësoheshin atij.
Megjithatë, nuk ishte vetëm kriminaliteti i viteve 1990 që e shtyu Putinin të vepronte. Ai synonte të rikthente autoritetin e shtetit dhe të shmangte perceptimin e dobësisë. Edhe premtimet për të qëndruar jashtë politikës nuk mjaftonin për të mbrojtur një oligark. Siç është vërejtur nga studiuesit, ndërsa biznesi u nxor nga politika, politika hyri gjithnjë e më shumë në biznes. Vetëm oligarkët që shteti lejonte mund të mbijetonin.
Duke u marrë pasuritë oligarkëve post-sovjetikë, Putini mundi të rimbushte arkën shtetërore dhe të shpërndante burimet te një elitë e re, plotësisht e varur nga ai. Pas zgjedhjeve të vitit 2012, sistemi u bë edhe më i centralizuar dhe më i varur nga Putini. Besnikëria ndaj tij u bë kriteri kryesor për sukses. Pasojat e mosrespektimit të këtij pakti mund të jenë fatale. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022, dhjetëra figura të elitës së biznesit rus kanë vdekur në rrethana të dyshimta.
Rënia e oligarkëve rusë është ekstreme, por jo unike. Në sisteme të ngjashme, si në Turqi dhe Arabinë Saudite, shteti ka goditur liderët e biznesit përmes hetimeve, presionit rregullator, konfiskimeve dhe izolimit politik kur ata dyshohen për mungesë lojaliteti. Në Turqi, gjoba dhe presioni ndaj mediave kritike çuan në ndryshime pronësie. Në Arabinë Saudite, ndalimet masive të vitit 2017 u shoqëruan me transferime të detyruara pasurish te shteti.
Fati i këtyre figurave duhet të shërbejë si paralajmërim për liderët e biznesit që zgjedhin të afrohen me autoritarët. Një strategji e tillë mund të sjellë përfitime të mëdha në afat të shkurtër, por mund të dështojë në mënyrë spektakolare në afat të gjatë.
Shtetet e Bashkuara nuk janë Rusi, Turqi apo Arabia Saudite, por, sipas analizës, po përjetojnë një dobësim gradual të demokracisë, i shoqëruar me polarizim politik, zgjerim të pushtetit ekzekutiv dhe sfida ndaj lirisë së shprehjes. Ky trend shfaqet edhe në përdorimin e proceseve ligjore për ndëshkim politik. Marrëdhëniet e afërta mes disa liderëve të biznesit dhe administratës Trump pasqyrojnë këtë zhvillim.
Megjithatë, elitat ekonomike mbeten aktorë kyç për të kthyer këtë prirje. Ato mund të mbështesin institucionet demokratike dhe të kontribuojnë në ruajtjen e balancave. Alternativa është një sistem ku pushteti përqendrohet dhe ku, në fund, askush nuk është i sigurt, përfshirë edhe vetë oligarkët. /Përshtatur nga ForeignAffairs/

