Së pari, ata duhet të shpenzojnë më shumë për mbrojtje, por si është më e rëndësishme se sa. Rritja e pjesës së PBB-së së dedikuar mbrojtjes është e nevojshme, por jo e mjaftueshme. Europa shpenzon shumë për pajisje ushtarake, por e tërë është më pak se shuma e pjesëve të saj
Nga Richard HAASS
Administrata e dytë e presidentit amerikan Donald Trump ka qenë e qartë që nga fillimi se do të riformësonte politikën e jashtme amerikane në mënyra themelore. Strategjia e saj e Sigurisë Kombëtare, e publikuar në nëntor të kaluar, deklaroi se “Ditët kur Shtetet e Bashkuara mbështesnin tërë rendin botëror si Atlas kanë përfunduar” — një ndryshim që është veçanërisht i rëndësishëm për shumë aleatë dhe partnerë të Amerikës, të cilët prej kohësh e kanë bërë varësinë nga SHBA-ja parimin qendror të sigurisë së tyre kombëtare. Shprehja më e fundit e qasjes së ndryshuar amerikane erdhi javën e kaluar, në fjalimin e Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth në Singapor, në një tubim të ministrave dhe ekspertëve të mbrojtjes: “Na duhen partnerë, jo protektorate,” deklaroi Hegseth. “Ne kërkojmë aleanca të ndërtuara mbi përgjegjësi të përbashkët, jo varësi. Kjo është pjekuria e aleancave tona në një epokë të re”.
Kjo mënyrë të menduari amerikane pasqyron, pjesërisht, pikëpamjen e përhapur se për një kohë të gjatë partnerët e sigurisë së vendit nuk kanë marrë përsipër peshën e tyre. Në këtë ka më shumë se pak të vërtetë, pasi shumë aleatë të SHBA-së kanë mundësi ekonomike për të shpenzuar më shumë për mbrojtje. Ajo që tradicionalisht i ka penguar ata ka qenë politika e brendshme dhe madje edhe supozimi se SHBA-ja gjithmonë do t’i mbrojë, çfarëdo qoftë. Kjo nuk do të pranohet më në Uashington. Është gjithashtu e arsyeshme që aleatët dhe partnerët e SHBA-së të marrin përsipër përgjegjësi më afër vendit të tyre. SHBA-ja ka përgjegjësi unike dhe të gjera globale në shumë fronte, përfshirë Evropën, Indo-Paqësorin, Lindjen e Mesme dhe Hemisferën Perëndimore, gjë që sugjeron një motiv më të madh të SHBA-së: ngushtimin e hendekut midis kapaciteteve ushtarake dhe angazhimeve të Amerikës. Ky hendek do të bëhej menjëherë i dukshëm nëse do të lindnin njëkohësisht më shumë se një emergjencë, gjë që është më shumë se një mundësi hipotetike, duke pasur parasysh numrin e kërcënimeve, potenciale dhe reale, nga aktorë shtetërorë dhe jostatërorë, që përballen me SHBA-në dhe partnerët e saj të sigurisë.
Por lufta me Iranin tashmë ka nxjerrë në pah qartë hendekun midis kapaciteteve dhe angazhimeve të SHBA-së. Amerikës i mungojnë jo vetëm sistemet ushtarake të nevojshme për këtë moment, por edhe baza prodhuese që do t’i mundësonte t’i prodhonte ato shpejt, me kosto të ulët dhe në masë. Në këtë pikë, SHBA-ja do të ishte e mençur të mësonte nga Ukraina, e cila ka dalë si një arsenal bashkëkohor i demokracisë dhe po udhëheq botën kur vjen puna te prodhimi dhe përdorimi i dronëve. Për këto dhe arsye të tjera—sidomos natyra e paqëndrueshme e politikës së jashtme të SHBA-së që nuk i konsideron më aleatët si të privilegjuar dhe të denjë për mbështetje të palëkundur—partnerët tradicionalë të Amerikës kanë filluar të rishikojnë strategjitë e tyre të sigurisë kombëtare. Ata kanë të drejtë ta bëjnë këtë.
Së pari, ata duhet të shpenzojnë më shumë për mbrojtje, por si është më e rëndësishme se sa. Rritja e pjesës së PBB-së së dedikuar mbrojtjes është e nevojshme, por jo e mjaftueshme. Europa shpenzon shumë për pajisje ushtarake, por e tërë është më pak se shuma e pjesëve të saj. E njëjta gjë mund të thuhet për shtetet arabe që përballen me Iranin. Në Azi, sistemi aleancash qendër-dhe-rreze me Uashingtonin në qendër duhet t’i lërë vend një qasjeje të rrjetëzuar, ku aleatët e SHBA-së bëjnë më shumë me njëri-tjetrin dhe luajnë role plotësuese në parandalimin dhe përgjigjen ndaj agresionit.
Bashkëpunimi domethënës në mbrojtje kërkon sisteme të përshtatura për rrethanat strategjike lokale, që pasqyrojnë gjeografinë, fuqinë punëtore në dispozicion, kapacitetet dhe strategjinë e agresorëve të mundshëm, si dhe ndihmën që mund të pritet me arsye nga jashtë. Ai gjithashtu kërkon që qeveritë të jenë të gatshme të integrojnë forcat e mbrojtjes, në vend që t’i dyfishojnë nga një vend në tjetrin. Më shumë vetëmbështetje mund dhe duhet të jetë një element i llogaritjeve strategjike, por vetë-mjaftueshmëria rrallë, nëse ndonjëherë, është një opsion realist. Ndërtimi i partneriteteve të reja dhe më të thella është. Partneritetet mund të përfshijnë prodhimin e pajisjeve dhe municionit, ndarjen e inteligjencës, dhe planifikimin dhe trajnimin për dislokime të përbashkëta ushtarake dhe luftë. Partnerët më të dukshëm gjenden në rajonet e tyre përkatëse: Japonia dhe Koreja e Jugut na vijnë në mendje, ashtu si edhe vendet evropiane të shqetësuara për Rusinë dhe vendet e Lindjes së Mesme të shqetësuara për Iranin.
Por partneritetet nuk duhet të jenë domosdoshmërisht vetëm lokale. Arabia Saudite po krijon lidhje të reja me Ukrainën për të përfituar nga përvoja e gjerë e Ukrainës në prodhimin dhe vendosjen e dronëve. Koreja e Jugut po investon në prodhimin e raketave në Poloni. Po ashtu ka kuptim që vendet të rishikojnë e jo të refuzojnë marrëdhëniet e tyre të sigurisë me SHBA-në. Nuk ka asnjë arsye për t’u ndarë—dhe çdo arsye për t’i rezistuar kësaj. Por që marrëdhënia me SHBA-në të funksionojë sot, kërkohet të rishkruhet ndarja e punës, të rishikohen rolet dhe të ristrukturohen marrëveshjet e komandës për t’u dhënë partnerëve më shumë zë.
Mund të ketë edhe një dimension diplomatik në të gjitha këto, për të provuar të reduktojë tensionet me kundërshtarë rajonalë potencialë ose aktualë: Kinën ose Korenë e Veriut në Indo-Paqësor, Rusinë në Evropë, ose Iranin në Lindjen e Mesme. Por këta armiq potencialë ose aktualë duhet të trajtohen vetëm nga një pozicion fuqie ushtarake, e cila, siç u përmend më sipër, kërkon partneritete të reja dhe më të thella. Të përpiqesh t’i akomodosh cilindo prej tyre vetëm, ose në mungesë të një ekuilibri ushtarak të favorshëm, dhe pa një ndalueshmëri efektive, do të ishte budallallëk, i rrezikshëm, ose të dyja. Në një botë ku SHBA-ja nuk mund të llogaritet si dikur, objektivi nuk është stabiliteti me çdo çmim, por stabiliteti në kushte që janë në përputhje me interesat kombëtare dhe ato perëndimore. Kjo është e arritshme, por vetëm nëse miqtë e SHBA-së e njohin realitetin e ri dhe veprojnë individualisht dhe kolektivisht për t’u përballur me sfidën.

