Urim HASIPI
Gostivar – Largimi i familjeve nga rajoni i Pollogut drejt vendeve perëndimore vazhdon të ketë pasoja të mëdha. Migrimi i popullsisë nga ky rajon ka bërë që të ulet ndjeshëm numri i nxënësve në shkollat fillore në Gostivar dhe Vrapçisht.
Në të dy komunat e Pollogut, gjithsej 158 nxënës nuk e kanë vazhduar gjysmëvjetorin e dytë të shkollimit në vendlindje. Të dhënat nga këto dy komuna tregojnë se ky trend vazhdon të jetë i pranishëm, duke zbrazur bankat shkollore.
Në shkollat fillore të Gostivarit, gjatë këtij viti shkollor, fletëlëshime kanë kërkuar gjithsej 125 nxënës, të cilët, së bashku me prindërit, janë larguar nga vendi në kërkim të një jete më të mirë në shtetet e zhvilluara. Nga Sektori për Arsim në Komunën e Gostivarit njoftojnë se gjatë vitit shkollor 2025/26, gjithsej 125 nxënës janë larguar nga shkollat si pasojë e migrimit familjar.
“Numri më i madh i nxënësve të larguar vërehet në shkollat fillore të qytetit, veçanërisht në Shkollën Fillore Komunale ‘Bashkimi’ dhe në Shkollën Fillore ‘Ismail Qemali’, ku fletëshpërngulje kanë kërkuar 22 nxënës, si dhe në Shkollën Fillore ‘Mustafa Kemal Ataturk’, ku janë dhënë 44 fletëshpërngulje”, njoftojnë nga Sektori për Arsim në Komunën e Gostivarit.
Krahas migrimit, ka edhe familje që rikthehen përfundimisht në vendlindje dhe i regjistrojnë fëmijët në shkollë. Nëse nga këto shkolla janë larguar 125 nxënës, 55 prej tyre janë rikthyer.
“Nga ana tjetër, shpresëdhënës është fakti se gjatë së njëjtës periudhë janë regjistruar 55 nxënës të rikthyer nga mërgimi, të cilët janë përfshirë sërish në procesin mësimor. Numri më i madh i rikthimeve është evidentuar në shkollat fillore ‘Ismail Qemali’, ‘Mustafa K.A.’ dhe ‘Faik Konica’, duke treguar një trend pozitiv të rikthimit të familjeve emigrante. Megjithatë, në disa raste procesi i rikthimit është ende në procedurë administrative dhe në pritje të miratimit nga Ministria e Arsimit, çka ndikon në vonesën e përfshirjes së plotë të nxënësve në mësim”, njoftojnë nga Sektori për Arsim në Komunën e Gostivarit.
Më tej, nga ky sektor bëjnë të ditur se në disa shkolla të mesme është vërejtur një nivel më i ulët i migrimit, ndërsa rikthimi mbetet i kufizuar dhe simbolik.
Përveç Gostivarit, edhe Komuna e Vrapçishtit po përballet me pasoja të ngjashme. Kryetari i komunës, Isen Shabani, njoftoi se 33 nxënës kanë kërkuar fletëlëshime, ndërsa largimet më të theksuara janë regjistruar në shkollat e Vrapçishtit, Negotinës dhe Gradecit.
Ndërkohë, në disa vendbanime rurale, kryesisht në viset malore, gjendja paraqitet edhe më e rëndë, pasi për shkak të numrit të vogël të nxënësve, autoritetet arsimore janë detyruar të bëjnë përzierje të paraleleve. Ky trend pritet të ketë pasoja edhe më të mëdha në të ardhmen, pasi do të reflektohet me një numër edhe më të ulët nxënësish në shkollat e mesme. (koha.mk)

