Lajme

Europa “naive” që i përmbahet modelit të vjetër ekonomik

BE duhet të përshtatet me realitetin gjeopolitik të formësuar nga SHBA dhe Kina, thotë Pierre Wunsch

Europa është “naive” kur beson se modeli liberal ekonomik mund të mbijetojë përballë ndryshimit global të shtyrë nga SHBA dhe Kina, sipas guvernatorit të bankës qendrore të Belgjikës.

Pierre Wunsch tha se politikëbërësit e BE-së po vazhdojnë ende të ndjekin objektiva si tregjet e hapura dhe ndihma e kufizuar shtetërore, të cilat nuk pasqyrojnë më realitetin gjeopolitik të formësuar nga politika “America First” e Donald Trump dhe politikat e Pekinit.

“Hapja ndaj tregtisë dhe rregullat strikte për ndihmën shtetërore funksionojnë në një botë që bazohej te rregullat”, tha Wunsch. “Kjo botë nuk ekziston më nëse i përmbahesh shumë një bote që nuk ekziston më, thjesht je naiv.”

Komisioni Europian përcakton politikat e tregtisë dhe konkurrencës për bllokun dhe kohët e fundit ka finalizuar marrëveshje të tregtisë së lirë me vendet e Amerikës Latine, Australinë, Indinë dhe Indonezinë. Por Wunsch e vuri në pikëpyetje këtë qasje: “Si mund të ndjekësh rregulla në një botë ku disa nuk i ndjekin ato?”

Në të kaluarën, tha Wunsch, politikëbërësit mund të “zbatonin agjendën e mirë të tregtisë së lirë dhe gjithashtu të kufizonin shumë politikën industriale”, një qasje që ishte “në përgjithësi e suksesshme, përveç faktit që mbetëm pas në frontin e inovacionit”.

Ky model tani është nën presion. Wunsch theksoi veçanërisht industrinë me intensitet të lartë energjie, ku Europa përballet me kosto strukturore më të larta, por gjithsesi synon të ruajë prodhimin vendas. BE-ja, argumentoi ai, ka një “prirje për të mos u përballur me kompromiset. Thjesht nuk je konkurrues, kjo është e gjitha”.

Në thelb të argumentit të tij qëndron ideja se Europa ka dështuar të përthithë sa shumë është larguar ekonomia globale nga një fushë loje e barabartë. Subvencionet kineze dhe politikat proteksioniste të SHBA-së kanë riformësuar terrenin.

“Bota ka ndryshuar, ndaj nuk mund të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë dhe të japim të njëjtat përgjigje përsëri e përsëri, ndërkohë që ato në një farë mase kanë dështuar në të kaluarën.”

Në një studim të fundit të bankës qendrore belge, Wunsch ofron një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj strategjisë ekonomike të BE-së, duke argumentuar se Brukseli po shmang kompromiset e vështira mes ambicies klimatike, konkurrueshmërisë dhe hapjes.

Komisioni, gjatë dekadës së fundit, ka promovuar gjithashtu një agjendë ambicioze të gjelbër, përfshirë objektivin për të arritur emetime neto zero të karbonit deri në mesin e shekullit. Kriza të njëpasnjëshme, përfshirë pandeminë Covid-19, luftën e Rusisë në Ukrainë dhe luftën e fundit me Iranin, kanë çuar në zbutjen e politikave të Marrëveshjes së Gjelbër, mes shqetësimeve për rritje të dobët dhe rënie të konkurrueshmërisë krahasuar me SHBA-në dhe Kinën.

Vendet në mbarë botën po shqyrtojnë mënyra për t’u shkëputur nga nafta dhe gazi pas krizës së fundit energjetike të shkaktuar nga konflikti me Iranin. Fatih Birol, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, ka parashikuar se kjo do të nxisë energjinë bërthamore, duke theksuar se një pjesë e madhe e centraleve atomike ekzistuese në Europë janë ndërtuar si përgjigje ndaj krizave të naftës në vitet 1970.

“Na duhet një diskutim politik dhe jo këto lloj narrativash të mëdha ku pretendohet se mund t’i kesh të gjitha”, tha Wunsch.

Wunsch dhe bashkautori i tij Geert Langenus argumentojnë se Europa ka një prirje për rishpërndarje ekonomike dhe shmangie të rrezikut për shkak të “preferencave të rrënjosura shoqërore”, të cilat po pengojnë aftësinë e saj për të konkurruar në teknologjitë në zhvillim.

Nga inteligjenca artificiale te robotika, Wunsch paralajmëroi se blloku rrezikon të mbetet edhe më shumë pas, si në inovacion ashtu edhe në aftësinë për të formësuar standardet globale.

“Valë pas vale po mbetemi pas në një mënyrë gjithnjë e më të dukshme”, tha ai. “Po përpiqemi të rregullojmë diçka që nuk e zotërojmë.”

Ndërsa të qenët një “ndjekës” teknologjik, pra dikush që adopton teknologjinë në vend që të udhëheqë inovacionin, mund të ketë qenë e menaxhueshme në të kaluarën, zhvillimi i shpejtë i sotëm rrit rrezikun që Europa të humbasë kontrollin mbi të ardhmen e saj ekonomike.

Në thelb të këtyre sfidave, argumentoi Wunsch, qëndron një kufizim më i thellë politik: “Në thelb kemi demokraci që nuk arrijnë më të marrin vendime.” / FT

3sgIgLJ.png