Shkruar nga Martin Wolf
Lufta me Iranin ka hyrë në muajin e tetë pa një fund të dukshëm, ndërsa ndërprerja e furnizimit me naftë dhe mbyllja e Ngushticës së Hormuzit kanë shkaktuar më pak tronditje ekonomike nga sa pritej. Por kjo qetësi mund të mos zgjasë. Gjithçka do të varet nga zhvillimet në front, rezervat globale, Kina dhe ajo që do të bëjë Donald Trump pas zgjedhjeve të nëntorit…
Lufta ndaj Iranit, e nisur me synimin për të rrëzuar shpejt regjimin në Teheran, ka hyrë tashmë në muajin e tetë. Por fundi i saj nuk duket askund. Ekonomisti politik amerikan John Mearsheimer e ka cilësuar atë si “gabimin strategjik më të madh të të gjitha kohërave”. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara hynë në luftë mbi bazën e pretendimit të rremë se Irani ishte pranë prodhimit të një arme bërthamore, ndërsa historia ka treguar se vetëm fuqia ajrore nuk ka qenë kurrë e mjaftueshme për të rrëzuar një regjim.
Për më tepër, Uashingtoni nuk kishte një plan rezervë për pasojat e mbylljes së Ngushticës së Hormuzit. Katër objektivat kryesore të luftës nuk janë arritur: rrëzimi i regjimit iranian, ndalimi i pasurimit të uraniumit, eliminimi i aftësisë së Iranit për të prodhuar raketa me rreze të gjatë dhe ndërprerja e mbështetjes së tij për Hamasin, Hezbollahun dhe Huthët. Ndërkohë, lufta ka shkaktuar dëme ekonomike dhe ka dëmtuar marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me aleatët e tyre. Megjithatë, një gjë ka qenë befasuese: dëmi ekonomik ka rezultuar shumë më i kufizuar nga sa parashikohej.
Në fillim të luftës, shumë ekspertë prisnin që çmimi i naftës të ngjitej në 200 dollarë për fuçi, duke shkaktuar inflacion të fortë dhe një recesion global. Por çmimi i naftës bruto arriti kulmin në rreth 126 dollarë për fuçi në prill të vitit dhe më pas ra ndjeshëm.
Në terma realë, çmimi i naftës së papërpunuar ka qëndruar pranë mesatares së tij afatgjatë që prej vitit 1972. Në mars, drejtori ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, e kishte përshkruar konfliktin si “kërcënimin më të madh ndaj sigurisë globale të energjisë në histori”.
Por ekonomia botërore, të paktën deri tani, nuk është përballur me katastrofën që shumëkush kishte parashikuar. Një pjesë e shpjegimit qëndron te ndryshimet e ekonomisë globale.
Tranzicioni energjetik ka reduktuar varësinë nga nafta, ndërsa zinxhirët e furnizimit janë treguar më të qëndrueshëm dhe më të aftë për t’u përshtatur. Prodhuesit e naftës dhe gazit jashtë Lindjes së Mesme e kanë rritur furnizimin, ndërsa rezervat globale kanë ndihmuar në mbushjen e boshllëkut.
Sipas Mohammed Elsoukkary, deri në fund të shtatorit eksportet rajonale të naftës bruto kishin rënë në rreth 16.3 milionë fuçi në ditë, nga 19.5 milionë në shkurt. Rreth 9.7 milionë fuçi në ditë vazhdonin të kalonin përmes Ngushticës së Hormuzit.
Por ekziston një dallim i rëndësishëm: ne nuk konsumojmë naftë bruto, por produkte të rafinuara. Dhe pikërisht këtu mund të shfaqen problemet më serioze. Dëmtimi i rafinerive në Gjirin Persik ka krijuar vështirësi të veçanta, sepse rafineritë nuk mund të zëvendësohen lehtësisht.
Çdo rafineri është projektuar për lloje të caktuara nafte dhe për produkte specifike. Për këtë arsye, mungesa e karburanteve të përpunuara, veçanërisht e naftës diesel, mund të bëhet më shqetësuese sesa vetë mungesa e naftës bruto.
Madje presidenti amerikan Donald Trump shqyrtoi mundësinë e ndalimit të eksporteve amerikane të karburanteve, përpara se ta braktiste këtë ide. Ndërkohë, janë rritur edhe çmimet e gazit natyror dhe të squfurit.
Deri tani, ekonomia botërore e ka përballuar goditjen relativisht mirë. Një faktor tjetër ka qenë bumi i investimeve në inteligjencën artificiale, i cili ka ndihmuar në mbështetjen e rritjes ekonomike. Ekonomisti Nouriel Roubini ka vënë në dukje se ky cikël investimesh ka kompensuar një pjesë të presioneve të krijuara nga lufta.
Por kjo nuk do të thotë se ekonomia është e imunizuar. Ajo që ka rëndësi është jo vetëm niveli i investimeve, por edhe ritmi me të cilin ato rriten. Për më tepër, mbetet ende i pasigurt kontributi real i inteligjencës artificiale në produktivitet dhe rritjen ekonomike.
Ekziston edhe një dobësi tjetër: borxhi global. Normat e interesit janë rritur, duke e bërë më të shtrenjtë rifinancimin e borxheve, ndërsa vende si Franca, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara përballen me presione të konsiderueshme fiskale.
Borxhi publik afatshkurtër, është veçanërisht i ekspozuar ndaj rritjes së inflacionit dhe normave të interesit. Pra, pyetja është nëse ajo që kemi parë deri tani është rezultat i paaftësisë së politikës për të parashikuar pasojat apo i aftësisë së ekonomisë globale për t’u përshtatur.
Për momentin, kriza energjetike duket se është mbajtur nën kontroll. Por kjo mund të ndryshojë. Rezervat po pakësohen dhe Kina, e cila ka qenë një nga shtyllat e kërkesës globale, po përballet me një kërkesë të brendshme të dobët.
Nëse këto amortizatorë dobësohen, çmimi i naftës mund të rritet përsëri ndjeshëm. Por pyetja më e rëndësishme nuk lidhet me ekonominë, por me luftën. Çfarë do të bëjë Donald Trump pas zgjedhjeve afatmesme amerikane?
Ai mund ta përshkallëzojë luftën ndaj Iranit. Nga ana e tij, Irani mund të godasë infrastrukturën e naftës në vendet e Gjirit, duke shkaktuar një tronditje shumë më të madhe në tregjet botërore. Por ekziston edhe një skenar tjetër.
Pas zgjedhjeve të muajit nëntor, Kongresi amerikan mund të ushtrojë presion për t’i dhënë fund konfliktit. Ose Trump mund të humbasë interesin për një luftë që nuk po sjell rezultatet e premtuara dhe të lejojë një armëpushim joformal.
Një nga avantazhet e sundimtarëve që marrin vendime në mënyrë arbitrare, është se ata mund të mërziten dhe të ndryshojnë drejtim. Trump mund ta shpallë luftën një fitore dhe të vazhdojë më tej, edhe pse objektivat kryesore nuk janë arritur.
Irani është goditur rëndë, por regjimi ka mbijetuar dhe ndikimi i tij në Gjirin Persik nuk është zhdukur. Në fund, lufta mund të mos përfundojë me një fitore të qartë të askujt. Ajo mund të mbyllet thjesht sepse presidenti amerikan vendos se nuk ia vlen më të vazhdohet./ “Financial Times”

