Një dron zbulues RQ-4D Phoenix i NATO-s ka përshkuar hapësirën ajrore shqiptare gjatë një misioni vëzhgimi drejt Detit të Zi. Trajektorja e pazakontë mbi Shqipëri ka tërhequr vëmendjen e analistëve të aviacionit ushtarak, ndërsa Aleanca ka rikthyer në këtë rajon një nga platformat e saj më të avancuara të mbikëqyrjes ajrore.
Një dron strategjik i NATO-s, i tipit RQ-4D Phoenix, ka kryer këtë të martë, më 10 nëntor, një fluturim mbi Shqipëri, gjatë një misioni zbulimi dhe mbikëqyrjeje në drejtim të Detit të Zi.
Sipas platformës së specializuar për monitorimin e aviacionit ushtarak, ItaMilRadar, droni me numër regjistrimi MM-AV-SA0015 dhe sinjal identifikues MAGMA10 u nis nga baza ajrore e Sigonellës, në Siçili, përpara se të përshkonte Mesdheun qendror dhe të vijonte drejt Ballkanit.
Një nga elementet që ka tërhequr më shumë vëmendje ishte pikërisht itinerari i ndjekur në hapësirën ajrore shqiptare.
Pasi kaloi Detin Jon, droni i NATO-s kreu disa ndryshime të drejtimit të fluturimit mbi Shqipëri, duke ndjekur një trajektore jo të zakonshme përpara se të vazhdonte drejt Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Sipas analizës së ItaMilRadar, një shpjegim i mundshëm lidhet me procedurat e autorizimit për hyrjen në hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut. Droni mund të ketë ndryshuar përkohësisht kursin në pritje të lejes përkatëse.

Trajektorja e ndjekur nga droni
Megjithatë, kjo mbetet një hipotezë e bazuar në të dhënat e gjurmimit të fluturimit dhe jo një informacion i konfirmuar zyrtarisht nga NATO apo autoritetet e aviacionit.
Pas kalimit të Ballkanit, droni vijoi drejt Detit të Zi, ku sinjali i tij u shfaq sërish në sistemet publike të gjurmimit. Mjeti ajror nisi më pas operimin përgjatë pjesës perëndimore të këtij rajoni.
Misioni merr rëndësi edhe për faktin se bëhet fjalë për një nga fluturimet e para të NATO-s me dronin RQ-4D Phoenix që është gjurmuar qartësisht mbi Detin e Zi pas një periudhe me aktivitet të kufizuar të dukshëm publikisht.
RQ-4D Phoenix është një platformë strategjike zbulimi, mbikëqyrjeje dhe grumbullimi informacioni, e projektuar për të operuar në lartësi të mëdha dhe për të qëndruar në ajër për periudha të gjata. Këto aftësi i mundësojnë NATO-s të monitorojë zona të gjera gjeografike dhe të mbledhë të dhëna për zhvillimet ushtarake.
ItaMilRadar vëren se një mision i ngjashëm mund të jetë zhvilluar edhe javën e kaluar, por mungesa e të dhënave publike të gjurmimit nuk ka lejuar rindërtimin e itinerarit të tij.
Rikthimi i dukshëm i dronit Phoenix në Detin e Zi vjen në një periudhë kur NATO vijon të monitorojë aktivitetin ushtarak rus dhe zhvillimet që lidhen me luftën në Ukrainë.
Fluturimi mbi Shqipëri dëshmon gjithashtu përdorimin e hapësirës ajrore të Ballkanit si pjesë e itinerareve të misioneve të mbikëqyrjes strategjike të Aleancës. Megjithatë, të dhënat e publikuara nuk përcaktojnë nëse droni ka kryer aktivitete zbulimi gjatë kalimit mbi territorin shqiptar.

