Lajme

Çka parasheh Ligji i miratuar për Gjykatën Speciale?

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Ligji për Dhomat e Specializuara u miratua mbrëmë pak para mesnate. Ligji në fakt nuk e shfuqizon Gjykatën Speciale por prek disa prej elementeve kryesore të funksionimit të saj si juridiksionin, periudhën kohore që mbulon, dënimet, vendin ku ato mbahen dhe trajtimin e rasteve që do të mbeteshin jashtë kompetencës së saj. Një prej ndryshimeve kryesore ka të bëjë me llojin e veprave që mund të trajtohen nga Dhomat e Specializuara.

Ligji synon ta lidhë juridiksionin e tyre me pretendimet specifike të raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011. Sipas ligjit, Specialja do të merrej me veprat që lidhen drejtpërdrejt me pretendimet për nxjerrjen, heqjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve, indeve ose qelizave njerëzore. Në juridiksion do të përfshiheshin edhe vrasjet, tortura dhe trajtimi mizor ose çnjerëzor në vende specifike të ndalimit të përmendura në raport, kur ato lidhen drejtpërdrejt me operacionet e pretenduara të marrjes së organeve. Kjo do të nënkuptonte heqjen nga juridiksioni i Speciales të krimeve të tjera të luftës, krimeve kundër njerëzimit apo dhunës politike që nuk kanë lidhje të tillë të drejtpërdrejtë. Ndryshon edhe periudha kohore. Ligji i deritanishëm u jepte Dhomave të Specializuara juridiksion për krimet e pretenduara të kryera nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor 2000. Ligji i ri kërkon që kjo periudhë të fillojë më 1 korrik 1999 dhe të përfundojë më 31 dhjetor 2000. Ndryshim kërkohet edhe në aspektin territorial. Juridiksioni kufizohet në vepra që pretendohet të jenë kryer brenda territorit të Kosovës ndërsa Specialja ka pretenduar krime të kryera në Shqipëri.

Një tjetër ndryshim lidhet me tavanin e dënimeve me burg. Ligji parasheh dënim maksimal prej 15 viteve burg. Në dokument kjo lidhet me parimin e ligjit më të favorshëm për të dënuarin – lex mitior – sipas të cilit zbatohet ligji penal që është më i favorshëm për personin e dënuar. Në aktgjykimin e 16 shtatorit, tre nga katër të akuzuarit morën dënime më të larta se 15 vjet.

Ligji parasheh që rastet që sipas juridiksionit të ri, nuk do të ishin më në kompetencën e Dhomave të Specializuara, të transferohen në sistemin e rregullt gjyqësor të Kosovës. Bashkë me rastet do të transferoheshin edhe dosjet, provat dhe materialet përkatëse. Trupat gjykues do të duhej ta rishqyrtonin juridiksionin për secilin rast brenda 30 ditëve.

BE-ja ka reaguar për miratimin e ndryshimeve ligjore. Brukseli shprehet i shqetësuar pasi sipas tyre, të njëjtat bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe zotimit për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, kanë deklaruar nga BE-ja për Radio Europa e Lirë.

Duke iu përgjigjur BE-së, Organizata e Veteranëve të Luftës bëjnë të ditur se Dhomat janë krijuar për të shqyrtuar pretendime të caktuara që burojnë nga raporti i Dik Martit ndërsa praktika e tyre ka devijuar nga ai qëllim, duke e kthyer drejtësinë selektive në aktakuzë të zgjatur kundër luftës së drejtë çlirimtare të UÇK-së dhe luftëtarëve.

Dhomat kanë selinë në Hagë, por janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës. Bashkimi Evropian është mbështetësi kryesor financiar i tyre, me gati 400 milionë euro që nga themelimi.

3sgIgLJ.png