Nuk është thjesht një qen bariu, por një bashkëpunëtor i pazëvendësueshëm. Në ankandet britanike, Border Collie-t më të mirë mund të shiten për më shumë se 10 mijë euro, ndërsa në raste të rralla çmimi mund të arrijë edhe në 30 mijë euro.
Arsyeja? Aftësitë e tyre të jashtëzakonshme për të drejtuar tufat dhe vlera ekonomike që mund të krijojnë në një fermë.
Në Skipton, një qytezë në North Yorkshire të Anglisë, mblidhen fermerë dhe rritës bagëtish nga e gjithë bota, fizikisht ose online, për të blerë një nga mjetet më të rëndësishme të punës në fermë: qenin bari.
Skipton është prej vitesh një nga qendrat më të njohura për shitjen e Border Collie-ve, racë që konsiderohet gjerësisht ndër më të aftat për këtë lloj pune.

Një “punonjës me katër këmbë”
Cilësia kushton dhe Border Collie-t nuk bëjnë përjashtim. Rekordin botëror e mban Kim, një qenush i kësaj race i shitur në Uells në vitin 2021 për plot 32.500 euro, përfshirë edhe komisionet e ankandit.
Megjithatë, edhe jashtë rasteve rekord, çmimet janë të larta. Një këlysh që ende nuk është trajnuar për punë mund të kushtojë 500-1.000 euro, ndërsa për ekzemplarë me potencial të veçantë shumat rriten ndjeshëm.
Në një ankand në Skipton, në mars 2026, disa këlyshë arritën deri në 5.200 euro. Qentë që kanë nisur tashmë punën me tufat zakonisht kushtojnë rreth 2.500-3.000 euro, por çmimi mund të kalojë lehtësisht 10 mijë euro.
Në qershor 2026, një qenush i trajnuar, i quajtur Sue, u shit për rreth 14.200 euro. Në të njëjtin ankand, meshkujt e regjistruar kishin një çmim mesatar mbi 4.500 euro, ndërsa femrat rreth 6.500 euro.
Për qentë e jashtëzakonshëm, sidomos ata të aftë të menaxhojnë tufa të mëdha ose komplekse, çmimet mund të shkojnë në 20 mijë apo edhe 30 mijë euro.

Pse kushton kaq shumë?
Përgjigjja qëndron te vlera që qeni krijon për fermerin. Një studim i Universitetit të Sidneit, ka llogaritur se një qen pune i trajnuar mirë mund të sjellë një kthim ekonomik më shumë se pesë herë më të lartë se kostoja e tij.
Border Collie nuk kufizohet vetëm në mbledhjen dhe drejtimin e tufës. Ai mund të ndajë kafshët që duhen mjelë ose trajtuar, t’i mbajë larg portave dhe ushqyesve, si dhe të drejtojë tufa bagëtish të mëdha.
Komandat me zë dhe fishkëllima mund të zbatohen nga distanca, shpesh pa qenë nevoja që fermeri të lëvizë. Çmimi përfshin edhe vitet e trajnimit dhe përzgjedhjen gjenetike.
Një këlysh duhet të shndërrohet gradualisht në një qen të besueshëm, të aftë të punojë nën stres dhe pranë kafshëve të mëdha. Pra, fermeri nuk blen thjesht një kafshë, por një aftësi pune që mund të jetë e vështirë të zëvendësohet.

Një treg ndërkombëtar
Tregu i Border Collie është tashmë global. Skipton mbetet një nga qendrat kryesore, por ankande të rëndësishme zhvillohen edhe në Uells dhe pjesë të tjera të Britanisë së Madhe.
Në ankandin e Dolgellaut, një femër 14-muajshe e quajtur Dot u shit për 19 mijë euro, ndërsa një tjetër qen arriti 14.700 euro. Ankandet online të organizuara nga Harrison & Hetherington tërheqin blerës nga Britania, Irlanda, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara.
Në ankandet kryesore marrin pjesë fermerë, rritës dhe trajnerë nga Japonia, SHBA-ja, Kanadaja, Gjermania, Belgjika, Italia dhe Australia. Qentë blihen për punë në ferma, për shumim ose për garat e drejtimit të tufave.
Një Border Collie i trajnuar në Uells mund të përfundojë në një fermë në Teksas, ndërsa një tjetër nga Yorkshire mund të nisë një jetë të re në Japoni.
Kjo kërkesë globale, e mbështetur nga reputacioni i qenve britanikë, mban të larta çmimet dhe e ka kthyer këtë racë në njëkohësisht mik besnik dhe një nga mjetet më të vlefshme të punës në fermë.

