Konflikti me Iranin pritet të tronditë tregjet globale dhe të shtyjë lart çmimet e naftës dhe energjisë
Banka Botërore paralajmëron një rritje të ndjeshme të çmimeve të energjisë gjatë këtij viti, duke e cilësuar si rritjen më të madhe në katër vitet e fundit. Sipas raportit më të fundit “Commodity Markets Outlook”, çmimet e energjisë pritet të rriten me rreth 24 për qind, duke arritur nivelet më të larta që nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022.
Raporti lidh këtë zhvillim drejtpërdrejt me përshkallëzimin e konfliktit me Iranin, i cili ka shkaktuar tronditje në tregjet globale të mallrave, veçanërisht në sektorin energjetik. Përveç energjisë, Banka Botërore parashikon që çmimet e përgjithshme të mallrave të rriten me 16 për qind në vitin 2026, të nxitura nga shtrenjtimi i energjisë, plehrave kimike dhe rritja në nivele rekord e disa metaleve kyçe.
Në këtë kuadër, çmimi i naftës Brent pritet të arrijë mesatarisht në 86 dollarë për fuçi në vitin 2026, krahasuar me 69 dollarë në vitin 2025. Ky skenar bazohet në supozimin se ndërprerjet më të forta në furnizim do të zbuten deri në muajin maj dhe se transporti detar përmes Ngushticës së Hormuzit do të rikthehet gradualisht në nivelet para konfliktit deri në fund të vitit 2026.
Megjithatë, situata mbetet e brishtë. Sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe ndërprerjet në transportin detar në Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 35 për qind e tregtisë globale detare të naftës, kanë shkaktuar një goditje të paprecedentë në furnizimin global. Sipas raportit, në fazën fillestare kjo ka reduktuar furnizimin me rreth 10 milionë fuçi në ditë, një nga ndërprerjet më të mëdha të regjistruara ndonjëherë.
Ky zhvillim rrit pasigurinë në tregjet energjetike dhe mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për ekonominë globale, duke shtuar presionin mbi inflacionin dhe kostot e prodhimit në shumë vende.

