Rritja e fortë e çmimeve të karburantit për avionë, e nxitur nga lufta, po ushtron presion të madh mbi industrinë globale të aviacionit, duke detyruar kompanitë ajrore të shkurtojnë fluturimet, të rrisin çmimet e biletave dhe të shtojnë tarifa shtesë.
Çmimi i karburantit ajror është rritur ndjeshëm në javët e fundit, nga rreth 85-90 dollarë për fuçi në nivele që variojnë mes 150 dhe 200 dollarëve, duke rënduar ndjeshëm kostot operative.
Në një analizë për “Al Jazeera”, këshilltarja për aviacionin dhe turizmin, Anita Mendiratta, thekson se qëndrueshmëria e kësaj situate ndryshon sipas rajonit. Ajo nënvizon se disa tregje po hyjnë në sezonin veror, kur kërkesa për udhëtime – si në distanca të shkurtra ashtu edhe të gjata – rritet ndjeshëm.
Një nga shembujt më domethënës, sipas saj, është vendimi i kompanisë Lufthansa për të hequr nga orari rreth 20 mijë fluturime të shkurtra deri në tetor, një masë që lidhet drejtpërdrejt me konsumin e karburantit.
“Bëhet fjalë për mënyrën se si kompanitë ajrore balancojnë vendimet për anulimin e fluturimeve në një situatë kur karburanti, një burim thelbësor, bëhet i kufizuar dhe shumë i shtrenjtë”, shpjegon ajo.
Edhe para krizës, karburanti përbënte rreth 30% të kostove operative të një avioni, duke ndikuar ndjeshëm në fitimet. Rritja e çmimeve në këto nivele e bën të vështirë për shumë kompani të mbajnë në operim një pjesë të flotës së tyre.
Megjithatë, sipas ekspertëve, linjat ajrore nuk po ndalin plotësisht operimet, por po reduktojnë selektivisht fluturimet, duke u fokusuar në menaxhimin e kostove në një treg gjithnjë e më të paqëndrueshëm. /Al Jazeera

