Përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të bllokuar trafikun detar nga portet iraniane nuk po japin një tablo të qartë mbi efektivitetin e tyre.
Uashingtoni ka premtuar të ndalojë anijet që nisen nga Irani derisa vendi të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit, por analiza e ekspertëve dhe të dhënat e gjurmimit detar tregojnë një realitet më kompleks.
Sipas “AFP”, objektivat në ndryshim dhe aktivitetet e paqarta të disa anijeve e bëjnë të vështirë vlerësimin e suksesit të kësaj bllokade.
“Ka pasur konfuzion mbi shtrirjen dhe parametrat e bllokadës për shkak të informacionit kontradiktor nga administrata amerikane dhe vonesave në publikimin e të dhënave”, tha Bridget Diakun, analiste në Lloyd’s List Intelligence.
Të dhënat e gjurmimit dhe imazhet satelitore të analizuara nga kompani detare tregojnë se dhjetëra anije kanë kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit, përfshirë edhe anije me flamur iranian nën sanksione, si dhe mjete që lëvizin drejt dhe nga portet iraniane.
Sipas ekspertëve, sapo hyjnë në Gjirin Persik, anijet mund të manipulojnë sinjalet e transmetuesve për të fshehur pozicionin e tyre dhe madje të kryejnë transferime nafte nga një anije në tjetrën, duke vënë në provë kufijtë e bllokadës amerikane.
Situata në terren mbetet dinamike, ndërsa efektiviteti i masave amerikane vazhdon të jetë subjekt debatesh mes analistëve.

