Lajme

“Mbjellja e reve”/ Nga Kina te Emiratet Arabe, vendet që po përdorin teknologjinë për të “prodhuar” shi

Dronët që shpërndajnë substanca kimike në re për të nxitur reshje shiu apo dëbore nuk janë një teori konspirative, por një teknologji reale e njohur si “cloud seeding” ose “mbjellja e reve”.

Prova më e fundit vjen nga startup-i amerikan Rainmaker, i cili në prill deklaroi se kishte arritur provën e parë të qartë shkencore se përdorimi i dronëve për këtë teknikë mund të ndikojë drejtpërdrejt në krijimin e reshjeve. Sipas kompanisë, u tregua se reshjet e krijuara ishin rezultat i ndërhyrjes njerëzore dhe nuk do të kishin ndodhur në të njëjtën mënyrë pa këtë proces.

Edhe pse kjo metodë përdoret prej vitesh në shumë vende të botës, shkencëtarët kanë pasur debate për efektivitetin e saj. Pas rezultateve të fundit, diskutimi pritet të përqendrohet më shumë te siguria e substancave të përdorura dhe ndikimi i mundshëm afatgjatë në mjedis.

Mbi 50 vende në botë kanë përdorur programe për “mbjelljen e reve” për të rritur reshjet. Kina ka një nga programet më të mëdha në botë, duke përdorur dronë dhe avionë për të mbuluar zona të mëdha.

Emiratet e Bashkuara Arabe investojnë në këtë teknologji për të sjellë shi në zonat e thata të shkretëtirës, ndërsa në disa shtete amerikane përdoret për të rritur rezervat ujore.

Izraeli e ka përdorur prej kohësh për qëllime bujqësore, ndërsa vende si Rusia dhe Tajlanda e aplikojnë për të kontrolluar reshjet dhe për të ulur dëmet nga breshëri. Në Pakistan dhe Meksikë, kjo teknologji është përdorur edhe për të pastruar ajrin nga ndotja.

Procesi funksionon duke futur në re grimca të veçanta, si jodur argjendi, akull të thatë (një formë e dioksidit të karbonit në gjendje të ngurtë) ose kripëra të ndryshme, të cilat ndihmojnë në formimin e pikave të ujit ose kristaleve të akullit që më pas bien si shi apo dëborë.

Në të kaluarën përdoren avionë dhe mjete të tjera për shpërndarjen e këtyre substancave, por sot dronët konsiderohen më efikasë, pasi mund të fluturojnë në zona ku avionët me pilot e kanë më të vështirë të operojnë. Për më tepër, teknologjia e inteligjencës artificiale ndihmon në identifikimin e reve me mundësinë më të madhe për të prodhuar reshje.

Rainmaker deklaron se testet në SHBA kanë treguar rezultate konkrete. Përmes radarëve dhe satelitëve u identifikuan zona ku reshjet përputheshin me rrugët e fluturimit të dronëve. Sipas kompanisë, operacionet në Oregon dhe Utah kanë sjellë mbi 540 milionë litra ujë të ëmbël.

Kjo teknologji shihet si një mundësi e rëndësishme për përballimin e thatësirave, rritjen e rezervave ujore dhe menaxhimin e kushteve ekstreme të motit, ndërsa pritet të marrë më shumë investime në të ardhmen.

3sgIgLJ.png