Lajme

Shitet rezidenca e famshme e Berlusconit, Villa Certosa blihet nga familja mbretërore e Katarit!

Villa Certosa, rezidenca ikonike e ish-kryeministrit italian, kalon në pronësi të familjes Al Thani pas një prej marrëveshjeve më të mëdha të pasurive të paluajtshme në Itali.

Një nga pronat më famëkeqe në Itali thuhet se ka gjetur një blerës. Ish-kryeministri dhe ministri i jashtëm i Katarit, Hamad bin Jassim bin Jabr Al Thani, ka blerë Villa Certosa, pronën në Sardenjë të kryeministrit të ndjerë italian Silvio Berlusconi, për 350 milionë euro, sipas të përditshmes italiane La Repubblica. Shitja vjen afërsisht një vit pasi familja e Berluskonit e nxori pronën në shitje.

Vila me pamje nga Gjiri i Marinellës shërbeu si oborri jozyrtar veror i udhëheqësit italian ndërsa ishte në pushtet, duke fituar famë për të ashtuquajturat festa “bunga bunga”. Këto mbrëmje festive, tashmë famëkeqe, çuan në një çështje gjyqësore për prostitucion nën moshë, ku Berlusconi u akuzua për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Ai në fund u lirua nga akuzat, ndryshe nga ish-higjienistja dentare dhe personalitet televiziv Nicole Minetti, dënimi i së cilës për rolin e saj në sigurimin e grave për këto ngjarje shkaktoi kaos në ministrinë e drejtësisë të kryeministres aktuale Giorgia Meloni në maj.

Blerësi i Villa Certosa raportohet se vepron përmes një mekanizmi investimi me seli në Luksemburg të lidhur me familjen Al Thani, dinastinë që ka sunduar Katarin për më shumë se 150 vjet. Blerja i shtohet ndikimit në rritje të familjes në Sardenjë, ku ajo tashmë ka investime që variojnë nga asetet e turizmit luksoz deri te spitali Mater Olbia.

Shitja ndihmon gjithashtu në zgjidhjen e trashëgimisë së fundit financiare të Berluskonit, trashëgimtarët e të cilit kanë ekzekutuar testamentin e manjatit të ndjerë të medias që nga vdekja e tij në vitin 2023. Ndër shumat më të mëdha që Berlusconi la si trashëgimi janë nga 100 milionë euro secili për ish-partneren e tij Marta Fascina dhe vëllain Paolo Berlusconi.

3sgIgLJ.png