Lajme

Shllaku: Gazi amerikan mund të vijë në Kosovë përmes Greqisë ose Vlorës

Eksperti i energjisë, Luan Shllaku, vlerësoi se qëndrimi që Kosova do të marrë ndaj mundësisë së furnizimit me gaz amerikan nuk është vetëm një vendim energjetik, por edhe një përcaktim me peshë strategjike, përcjell Gazeta Metro.

Ai tha se pranimi ose refuzimi i këtij opsioni lidhet drejtpërdrejt me pozicionimin e vendit në raport me shtetet e rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Pra, një “po” e jona apo një “jo” e jona nuk do të ketë vetëm rëndësi teknike, se a do të arrijmë të furnizohemi me një gaz që na konvenon më pak apo më shumë, por do të jetë e rëndësisë strategjike, a do të duam edhe ne të jemi së bashku me të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit, edhe jo vetëm Ballkanit, që shkon edhe lart deri në Sllovaki, Ukrainë dhe Gjeorgji”, tha ai.

Shllaku sqaroi se një nga rrugët e mundshme të furnizimit kalon përmes terminalit të gazit të lëngshëm në Aleksandropolis të Greqisë, me vazhdim drejt Shkupit dhe më pas në Kosovë. Ai theksoi se ekziston edhe një alternativë tjetër përmes Shqipërisë.

“Jo, patjetër, gazi amerikan do të na vinte nëpërmjet portit të Aleksandropolis në Greqi, do të shkonte deri në Shkup dhe prej Shkupit do të vinte, të themi, në Prishtinë apo në Kosovë, në cilëndo pikë që ne e duam atë. Por e njëjta mundësi ekziston, do të ekzistojë së shpejti, sepse tashmë Shqipëria e ka nënshkruar me amerikanët mundësinë e furnizimit për 20 vitet e ardhshme të gazit të lëngët. Pra, Aleksandropolis nuk është i vetmi vend prej nga mund të marrim gazin amerikan, por mund ta marrim edhe nga Vlora”, tha ai.

Duke folur për opsionin e Vlorës, eksperti theksoi se infrastruktura mund të mbështetet në platforma lundruese të gazifikimit, të cilat sipas tij mund të mundësojnë furnizimin dhe më pas lidhjen me rrjetet ekzistuese energjetike drejt Kosovës.

“Aleksandropolisi ka filluar në vitin 2022 të punojë. Në Vlorë punojnë shpejt dhe unë nuk e aq shoh shumë Vlorën problematike në këtë aspekt, sepse një tanker amerikan mund të vijë shumë shpejt dhe së bashku me tankerët amerikanë vijnë platformat e gazifikimit, të cilat janë po ashtu të shpërndara nëpër portet botërore dhe si tankerët e mëdhenj nëpër lufta që i shëtit Amerika, i shëtit edhe këto platforma, dhe ajo në Vlorë mund të sjellë platformën e gazifikimit. Vjen tankeri përmes detit. Janë platforma lundruese deri në Vlorë. Nga Vlora në Kosovë lidhemi me mundësinë e hapjes së linjës së Tap-it i cili shkon në Shqipëri vertikalisht deri lart dhe kthehet në Kosovë”, tha ai.

3sgIgLJ.png