Më 7 korrik 2022, gazetari investigativ u gjet i vdekur në trotuar; dera e banesës ishte e hapur, gjurmë të huaja në shtëpi, dëshmi se një 'mik' i ishte afruar me angazhim privat nga persona të rëndësishëm që Myftaraj investigonte. Nëna e tij dyshonte për të njëjtin person, që kishte tentuar ta helmonte gjatë një dreke. Por policia dhe prokuroria mbyllën dosjen, pa i hetuar provat. 'Bashkim Përmeti' vijon jetën i qetë…
Më 7 korrik 2022, Policia e Shtetit njoftoi se analisti dhe gazetari investigativ, drejtues i emisionit “Ju Flet Moska”, Kastriot Myftaraj, u vetëvra duke u hedhur nga kati i katërt i pallatit.
Dosja për të u mbyll me shpejtësi dhe u klasifikua “Vetëvrasje”, pa i hetuar shkaqet dhe rrethanat e hedhjes nga lartësia e banesës, sepse dhe hetimi për të nuk u krye me dyshimin “vrasje”, megjithëse kishte indicie e prova për një akt të tillë.
Miku familjar i gazetarit të ndjerë Kastriot Myftaraj, avokati Kastriot Frashëri, deklaroi në media se policia, prokuroria dhe gjykata që pushoi çështjen si “vetëvrasje” lanë jashtë hetimit dëshmitarë kyç, prova të rëndësishme dhe një person të dyshuar për vrasjen.
Dëshmitë nga miq e bashkëpunëtorë të gazetarit Kastriot Myftaraj, akuzat konkrete nga nëna e tij dhe provat e gjurmëve të gjetura në banesë, në kompjuterin dhe telefonin e tij, çuan policinë e prokurorinë në dyshime të arsyeshme për një koleg “mik” si autor i mundshëm i vrasjes.
Ai njihet me pseudonimin “Bashkim Përmeti”, i përdorur para vitit 1990 kur ishte oficer sigurimi në ushtri, ndërsa pas vitit 1992 e përdori kur u “desantua” si bashkëpunëtor i SHIK-ut, policisë e prokurorisë brenda stafeve të disa gazetave, si gjoja gazetar i kronikës së zezë.
Hetimet e lëna jashtë dosjes zbuluan dhe krijuan një linjë provash që vërtetuan se “Bashkim Përmeti” i ishte ngjitur Kastriot Myftarajt dhe i kishte krijuar aq besim, sa i futej lirshëm në shtëpi.
Nga dëshmitë e personave të të njëjtit rreth të përbashkët shoqëror dhe nga komunikimet telefonike, u zbulua gjithashtu se “Bashkim Përmeti” i ishte afruar Kastriot Myftarajt si angazhim privat, i ngarkuar nga politikanë, qeveritarë, zyrtarë drejtësie e policie dhe biznesmenë të fuqishëm, të cilët ishin objekt i investigimeve që publikonte gazetari Myftaraj.
Nuk u bë pjesë e hetimit fakti që dera e apartamentit të ndjerit Kastriot Myftaraj ishte e hapur pas aktit të hedhjes së tij nga lartësia, ndërsa në dorezën e derës, në derë, mure dhe në orendi të tjera brenda shtëpisë kishte gjurmë të freskëta gishtash e gjurmë këpucësh, që nuk i përkisnin gazetarit Myftaraj e as nënës së tij.
Nuk u hetua as dëshmia e nënës së tij, se dyshonte plotësisht që vrasjen e ka kryer ky person i besuar i gazetarit Kastriot Myftaraj dhe që rezulton të ketë pseudonimin “Bashkim Përmeti”.
Po sipas deklaratës që bëri nëna e të ndjerit Kastriot Myftaraj në polici e prokurori, kishte dyshime se miku i tij kishte tentuar ta vriste edhe më parë gjatë një dreke, duke i hedhur substanca të rrezikshme në ushqim e pije, të cilat i shkaktuan dëmtim shëndetësor.
Këto deklarime për mikun “Bashkim Përmeti”, siç e thërriste edhe vetë Kastriot Myftaraj që ia dinte historitë e vjetra, u depozituan dhe në gjykatë.
Ndërsa trupa gjyqësore nuk i kërkoi prokurorisë të kryente hetime për to e të plotësonte dosjen, kur hetime bëhen edhe kur dikush bie nga pema apo vritet nga rrufeja dhe shohin të gjithë.
Por i dyshuari dhe i akuzuari si realizues i vrasjes së gazetarit Kastriot Myftaraj nuk shkoi as në varrimin e mikut të tij e nuk i ngushëlloi as nënën që e trajtonte si djalin e saj.
Kur edhe brenda qarqeve mediatike shpërthyen dyshimet dhe akuzat se ai ishte autor i vrasjes së gazetarit Myftaraj, miku “Bashkim Përmeti” bëri një reagim publik të acaruar.
E kishte mbushur me deklarime të gënjeshtërta, devijim faktesh, justifikime, mohim kontaktesh e vizitash në shtëpi ditën e vrasjes, me keqardhje, me mohim të drekës së përbashkët dhe qëndrime të rënduara psikologjike.
Ndërsa gjatë 4 viteve pas vrasjes së gazetarit Kastriot Myftaraj, miku i akuzuar “Bashkim Përmeti” bën jetë qejfi dhe ka kontakte me politikanë, biznesmenë, zyrtarë policie e drejtësie, që gazetari i ndjerë i kishte subjekte denoncimesh në investigimet e tij./Pamfleti

