Lajme

Zgjedhje të parakohshme për të mbuluar krizën!

LSDM-ja e akuzoi kryeministrin Hristijan Mickoski se nxiton drejt zgjedhjeve të parakohshme për ta fshehur arkën e zbrazët shtetërore dhe premtimet e parealizuara, duke theksuar se opozita nuk do t’i bëhet alibi për shpalljen e tyre. “Hristijan Mickoski sërish e demantoi vetveten. Pasi me muaj të tërë pohonte se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, tani paralajmëron se zgjedhjet do të jenë ‘shumë shpejt’. Kjo është edhe një dëshmi se fjala e Mickoskit nuk vlen asgjë. Te Mickoski gjithçka është gënjeshtër”, deklaroi Zhernovski në konferencën për media. Sipas tij, kryeministri dëshiron t’i shpallë zgjedhjet para kohe për të fshehur gjendjen e financave publike.

“Mickoski dëshiron t’i shpallë zgjedhjet para kohe për ta fshehur arkën e zbrazët shtetërore, të cilën e zbrazën me grabitje përmes tenderëve, por edhe premtimet e parealizuara ndaj qytetarëve, gjendjen katastrofale ekonomike dhe varfërinë në rritje. E vërteta është e thjeshtë: para nuk ka, rezultate nuk ka, ndërsa gënjeshtrat e Mickoskit më nuk pinë ujë”, tha ai. Zhernovski theksoi se pas dy vjetësh të qeverisjes së Mickoskit, Maqedonia e Veriut përballet me probleme serioze ekonomike. “Qytetarët jetojnë më keq, standardi jetësor është më i ulët. Në çdo fushë është më keq. Pagat nuk e ndjekin rritjen e çmimeve, jeta po bëhet gjithnjë më e shtrenjtë, varfëria është rritur për 22 për qind. Investimet e huaja shënojnë rënie dramatike prej mbi 60 për qind, ndërsa ekonomia shkon teposhtë”, deklaroi ai, duke shtuar se bujqit janë lënë vetëm, subvencionet u janë zvogëluar për 40 milionë euro, grumbullimi i prodhimeve është ulur për 46 për qind, ndërsa të rinjtë po e braktisin masivisht vendin sepse nuk shohin perspektivë.

Funksionari i LSDM-së e lidhi nxitimin për zgjedhje edhe me zhvillimet rajonale, duke përmendur paralajmërimet për zgjedhje të mundshme edhe në Serbi. “Ra Orbani, siç paralajmëronim. Pas Orbanit vjen Vuçiqi, pastaj Mickoski. Kjo është radha. Organizata kriminale po bie. Bien si domino”, tha Zhernovski. Ai i quajti “rezultate të porositura” anketat e fundit të publikuara nga VMRO-DPMNE-ja.

“Njësoj siç publikonte Orbani anketa në Hungari, e të gjithë e dimë cili ishte rezultati në fund. Kur nuk ka rezultate, mburren me shifra të rreme. Parim i njëjtë, shkollë e njëjtë”, deklaroi ai. Zhernovski tha se qytetarët prej kohësh shohin se ekzistojnë “dy Mickoski”. “Njëri premtonte kthimin e emrit dhe anulimin e Marrëveshjes së Prespës, ndërsa tjetri sot e quan atë kryevepër të diplomacisë. Njëri ishte kundër NATO-s, tjetri sot mburret me anëtarësimin. Njëri udhëhiqte fushatë antievropiane, tjetri nëpër kryeqytetet evropiane premton reforma dhe integrime evropiane. E njëjta gjë po ndodh edhe me zgjedhjet”, tha ai.

Sipas Zhernovskit, derisa kishte hapësirë për borxhe të reja dhe shpenzim të parave të popullit, Mickoski siguronte se zgjedhje nuk do të ketë. “Tani kur po e humb mbështetjen, kur humbën mbi 150 mijë vota, kur rejtingu i Mickoskit është në rënie të lirë për shkak të gënjeshtrave të përditshme dhe rezultateve të padorëzuara, ata duhet sa më shpejt t’i shpallin zgjedhjet. Zgjedhje do të ketë, sepse Mickoski tashmë e ka menduar skenarin, por nuk do të mund ta shpëtojë veten dhe bandën e tij që e shkatërroi shtetin. Ne nuk do t’i bëhemi alibi Mickoskit për shpalljen e zgjedhjeve”, përfundoi Zhernovski.

Reagimi i sekretarit për bashkëpunim ndërkombëtar të LSDM-së, Andrej Zhernovski, vjen një ditë pas deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili të enjten, tha se “shumë shpejt do të ketë zgjedhje parlamentare”. I pyetur të precizojë nëse mendon për zgjedhje të parakohshme në vitin 2027 apo për ato të rregullta në vitin 2028, Mickoski nuk dha përgjigje konkrete, duke thënë se VMRO-DPMNE është e gatshme për zgjedhje kurdo që e kërkon opozita. Më herët, në muajin maj, kryeministri kishte deklaruar se këtë vit nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, sepse ky është vit reformash dhe konsolidimi, ndërsa si opsion të preferuar i përmendte zgjedhjet e rregullta në pranverën e vitit 2028. (koha.mk)

3sgIgLJ.png