Lajme

Rrugët e kryeqytetit mbushen me shpresë, revolta qytetare nuk njeh ndalesë

Nga qendra e kryeqytetit deri në Astir, protesta qytetare po shndërrohet në një lëvizje gjithnjë e më të madhe kundër qeverisë dhe politikës së vjetër. Mes flamujve kuqezi dhe thirrjeve për ndryshim, pjesëmarrësit po japin një mesazh të qartë: Shqipëria nuk u përket më partive, por qytetarëve.

Për të 12-ën ditë radhazi, Tirana është pushtuar nga mijëra qytetarë që refuzojnë të largohen nga rrugët. Ajo që nisi si një protestë kundër projektit në Zvërnec është kthyer tashmë në një lëvizje të gjerë qytetare, e cila po sfidon jo vetëm qeverinë e Edi Ramës, por të gjithë klasën politike që ka dominuar vendin gjatë 35 viteve të fundit.

Edhe sot, pas tubimit para Kryeministrisë, turma nuk është shpërndarë. Përkundrazi. Marshimi ka vijuar për orë të tëra në rrugët e kryeqytetit, duke kaluar nga Zogu i Zi, ish-Dogana dhe deri në Astir, në një demonstrim force që rrallë është parë në historinë e protestave shqiptare.

Rrugët e kryeqytetit mbushen me shpresë, revolta qytetare nuk njeh

Në çdo rrugë ku kanë kaluar, protestuesit kanë përsëritur të njëjtat mesazhe: “Rama jepe dorëheqjen!”, “Shqipëri e Re!”, “Ju erdhi fundi!” “Atdheu nuk shitet!” dhe “Shqipëria është e jona!”

Por përtej sloganeve, ajo që bie në sy është profili i protestuesve. Në mesin e tyre ka studentë, të rinj, familjarë, pensionistë, emigrantë të kthyer enkas për protestën dhe qytetarë që nuk kanë qenë kurrë pjesë e organizimeve politike.

Rrugët e kryeqytetit mbushen me shpresë, revolta qytetare nuk njeh

Kjo është arsyeja pse shumë pjesëmarrës e konsiderojnë këtë lëvizje si diçka më të madhe se një protestë të zakonshme. Ata e shohin si një revoltë qytetare kundër modelit politik që ka prodhuar emigracion masiv, varfëri, korrupsion dhe mungesë shprese.

Pikërisht të rinjtë janë kthyer në fytyrën më të dukshme të kësaj proteste. Me pankarta kreative, me thirrje kundër establishmentit dhe me një energji që nuk është parë prej vitesh në jetën publike shqiptare, ata po japin sinjalin se nuk pranojnë më të jenë spektatorë të fatit të vendit.

Rrugët e kryeqytetit mbushen me shpresë, revolta qytetare nuk njeh

Ndërsa turma marshon deri në periferi të Tiranës dhe rikthehet sërish drejt qendrës, mesazhi që del nga kjo lëvizje bëhet gjithnjë e më i qartë: qytetarët nuk po kërkojnë vetëm largimin e një kryeministri, por fundin e një kulture politike që sipas tyre ka mbajtur peng Shqipërinë për më shumë se tre dekada.

Rrugët e kryeqytetit mbushen me shpresë, revolta qytetare nuk njeh

Dhe nëse ka një element që e dallon këtë protestë nga shumë të tjera të së kaluarës, është fakti se ajo po udhëhiqet nga shpresa. Shpresa e një brezi që refuzon të largohet, që kërkon të dëgjohet dhe që po i kujton çdo ditë kastës politike se pushteti nuk është i përjetshëm.

Ndërsa nata bie mbi Tiranë, marshimi vazhdon. Dhe bashkë me të edhe mesazhi që po ushton në rrugët e kryeqytetit: koha e heshtjes ka mbaruar.

3sgIgLJ.png