Nga mungesa e municioneve te nëninvestimi në flotat detare, aleanca përballet me boshllëqe serioze në gatishmërinë ushtarake
NATO ka qëndruar jashtë luftës SHBA-Izrael në Iran, por konflikti ka nxjerrë në pah dobësi të theksuara në mbrojtjen e aleancës, të cilat do ta vështirësonin reagimin në rast të një sulmi nga Rusia.
“Luftërat në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme nuk janë fenomene të ndara; ka shumë për të mësuar nga të dyja në mendimin për luftërat e së ardhmes”, deklaroi gjenerali Dominique Tardif, zëvendësshef i forcave ajrore francize, duke shtuar se “këto mësime të kombinuara duhet të na çojnë drejt një kuptimi më të mirë se si të drejtojmë zhvillimin e kapaciteteve.”
Zyrtarë ushtarakë europianë kanë paralajmëruar se Moska mund të jetë në gjendje të sulmojë një vend anëtar të aleancës deri në vitin 2029, duke theksuar nevojën urgjente për gatishmëri luftarake dhe kohezion politik.
Politico bisedoi me diplomatë, zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë të NATO-s, si dhe ekspertë të mbrojtjes, për të identifikuar pesë boshllëqe kryesore që u bënë të dukshme nga lufta në Lindjen e Mesme.
Shterimi i municioneve
Lufta në Iran ka nxjerrë në pah mungesën e municioneve në NATO. Shtetet e Bashkuara përdorën rreth gjysmën e inventarit të tyre të raketave kritike të mbrojtjes ajrore Patriot, ndërsa zyrtarët francezë paralajmëruan se rezervat e raketave Aster dhe Mica po pakësoheshin që në dy javët e para të konfliktit.
Kompani të mbrojtjes si Rheinmetall dhe MBDA kanë sinjalizuar rritje të kërkesës dhe mungesa të afërta. Një diplomat i lartë i NATO-s theksoi se nëse SHBA zhvendos fokusin drejt Indo-Paqësorit, Europa do të humbasë një pjesë të konsiderueshme të kapaciteteve ushtarake.
Sipas ligjvënësit britanik Calvin Bailey, nëse NATO nuk ndryshon kurs, Rusia mund ta detyrojë aleancën të dalë nga një luftë për shkak të kostove shumë të larta. Ndërkohë, Moska prodhon 6,000 deri në 7,000 dronë sulmues në muaj, çka mund të shterojë shpejt rezervat e raketave të NATO-s.
Eksperti Justin Bronk sugjeron nevojën urgjente për interceptorë më të lirë dhe për forcimin e mbrojtjes pasive, si ndërtimi i strehëve të fortifikuara për avionët.
Inferioritet ajror
Aftësia e Iranit për të vazhduar sulmet me mbi 5,000 raketa dhe dronë ndaj vendeve fqinje, pavarësisht fushatës ajrore amerikane, tregon kufijtë e idesë se një shtet mund të detyrohet të dorëzohet vetëm përmes bombardimeve ajrore.
NATO duhet të rishikojë konceptin e dominimit ajror dhe të investojë në armë me rreze të gjatë dhe goditje precize që mund të godasin objektiva thellë në territorin rus, përfshirë kapacitetet e prodhimit të dronëve.
Flota detare të nënfinancuara
Pjesëmarrja e kufizuar e vendeve europiane në mbështetje të aleatëve në Gjirin Persik ka treguar mungesën e investimeve në flotat detare të NATO-s.
Një shembull i qartë është Mbretëria e Bashkuar, e cila u deshën tre javë për të dislokuar shkatërruesin HMS Dragon, i cili më pas u kthye në port për shkak të një problemi teknik.
Shefi detar britanik, gjenerali Gwyn Jenkins, ka pranuar se marina nuk është e gatshme për luftë, ndërsa më pak se gjysma e flotës kanadeze është operative.
Ekspertët theksojnë se në një konflikt me Rusinë, flotat detare do të jenë kyçe për neutralizimin e nëndetëseve dhe anijeve të armatosura me raketa me rreze të gjatë.
Qasje më pragmatike ndaj SHBA-së
Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, sugjeron që vendet europiane duhet të ndjekin një qasje më pragmatike në raport me SHBA-në, duke lidhur mbështetjen e tyre strategjike me angazhimet amerikane ndaj aleancës.
Ai paralajmëron gjithashtu kundër vazhdimit të përpjekjeve për të kënaqur administratën amerikane, duke theksuar se kjo qasje duhet të rishikohet.
Rëndësia e Ukrainës
Brenda pak ditësh nga fillimi i luftës në Iran, Ukraina dërgoi ekspertët e saj të dronëve për të ndihmuar vendet e Lindjes së Mesme. Kievi ka nënshkruar gjithashtu marrëveshje bashkëpunimi afatgjatë me vendet e Gjirit.
NATO ka zgjeruar bashkëpunimin me Ukrainën, duke përfshirë trajnime të përbashkëta, programe industriale dhe iniciativa për zhvillimin e teknologjive inovative.
Sipas ekspertëve, aleanca duhet të ndërtojë një brez mbrojtës kundër dronëve pranë kufirit me Rusinë dhe të rrisë investimet në bashkëpunimin industrial me Ukrainën.
Një diplomat i NATO-s thekson se “Ukraina po vepron si një ofruese sigurie”, dhe lufta në Iran e ka konfirmuar këtë rol.
Lufta në Iran ka shërbyer si një test indirekt për NATO-n, duke zbuluar boshllëqe të rëndësishme në kapacitetet ushtarake dhe koordinimin strategjik. Analiza sugjeron se pa reforma të shpejta dhe investime të shtuara, aleanca mund të përballet me vështirësi serioze në një konflikt të ardhshëm me Rusinë.

