Shkruar nga Badr Jafar
Përballë pasigurisë gjeopolitike, shtetet e Gjirit po ndërtojnë korridorë të rinj energjetikë dhe porte jashtë “pikave të vdekjes”. Ky integrim i ri ekonomik, synon të krijojë një rrjet të qëndrueshëm që do të mbajë peshën e tregtisë globale për gjysmëshekullin e ardhshëm.
Gjatë muajit të fundit, analistët anembanë botës janë përqendruar te shkatërrimi që po shkakton kriza në Ngushticën e Hormuzit: rrugë detare të bllokuara, rritje galopante e kostos së sigurimeve dhe lëkundje të forta të çmimit të naftës.
Mirëpo, brenda vetë rajonit po lind një histori tjetër, një histori që do t’i mbijetojë çdo armëpushimi apo tensioni që mund të vijë më pas. Një model i tërë i tregtisë dhe infrastrukturës, i cili ka qëndruar i palëkundur për 50 vite, po ndryshon rrënjësisht brenda pak javësh.
Kam kaluar muajin e fundit në diskutime me qindra drejtues biznesesh dhe zyrtarë të lartë të qeverive të Gjirit për të folur mbi krizën dhe atë që na pret. Fryma e bisedave ka ndryshuar tashmë.
Vëmendja nuk është më te menaxhimi i krizës së ditës, por te transformimi i sistemeve që na bëjnë kaq të brishtë dhe të lëndueshëm përballë rreziqeve të tilla.
Shkalla e kësaj pike të dobët është vërtet tronditëse.
Rreth 30 për qind e naftës që transportohet me anije në botë dhe një e pesta e tregtisë së gazit natyror të lëngshëm, normalisht kalojnë përmes një rruge ujore që është vetëm 39 kilometra e gjerë. Jo vetëm kaq, por edhe një e treta e plehrave kimikë dhe pothuajse gjysma e sulfurit botëror varen nga ky kalim i ngushtë, gjë që ndikon drejtpërdrejt në bukën e gojës për miliona njerëz.
Po aty kalon edhe pjesa dërrmuese e aluminit dhe heliumit, një element ky i fundit që është jetik për prodhimin e pajisjeve elektronike dhe të gjithë zinxhirit të Inteligjencës Artificiale.
Fakti që tregtia botërore është e përqendruar në një korridor të vetëm kaq të pasigurt është një gjendje e jashtëzakonshme, të cilën bota e ka pranuar për dekada. Por tashmë këtij durimi i ka ardhur fundi.
Ata që po investojnë sot për të qenë të sigurt “pas epokës së Hormuzit”, po ndërtojnë në fakt infrastrukturën tregtare të së ardhmes. Portet e Arabisë Saudite në Detin e Kuq dhe zgjerimi i rrjetit të tubacioneve përbëjnë tashmë një rrugë tjetër për energjinë. Bregdeti lindor i Emirateve të Bashkuara Arabe ofron porte të thella dhe rrugë naftësjellësish që i lidhin prodhuesit e Gjirit drejtpërdrejt me Oqeanin Indian.
Ndërkohë, portet e mëdha në Oman, siç janë ato në Duqm dhe Sohar, ndodhen plotësisht jashtë pikës së rrezikshme të bllokimit. Mallrat dhe energjia kanë nisur të lëvizin përmes këtyre rrugëve, madje edhe përmes marrëveshjeve tokësore ndërshtetërore që deri para pak muajsh do të dukeshin krejt të pamundura.
Lindja e Mesme zotëron gjithashtu një pasuri të papërdorur, një rrjet tubacionesh të ndërtuara gjatë krizave të kaluara dhe të lëna në harresë për dekada. Këtu përfshihen korridorë rrugorë, hekurudhorë, rrjete energjetike ndërshtetërore dhe sisteme uji që shtrihen shumë përtej rrjeteve aktuale.
Me një frymë të re bashkëpunimi, këto pasuri mund të forcojnë lidhjen e rajonit me tregjet botërore. Kriza aktuale po arrin të bëjë atë që takimet e shumta diplomatike nuk e bënë dot për vite me radhë. Ajo po krijon kushtet për një bashkim të mirëfilltë ekonomik mes vendeve të rajonit.
Shtetet që deri dje kishin marrëdhënie të ftohta, sot po gjejnë interesa të përbashkëta për t’u mbrojtur. Duke e larguar tregtinë jetike nga një pikë e vetme rreziku, sigurohen jo vetëm ekonomitë e rajonit, por të gjithë zinxhirët e furnizimit në botë.
Për Evropën, Azinë dhe Afrikën, kjo përkthehet në më pak tronditje dhe në një furnizim më të sigurt me burime jetike. Për investitorët dhe ndërtuesit e infrastrukturës, kjo është një mundësi e rrallë, që ndodh një herë në shumë breza, për të ndihmuar në ngritjen e korridoreve që do të mbajnë peshën e tregtisë globale për 50 vitet e ardhshme.
Kompanitë e mëdha që operojnë në Gji, e shohin qartë këtë perspektivë dhe po përgatiten për ndryshimin e madh. Shumë prej tyre nuk shqetësohen vetëm për bllokimet e tanishme, por duan të sigurohen që do të jenë pjesë e këtij ndërtimi të madh që po merr jetë.
Ne në Emiratet e Bashkuara Arabe e kemi provuar mbi lëkurën tonë çmimin e sulmeve në tokën tonë, ndaj këtë situatë nuk po e shohim me sytë e një optimizmi të rremë.
Rreziqet janë këtu, të pranishme, dhe pasiguria politike mbetet një shkak për shqetësim të madh. Por rruga që ka marrë rajoni është tashmë e vulosur dhe nuk ka më kthim prapa.
Sido që të zgjidhet kriza e tanishme, asnjë qeveri nuk do të pranojë më të mbetet peng i varësisë strategjike nga një ngushticë e vogël, e kontrolluar nga një fqinj i paparashikueshëm. Tubacionet do të zgjerohen.
Kapacitetet e porteve do të rriten. Rrjetet e energjisë, sistemet e ujit dhe korridorët tregtarë që lidhin ekonomitë e rajonit do të kthehen në rrugë zyrtare dhe të qëndrueshme. Bota po vëzhgon aktualisht me ankth atë që po shkatërrohet, por duhet të kthejë sytë me të njëjtën vëmendje edhe nga ajo që po ndërtohet./ “Financial Times”

