Katër skenarë, nga optimizimi i fluturimeve deri te kontrolli i plotë i trafikut ajror në rast krize…
Mungesa e karburantit për avionët nuk është më një ushtrim teorik për industrinë ajrore europiane. Ndërsa tensionet globale dhe pasiguria në furnizime rrisin presionin mbi tregun e energjisë, autoritetet dhe kompanitë po analizojnë konkretisht se çfarë do të ndodhë nëse jet fuel nuk mjafton për të gjithë.
Sipas “Corriere Della Sera”, Europa nuk ndodhet ende në një situatë alarmi. Furnizimi ekziston dhe rrjeti është në gjendje të përballojë mungesa të izoluara. Megjithatë, mungon një pasqyrë e saktë dhe e përditësuar e rezervave reale në nivel kontinental, ndërsa në skenarin më të keq, ndërprerje totale e furnizimit, fluturimet mund të garantohen vetëm deri në vjeshtë.
Në këtë kontekst, industria po përgatitet për katër skenarë të mundshëm, që ndryshojnë nga masa të lehta kursimi deri te një regjim i plotë emergjent.
Skenari 1: Kursimi dhe eliminimi i shpërdorimeve (−10% deri −20%)
Në fazën e parë, sistemi nuk shkurtohet, por optimizohet. Bashkimi Europian mund të pezullojë rregullin që detyron kompanitë të kryejnë shumicën e fluturimeve për të ruajtur slot-et, duke shmangur kështu fluturimet gjysmë bosh. Kjo masë mund të kursejë deri në 8% karburant.
Paralelisht, do të përmirësohen rrugët ajrore, më direkte, me më pak pritje dhe në lartësi optimale, duke sjellë kursime shtesë. Në këtë fazë, pasagjerët do të ndiejnë pak ndikim, ndërsa sistemi vazhdon të funksionojë pothuajse normalisht.
Skenari 2: Kufizime të moderuara (−25% deri −40%)
Në këtë nivel, ndërhyrja bëhet më e drejtpërdrejtë. Çdo kompani ajrore do të marrë një kuotë të caktuar karburanti, bazuar në aktivitetin e mëparshëm.
Do të vendoset edhe një normë minimale mbushjeje (rreth 75%): fluturimet me pak pasagjerë do të anulohen ose bashkohen.
Një nga masat më të dukshme do të jetë ndalimi i fluturimeve të shkurtra (nën 500 km) aty ku ekziston alternativë me tren, sidomos me linja të shpejtësisë së lartë.
Në këtë fazë, udhëtarët fillojnë të ndiejnë realisht kufizimet.
Skenari 3: Menaxhim i krizës (−50%)
Ky është një skenar pa precedent në kohë paqeje. Sistemi nuk optimizohet më, ai menaxhohet për të shmangur kolapsin.
Karburanti ndahet në mënyrë të centralizuar sipas prioriteteve:
-40% për lidhjet thelbësore (ishuj, linja pa alternativa, minimumi i fluturimeve ndërkontinentale)
-30% për transport kritik (ilaçe, ushqime, ndihmë humanitare)
-20% për udhëtime biznesi në linjat kryesore
-10% si rezervë strategjike shtetërore
Çdo fluturim duhet të miratohet nga autoritetet. Mund të pezullohen rregullat e konkurrencës për të lejuar bashkëpunimin mes kompanive, ndërsa aeroportet e vogla mund të mbyllen përkohësisht.
Në këtë fazë, fluturimi bëhet një shërbim i kufizuar, jo më një ofertë tregu.
Skenari 4: Emergjencë e plotë (−65% dhe më shumë)
Në skenarin më ekstrem, aviacioni europian hyn në regjim krize. Kontrolli kalon në nivel qendror: Komisioni Europian mund të bëhet blerësi i vetëm i karburantit dhe ta shpërndajë sipas një plani të detyrueshëm.
Eurocontrol do të hartojë çdo ditë një plan fluturimesh për gjithë Europën, duke vendosur se kush fluturon dhe kush jo.
Në funksion do të mbeten vetëm:
-disa lidhje ndërkontinentale minimale
-fluturimet drejt ishujve
-transporti jetik (ilaçe, ushqime, emergjenca)
Në këtë pikë, aviacioni nuk funksionon më si industri, por si infrastrukturë kritike e kontrolluar nga shteti.
Në thelb, dilema nuk është vetëm teknike, por politike. Pyetja kryesore nuk është sa karburant ka, por kush vendos se si përdoret. Dhe në një krizë të tillë, çdo litër nuk është më thjesht energji, është një zgjedhje strategjike.

