Shkruar nga Peter Slezkine & Joshua Shifrinson
Njohja formale e realitetit territorial, mund të jetë çelësi për stabilitetin afatgjatë. Ky proces do të kërkonte lëshime të dhimbshme, por të domosdoshme për të garantuar sovranitetin e mbetur të Ukrainës…
Gjatë 4 viteve të fundit, qëkur presidenti rus Vladimir Putin nisi “operacionin e tij të posaçëm ushtarak”, Ukraina dhe mbështetësit e saj i kanë formuluar objektivat e tyre bazuar në gjuhën e integritetit territorial.
Gjatë vitit të parë të luftës, zyrtarët perëndimorë bënë thirrje për rivendosjen e sovranitetit mbi të gjithë territorin, duke përfshirë Krimenë dhe Donbasin. Kjo teori e fitores, u shemb pas dështimit të kundërsulmit të Ukrainës në vitin 2023.
Që nga ajo kohë, presidenti Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit perëndimorë kanë pranuar me ngurrim se Rusia do të mbajë kontrollin de facto mbi pjesën më të madhe të territorit të pushtuar. Megjithatë, ata refuzojnë kategorikisht njohjen de jure, ose formale, të kufijve të ndryshuar.
Refuzimi për të njohur zyrtarisht kontrollin rus mbështetet në pretendimin se integriteti territorial është shtyllë e rendit të pasluftës dhe se lëshimet do t’i inkurajonin agresorët. Ata pohojnë se lëshimi me marrëveshje i territoreve është kapitullim, ndërsa mosnjohja ruan mundësinë e rimarrjes së tyre.
Secili prej këtyre argumenteve është i gabuar. Kundërshtimi refleksiv ndaj njohjes de jure, i shpërfill mënyrat se si pranimi formal i fitimeve të Rusisë mund të rriste sigurinë e Ukrainës, të lehtësonte rindërtimin dhe të kontribuonte në stabilitetin ndërkombëtar.
Është në interes të Ukrainës dhe Perëndimit të hartojnë një kufi të ri që përkon me vijën përfundimtare të kontrollit. Një marrëveshje e tillë do të kërkonte që si Ukraina, ashtu edhe Rusia, të përshtatin pretendimet e tyre kushtetuese.
Ndërsa Ukraina do të lëshonte territor brenda kufijve të vitit 1991, Rusia do të duhej të pranonte një kufi zyrtar më të shkurtër sesa territori që ka aneksuar në mënyrë të njëanshme. Një marrëveshje do të lejonte rregullime të kufizuara në vijën e kontrollit dhe një dritare kohore për zhvendosjen e lirë të banorëve.
Në mënyrë ideale, kufiri i ri do të njihej nga partnerët e Rusisë në BRICS dhe mbështetësit e Ukrainës. Supozimi se rendi ndërkombëtar mbështetet në një normë të zbatuar vazhdimisht kundër pushtimit territorial nuk i reziston dot shqyrtimit të fakteve historike. Kufijtë kanë ndryshuar vazhdimisht që nga viti 1945. Siç e dokumenton edhe Dan Altman, shkalla e pushtimit të suksesshëm ishte më e lartë në epokën e pasluftës sesa në vitet 1930.
Izraeli pushtoi Lartësitë e Golanit në vitin 1967; Vietnami i Veriut pushtoi Jugun; Indonezia aneksoi Timorin Lindor. Sistemi ndërkombëtar i përvetësoi këto ndryshime pa u shpërbërë, duke sugjeruar që norma e integritetit territorial është më shumë aspiruese sesa thelbësore.
Në rastin aktual, integriteti i Ukrainës është shkelur tashmë. Rusia ka aneksuar Krimenë, Luhanskun, Donetskun, Khersonin dhe Zaporizhzhjen. Ndonëse u tërhoq nga disa pjesë në vitin 2022, balanca e forcave ka ndryshuar në favor të Moskës.
Ndërsa lufta po zgjat pa një fund në horizont, Rusia ka më shumë gjasa të fitojë terren sesa ta humbasë atë. Mosnjohja nga Perëndimi nuk do ta përmbysë realitetin e humbjeve territoriale. Edhe një politikë zyrtare mosnjohjeje nuk do ta kufizonte sjelljen ruse.
Refuzimi për të njohur Krimenë nuk e ndaloi Putinin të pushtonte Ukrainën në vitin 2022. Veprimet ushtarake udhëhiqen nga kostot, aftësitë dhe interesat strategjike, jo nga precedenti ligjor. Përvoja e Rusisë – 4 vjet luftë që prodhon fitime më të ulëta se pritshmëritë – vështirë se ofron një model bindës për agresorët e tjerë.
Argumenti se njohja de jure përbën kapitullim lë pak hapësirë për fitore. Nëse lufta përcaktohet vetëm në terma territorialë, Ukraina ka humbur. Por prioriteti ishte ruajtja e pavarësisë dhe sovranitetit, dhe këtu Ukraina ka pasur sukses.
Ajo ka vendosur lidhje të ngushta me BE-në, duke përmbushur kërkesat e Euromaidanit. Një kufi i ri nuk i rrezikon këto arritje. Përkundrazi, Ukraina mund të ketë një shans më të mirë për integrim nëse heq dorë nga pretendimet ligjore për territorin që nuk kontrollon.
Së fundmi, aftësia e Ukrainës për të rimarrë territorin e vitit 1991 nuk varet nga ligjshmëria e kufirit aktual. Një rinegocim është gjithmonë i mundur nëse ndryshon shpërndarja e pushtetit. Perëndimi refuzoi të njihte aneksimin e shteteve baltike për 50 vjet, por kjo politikë nuk dha rezultate deri në rënien e Bashkimit Sovjetik.
Pengesa kryesore për Ukrainën është fuqia ushtarake e Rusisë, dhe jo politika e njohjes në Kiev. Mosmarrëveshjet territoriale kanë një probabilitet të lartë për t’u përshkallëzuar në konflikte të armatosura. Anasjelltas, njohja de jure mund të ulë gjasat e luftërave të ardhshme.
Rendi paqësor në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore filloi me ripërcaktim kufijsh. Në Azinë Qendrore, zgjidhja e konfliktit kufitar midis Kirgistanit dhe Uzbekistanit në vitin 2017 ka sjellë stabilitet dhe rritje ekonomike.
Njohja zyrtare e kufirit të ri ruso-ukrainas do të sillte përfitime të menjëhershme. Një vijë ndarëse e qartë do ta bënte më të thjeshtë përcaktimin e përgjegjësisë në rast të një agresioni të ri.
Kjo do të lehtësonte sanksionet e shpejta dhe ofrimin e mbështetjes ushtarake, duke forcuar parandalimin. Po ashtu, një kufi i njohur reciprokisht mund të mundësojë tërheqjen e trupave, duke reduktuar mundësinë e përshkallëzimit të paqëllimshëm.
Përtej sigurisë, një kufi i njohur ndërkombëtarisht lehtëson integrimin e Ukrainës në strukturat perëndimore. Pranimi në BE do të ishte i vështirë nëse kufiri lindor mbetet i pacaktuar. Siguria ligjore mbi kufijtë do ta bënte Ukrainën më tërheqëse për investime private, thelbësore për rindërtimin. Ndërkohë, dykuptimësia do ta bllokonte vendin në një mjedis me rrezik të lartë.
Mund të jetë joshëse të ruhet iluzioni i integritetit territorial, por çdo marrëveshje që ruan mospërputhjen midis pretendimeve ligjore dhe kontrollit faktik do të pengojë rindërtimin. Pas 4 vitesh lufte, rruga më e sigurt për një paqe të qëndrueshme është një marrëveshje ku të dyja palët njohin realitetin në terren dhe heqin dorë nga pretendimet për territorin që nuk e kontrollojnë.
Shënim: Peter Slezkine, bashkëpunëtor dhe Drejtor i Programit të Rusisë në Qendrën Stimson. Joshua Shifrinson, profesor i asociuar në Shkollën e Politikave Publike të Universitetit të Merilend, SHBA.

