Lajme

Strategjia e gazit natyror të Azerbajxhanit

Në lidhje me perspektivat e prodhimit dhe shpërndarjes së gazit natyror, Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, gjatë një interviste të fundit për shtyp, u shpreh si më poshtë:

“Eksportet tona të gazit po rriten si në vëllim ashtu edhe në shtrirje gjeografike. Deri tani, ne kemi furnizuar me gaz 14 vende, 11 prej tyre në mënyrë të rregullt. Ka vende që kanë marrë gazin tonë në vitin 2024, por më pas e kanë ndërprerë për shkak të burimeve të tjera. Kjo është një çështje kërkese: sa herë që kanë nevojë, ne fillojmë furnizimin; kur nuk kanë nevojë, e ndërpresim. Por në total, mbulimi gjeografik i gazit të transportuar me tubacione nga Azerbajxhani përfshin 14 vende dhe këtë vit do t’i shtohen edhe dy vende të tjera evropiane. Pra, në total do të jenë 16 vende, dhe ky është numri më i madh sa i përket furnizimit me gaz përmes tubacioneve. Asnjë vend tjetër në botë nuk furnizon me gaz përmes tubacioneve kaq shumë vende sa Azerbajxhani. Eksportet tona vitin e kaluar tejkaluan 25 miliardë metra kub, me potencial për rritje, dhe ka dy burime të kësaj rritjeje.Së pari, siç e thashë, energjitë e rinovueshme. Sa më shumë energji të rinovueshme të kemi, aq më shumë gaz do të kursejmë për eksport. Së dyti, prodhimi i ri nga burimet ekzistuese ose nga fusha të reja. Ndër to, presim prodhim të ri nga  vendburim i thellë gazi ‘Azeri–Chirag–Gunashli’. Siç e dini, kjo fushë prodhon shumë naftë, por ka edhe rezerva të mëdha gazi të vendosura në thellësi të mëdha, prandaj quhet gaz i thellë. Presim që prodhimi të nisë këtë vit.

Gjithashtu presim që fusha ‘Shah Deniz’ të nisë një fazë të re në vitet e ardhshme, e quajtur ‘Shah Deniz Compression’, e cila do të sigurojë gaz shtesë. Një tjetër fushë premtuese është ‘Babek’, e cila është shumë e madhe dhe ka potencial të konsiderueshëm, dhe ka një numër kompanish të interesuara për të investuar atje. Padyshim, burimi që mund të konsiderohet e krahasueshme në madhësi me ‘Shah Deniz’ është ‘Absheron’. Aktualisht ajo po prodhon fazën e saj të parë, të cilën ne e blejmë për konsum vendas. Faza e dytë e burimit ‘Absheron’ do të na japë ndoshta tre herë më shumë gaz sesa sot, kështu që do të ketë më shumë për tregjet ndërkombëtare. Gazi ynë është i nevojshëm si në vendet që tashmë e marrin dhe duan të rrisin vëllimet, ashtu edhe në vendet që ende nuk e marrin.

Siria ishte partneri ynë i ri vitin e kaluar. Dhe jemi të kënaqur që mund të ndihmojmë qeverinë siriane të reduktojë mungesën e energjisë elektrike, sepse gazi ynë i ndihmon ata – sipas vlerësimeve të ndryshme – të ulin mungesën e energjisë elektrike me rreth katër orë në ditë. Po shqyrtojmë edhe mundësinë e rritjes së furnizimit. Për shumë vende, gazi azerbajxhanas luan një rol të rëndësishëm në sigurinë energjetike. Me një sistem të diversifikuar tubacionesh dhe një reputacion të fortë si furnizues i besueshëm, së bashku me kontakte të mira politike – pasi shumica e klientëve tanë janë anëtarë të Bashkimit Evropian – të gjithë këta faktorë janë shumë pozitivë.

Gjithashtu, siç e keni vënë re, ka pasur një ndryshim  në qëndrim ndaj lëndëve djegëse fosile të cilin e kemi përjetuar disa vite më parë, kur pothuajse të gjithë dukeshin të fiksuar pas tyre dhe flitej vetëm për energji të rinovueshme. Presidenti Trump dhe administrata e tij e ndryshuan këtë qasje. Siç e dini, ai është fuqimisht kundër energjive të rinovueshme dhe në favor të lëndëve djegëse fosile. Dhe meqenëse Shtetet e Bashkuara janë një vend udhëheqës në botë, gjithçka që ndodh atje krijon impulse në drejtime të ndryshme.

E di që disa institucione financiare evropiane kanë filluar të rishqyrtojnë politikat e tyre ndaj lëndëve djegëse fosile, të cilat më parë ishin plotësisht të ndaluara. Tani po nisin të shqyrtojnë financimin e projekteve të lëndeve  djegëse fosile. Disa kompani kryesore të energjisë– madje edhe ato që kishin ndryshuar emrat e tyre  për të hequr referencat ndaj naftës – thjesht po ndiqnin trendin kryesor. Tani po kthehen te lëndët djegëse fosile. Kjo ishte e dukshme dhe, sinqerisht, qesharake.

Kur fola në COP29 këtu në Baku në nëntor 2024, si vend pritës, thashë – pa cituar veten – se ky realitet nuk mund të injorohet. U sulmova nga e gjithë komuniteti i gjelbër, duke pyetur se si një vend pritës i COP29 mund të mbështesë lëndët djegëse fosile. Unë thjesht po thosha atë që bazohej në realitet. Askush nuk mund t’i injorojë lëndët djegëse fosile sot. Pavarësisht sesa shumë nuk ju pëlqejnë, nuk mund të jetoni pa to. Nëse mund të jetoni pa to, vazhdini dhe bëjeni. Por ne duhet ta trajtojmë këtë çështje me realizëm.

Përgjegjësia e vendeve të pasura me naftë dhe gaz demonstrohet nga vende si Azerbajxhani dhe shumë të tjerë që kanë burime të bollshme të naftës dhe gazit, por që gjithashtu investojnë në energji të gjelbër. Prandaj, mendoj se tani ekziston edhe një kuptim në institucionet evropiane se kjo mani kundër lëndëve djegëse fosile duhet të marrë fund dhe se pragmatizmi dhe realizmi duhet të mbizotërojnë.

Azerbajxhani është sot një partner i pazëvendësueshëm për konsumatorët evropianë dhe do të mbetet i tillë për shumë e shumë vite në vijim. Dhe roli ynë si furnizues i besueshëm i sigurisë energjetike vetëm do të rritet. Nuk do të ulet; do të rritet. Dhe kur të shtojmë energjinë elektrike, energjinë e gjelbër dhe hidrogjenin, përfshirë hidrogjenin e gjelbër, roli ynë do të jetë edhe më i madh.”

Sipas burimeve në Ambasadën e Azerbajxhanit, Baku po bën maksimumin për të finalizuar së bashku me palën shqiptare të gjitha punët përgatitore dhe ligjore që lidhen me projektin e gazifikimit të Korçës, me qëllim kalimin sa më shpejt në fazën e ndërtimit. Në këtë mënyrë, Shqipëria do të mund t’i bashkohet familjes së vendeve anëtare të Korridorit Jugor të Gazit si një vend i ri përfitues i gazit natyror azerbajxhanas.

3sgIgLJ.png