Protestat kundër regjimit po shoqërohen me një bilanc gjithnjë e më të rëndë viktimash dhe arrestimesh…
Situata në Iran vijon të mbetet jashtë kontrollit. Protestat kundër regjimit po shoqërohen me një bilanc gjithnjë e më të rëndë viktimash dhe arrestimesh. Sipas shifrave zyrtare të raportuara nga burime të të drejtave të njeriut, më shumë se 500 persona janë vrarë, ndërsa rreth 10 mijë të tjerë janë arrestuar gjatë protestave të vazhdueshme. Megjithatë, burime jozyrtare sugjerojnë se numri real i viktimave mund të jetë shumë më i lartë, deri në rreth 2 mijë të vrarë që nga nisja e përplasjes së dhunshme.
-Dëshmitë e vrasjeve nga regjimi
Pavarësisht ndërprerjes së plotë të internetit në mbarë Iranin, pamje që pretendohet se tregojnë situatën reale në terren vazhdojnë të qarkullojnë në rrjetet sociale. Video dhe materiale të publikuara nga qytete të ndryshme flasin për përleshje të dhunshme dhe përdorim force ndaj protestuesve.
Një video, e cila pretendohet se vjen nga qyteti lindor i Mashhadit, tregon një ndërtesë të përfshirë nga flakët, ndërsa protestuesit shihen duke u fshehur pas rrënojave dhe barrikadave në një rrugë, në mes të përplasjeve me forcat e sigurisë.
Ndërkohë, qeveria iraniane ka shpallur tre ditë zie publike, në nder të të vrarëve në atë që e quan “beteja e rezistencës kombëtare” kundër protestave të vazhdueshme, raporton agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim.
-Përfshirja e SHBA-së?
Ngjarjet në Iran po monitorohen nga afër edhe nga Shtetet e Bashkuara. Sipas raportimit të Wall Street Journal, Donald Trump pritet të informohet në fillim të javës së ardhshme mbi hapat e mëtejshëm që SHBA-të mund të ndërmarrin në përgjigje të situatës në Iran.

Trump në Shtëpinë e Bardhë të premten
Takimi, i cili pritet të zhvillohet të martën me zyrtarë të lartë të administratës amerikane, mund të përcaktojë disa opsione, përfshirë sulme ushtarake dhe sanksione të reja ndaj Teheranit. Po ashtu, si alternativa po shqyrtohen edhe rritja e burimeve antiqeveritare në internet dhe përdorimi i armëve kibernetike kundër ushtrisë iraniane.
-Protesta edhe në qytetet europiane
Ndërkohë, protesta në mbështetje të opozitës iraniane janë shtrirë edhe në qytete të ndryshme të Evropës. Në qendër të Londrës janë zhvilluar tubime pro-opozitës, ku një turmë protestuesish marshoi drejt Downing Street, ndërsa një tjetër u mblodh para Ambasadës Iraniane pranë Hyde Park.

Protesta në Londër
Anëtarë të diasporës iraniane kanë organizuar gjithashtu tubime solidariteti në Berlin, ku protestuesit valëvitën edhe fotografi të princit të kurorës në mërgim, Reza Pahlavi.
Nga ana tjetër, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Iran, Hugo Shorter, është thirrur në Teheran, pas protestave të zhvilluara jashtë Ambasadës Iraniane në Londër.
-Irani përgatit kundërprotesta
Si përgjigje ndaj protestave, autoritetet iraniane po përgatisin kundërprotesta mbarëkombëtare. Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA raporton se tubime do të mbahen të hënën në disa qytete të vendit, për të dënuar protestat që po vazhdojnë.
Një nga tubimet kryesore pritet të zhvillohet në sheshin Enqelab në qendër të Teheranit nga ora 14:00 sipas orës lokale, raportoi më herët Tasnim. Mesazhi i këtyre tubimeve, sipas mediave të lidhura me Gardën Revolucionare, do të jetë dënimi i veprimeve të protestuesve dhe asaj që autoritetet e quajnë “terrorizëm i armatosur”.
-Papa bën thirrje për paqe
Situata ka nxitur reagime edhe nga udhëheqës fetarë botërorë. Papa Leo XIV ka bërë thirrje për paqe dhe dialog, duke shprehur shqetësim për humbjen e vazhdueshme të jetëve në Iran dhe Siri.

Papa Leo XIV bën thirrje për paqe
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Papa tha se mendimet e tij janë me njerëzit në këto vende, pasi shumë jetë vazhdojnë të humbasin”.
“Shpresoj dhe lutem që dialogu dhe paqja të kultivohen me durim, në kërkim të së mirës së përbashkët për të gjithë shoqërinë”, tha Papa./Pamfleti
THREAD: Verified videos of Iran protests – 10 January
— Shayan Sardarizadeh (@Shayan86) January 11, 2026
Heavy clashes on Vakil Abad Boulevard in Mashhad. Protesters hide behind barricades as security forces fire shots from a footbridge.
Video: @Vahid
Location: https://t.co/48rK47fgrp
With Richard Irvine Brown@GeoConfirmed https://t.co/LGCLaI1XaI pic.twitter.com/pGQBnH9LKu
