Lajme

Mbreti Zog – themeluesi i shtetit modern shqiptar dhe domosdoshmëria e ballafaqimit me të kaluarën

Albert Rakipi

Ribotimi në shqip i librit për mbretin Zog dhe mbretërinë që ai themeloi dhe udhëhoqi vjen pas më shumë se një çerek shekulli. Tani është e vështirë të gjendet ndonjë kopje nga botimi i parë në shqip i këtij libri nga shtëpia botuese prestigjioze “Çabej”. Kjo është një mungesë, në pamje të parë fizike, por në fund të fundit kjo mungesë duhet plotësuar sidomos kur është fjala për libra seriozë dhe shkencorë për historinë e vendit dhe të kombit tonë.

Në mënyrë të veçantë, kjo nevojë bëhet më e rëndësishme kur historia është politizuar në ekstrem për të glorifikuar një histori tjetër politike historinë e regjimit komunist  e cila është propaganduar si pjesa më e rëndësishme e historisë së kombit dhe të shtetit. Kombi dhe sidomos shteti, sipas narrativës së diktaturës komuniste, fillonin me komunizmin dhe me Enver Hoxhën, përballë “tradhtarëve” si Mbreti Zog apo të gjithë të tjerëve që, sipas propagandës zyrtare, “e shkatërruan, e varfëruan dhe e shitën Shqipërinë.

Kësisoj, mungesa e librit për Mbretin Zog nuk është thjesht mungesë fizike. Tridhjetë e pesë vjet pas rënies së komunizmit, për fat të keq, nuk ka ende një reflektim serioz dhe të plotë për historinë e Shqipërisë, ndërsa narrativat e historiografisë komuniste nuk janë sfiduar plotësisht. Ato ende janë të gjalla dhe vazhdojnë të indoktrinojnë mendjet e gjeneratave të reja, madje edhe të atyre të lindura pas rënies së komunizmit.

Prandaj, arsyeja e parë e ribotimit në shqip të librit të Fischer-it për Mbretërinë dhe Mbretin modern të Shqipërisë është thjesht t’i jepet një mundësi e dytë gjeneratës së re shqiptare për të njohur historinë e shtetit dhe të vendit të vet, historinë e shtetit, por edhe të kombit. Ndoshta, sjellja në vëmendje e kësaj vepre historike mund të nxisë një reflektim, së pari të shoqërisë shqiptare, por edhe të botës akademike, për nevojën e reformimit dhe për domosdoshmërinë e kontributeve shkencore në fushën e historisë.

Kur, pothuajse tridhjetë vjet më parë, libri i Bernd Fischer King Zog and the Struggle for Stability in Albania u botua në shqip, duhet të them se kisha një interes të trefishtë për ta lexuar. Libri për “Mbretin Zog”, njëherazi një libër mbi një nga periudhat më të rëndësishme të historisë moderne të Shqipërisë, ishte botuar në Perëndim më 1984, por kurrë nuk mundi të kalonte gardhin e hekurt të izolimit ekstrem të Shqipërisë politike, intelektuale apo çfarëdo Shqipërie tjetër, që deri më 1990 mbeti bastioni i fundit i komunizmit dhe stalinizmit në botë.

Së pari, kisha një kuriozitet të jashtëzakonshëm dhe të veçantë për ta lexuar “librin për Mbretin Zog”. Interesi im i parë lidhej me familjen time  më shumë me nënën time, por sidomos me babain e saj, gjyshin tim, një nëpunës “i regjimit antipopullor të Zogut”, në fakt një nëpunës jo i ndonjë rangu të lartë. Gjyshi im nga nëna kishte qenë për një kohë të gjatë “njolla e zezë në biografinë time politike” nën komunizëm, për të cilën edhe moshatarët dhe shokët e mi të shkollës tetëvjeçare “Xhafer Tefiku” në Barmash të Kolonjës, megjithëse më donin shumë, e dinin se unë vija nga një familje e “deklasuar” dhe duhej të ishin të kujdesshëm me dashurinë dhe respektin ndaj meje.

Deri më 1990, gjyshi im  nëpunësi i “regjimit satrap të Zogut” më ka ndjekur nga pas me një dashuri të patreguar, krejt të ngjashme me atë të nënës sime, të ndjerë. Por, tragjikisht, ai ka qenë edhe një barrë politike, krejtësisht e pakuptueshme dhe e pakapërcyeshme, për shkollimin, punën dhe karrierën time gjatë komunizmit.

Kështu, kur mora ftesën për të qenë i pranishëm në prezantimin e librit Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri, u gëzova dhe u drithërova njëkohësisht. Ishte si një ritakim me gjyshin tim, të cilin e kam ende të gjallë në kujtesën time, ndonëse kam qenë jo më shumë se pesë apo gjashtë vjeç kur ai “na bëri një shenjë të gjithëve dhe iku”. Interesi im i parë ishte të njihja “regjimin antipopullor”, regjimin e “satrapit Zog”, për të cilin kishte punuar gjyshi dhe që për mua ishte shndërruar në një enigmë.

Interesi im i dytë ishte thjesht kurioziteti i çdo shqiptari për të njohur historinë e vendit të tij, në mënyrë të veçantë një histori që ishte përshkruar si një nga periudhat më të errëta të historisë së vendit. Dhe së fundi, por jo për nga rëndësia, duhet të them se kisha një interes të veçantë akademik si një student i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i historisë. Marrëdhëniet ndërkombëtare, historia dhe politika e jashtme ishin pasioni im i ri atëherë dhe mbeten të tillë edhe tani, që kanë kaluar më shumë se tri dekada.

Ashtu siç e prisja, libri i Bernd Fischer për Mbretin Zog ishte një përmbysje e narrativave zyrtare të regjimit komunist, por edhe e historiografisë komuniste për “regjimin gjakatar të Zogut”. Në të njëjtën kohë, ishte një “rehabilitim” për gjyshin tim të ndjerë, por edhe një tronditje dhe “hutim” për shumë prej studentëve të mi të historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilët vijonin të ishin po aq të indoktrinuar nga narrativa komuniste për “regjimin antipopullor të Zogut”, njësoj si prindërit e tyre, që edhe pse nuk kishin jetuar asnjë ditë në regjimin e Mbretit, vijonin të besonin në “historinë legjendare” dhe “unikale” të Shqipërisë, sipas së cilës periudha e Zogut ishte më e prapambetura, më e pazhvilluara, më e varfra dhe më e paditura dhe, sigurisht, një regjim kundër popullit.

Në një këndvështrim tjetër, botimi në shqip i librit të Bernd Fischer për Mbretin Zog dhe Shqipërinë politike që ai udhëhoqi ishte një shuplakë për historiografinë shërbyese të periudhës komuniste, e cila, nën terrorin e regjimit, kishte sakrifikuar të gjitha parimet bazë akademike të shkrimit dhe interpretimit të historisë. Siç do të thoshte më vonë vetë Bernd Fischer, “historianët shqiptarë thjesht amplifikuan shpifjet e Enver Hoxhës për Mbretin Zog dhe qeverisjen e tij”. Dhe ndoshta ai ka të drejtë kur thotë se, nëse historianët e kohës së komunizmit nuk do ta kishin bërë këtë, thjesht do të kishin përfunduar viktima të regjimit komunist.

Për këdo që ka jetuar në Shqipërinë komuniste, ideja e Bernd Fischer se, nëse historianët shqiptarë do të kishin guxuar të tregonin të vërtetën për Shqipërinë nën Mbretin Zog  për jetën dhe qeverisjen e tij, për idetë dhe vizionin e tij për ndërtimin e shtetit  do të kishin përfunduar viktima të regjimit, është plotësisht e besueshme. Dhe për shkak se do të kishin përfunduar viktima, sugjeron Fischer, ne nuk mund t’i dënojmë ata.

Megjithatë, të gjithë jemi përgjegjës për krijimin e një kulture totalitare gjatë komunizmit, dhe rishkrimi i historisë përmes librave dhe botimeve të çliruara nga ideologjia është i domosdoshëm  jo vetëm për të njohur dhe respektuar historinë e vendit, të shtetit dhe të kombit, dhe të atyre që kanë kontribuar në ndërtimin e tyre, por edhe si rruga e vetme për të dalë nga kjo kulturë totalitare, e cila, megjithëse kemi hyrë në dekadën e katërt pas rënies së atij regjimi shtypës, ende është e gjallë dhe përbën një pengesë të madhe në rrugën e modernizimit, të lirisë dhe të zhvillimit.

Kësisoj, ishte e natyrshme që pas rënies së komunizmit të pritej një reflektim i thellë i të gjithë shoqërisë dhe, në mënyrë të veçantë, i pjesës akademike  i historianëve dhe studiuesve. Një reflektim për të rishikuar “të vërtetat e tyre të shkruara e të botuara nën regjimin e hekurt”, ku, në fakt, jo vetëm ishte fshehur e vërteta, por ajo ishte manipuluar. Dhe kjo vlen për gjithë historinë moderne të Shqipërisë, duke filluar me periudhën e qeverisjes së Mbretit Zog. Por, në fakt, asnjëra nga këto nuk ndodhi.

Për fat të keq, nuk ka pasur asnjë reflektim të vërtetë të historianëve dhe akademikëve, sidomos për periudhën e monarkisë së Zogut, gjatë së cilës u hodhën themelet e shtetit modern shqiptar  as për periudhën e Luftës së Dytë Botërore, e aq më pak për “periudhën e lavdishme” të Shqipërisë së Enver Hoxhës. Tridhjetë e pesë vjet pas rënies së regjimit komunist, nuk ekziston asnjë vepër serioze akademike e autorëve shqiptarë që të përpiqet të rishkruajë apo të interpretojë historinë e monarkisë shqiptare deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore.

Për fat të keq, as në kurrikulat e historisë në të gjitha nivelet e arsimit shqiptar  përfshirë edhe ato universitare nuk ka as reflektim dhe as ndonjë vëmendje për t’i përmirësuar apo modernizuar. Kur një akademik i ri, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, propozoi botimin e një pulle postare me emrin dhe portretin e Mbretit Zog, kërkesa për ta nderuar Mbretin u hodh në koshin e parë të plehrave të Akademisë.

Periudha e qeverisjes së Mbretit Zog është një periudhë kyçe në historinë moderne të shtetit dhe të kombit shqiptar, dhe reflektimi për një periudhë kaq themelore ka qenë dhe vijon të jetë i një rëndësie të veçantë. Dhe libri i një historiani të talentuar dhe autoritativ si Bernd Fischer për këtë periudhë ishte një mundësi e shkëlqyer.

Por libri i Bernd Fischer për Mbretin Zog u “refuzua” në një masë të madhe nga “elita intelektuale e Shqipërisë postkomuniste”, e cila, për fat të keq, herë-herë ngjante si dy pika uji me “inteligjencien revolucionare”, siç e quante Enver Hoxha dhe institucionet e tij të propagandës.

Në vend që libri i Bernd Fischer të bëhej pjesë e kurrikulave në departamentet e historisë të universiteteve shqiptare, ai thjesht u la në hije dhe u refuzua. Arsyeja e parë është padyshim indoktrinimi komunist dhe dominimi i narrativës komuniste edhe tre dekada pas rënies së saj. Por një arsye tjetër, jo e vogël dhe jo lehtësisht e kapërcyeshme, lidhet me hierarkinë akademike në Shqipëri: shumë historianë dhe akademikë shqiptarë kishin bërë karrierë dhe ishin ngjitur në shkallët e hierarkisë akademike duke propaganduar një histori të pavërtetë të Shqipërisë nën Mbretin Zog.

Ismail Kadare ka një tregim sa të thjeshtë aq edhe të jashtëzakonshëm, “Koha e shkrimeve”, në të cilin, përmes një konteksti dhe një detaji, mund të kuptosh shkallën e paimagjinueshme të indoktrinimit nën komunizëm, kur ishte fjala për Mbretin Zog dhe qeverisjen e tij. Vehapi, mësuesi i botanikës dhe i historisë, kishte zakon t’u kërkonte nxënësve ta lidhnin mësimin e historisë me të tashmen. Dhe kjo kërkesë e zakonshme e profesor Vehapit synonte të bënte kontrastin e madh midis historisë së periudhave të mëparshme të Shqipërisë  sigurisht “periudhave të errëta”  dhe historisë “të ndritur” të Shqipërisë Socialiste nën komunizëm.

Është kaq komike dhe tragjike njëkohësisht kur Genci, i cili pasi kishte marrë një dysh në matematikë, ngrihet në mësim edhe në orën e botanikës, përballë profesor Vehapit, ku duhej të fliste për asimilimin e klorofilit. Duke qenë i papërgatitur “tapë topi”, siç thotë Kadare, Genci priste që Vehapi t’i kërkonte ta lidhte temën e asimilimit të klorofilit me të sotmen. Dhe meqenëse profesor Vehapi nuk po e bënte këtë, nxënësi i tij vendosi ta lidhte vetë asimilimin e klorofilit “me të shkuarën dhe të sotmen,” duke thënë me një ndjenjë triumfi:
“Asimilimit të klorofilit nuk i është kushtuar fare rëndësi nën regjimin antipopullor të Zogut.”

Sigurisht kjo është edhe një përqeshje e Kadaresë për regjimin. Ishte viti 1984 dhe Hoxha ishte ende gjallë. Ky tregim, megjithatë, arriti të kalonte filtrat vigjilentë dhe censurën e regjimit. Dhe është botuar përpara novelës “Nata me hënë”, e cila u kritikua në heshtje dhe shkrimtari u vu përsëri në shënjestër. Por, përtej sarkazmës së Kadaresë, ky tregim dëshmon më së miri shkallën e frikshme të indoktrinimit. Dhe ne, “moshatarët” e Gencit, protagonistit të tregimit, jemi të gjithë dëshmitarë të këtij indoktrinimi ekstrem. Por jo vetëm ne. Të paktën tre gjenerata, që prej ardhjes së komunistëve dhe Enver Hoxhës në pushtet, janë dëshmitarë të një propagande agresive e shumëplanëshe për të përbaltur, nënçmuar e akuzuar historinë dhe protagonistët e mëparshëm, siç është Mbreti Zog dhe kontributi i tij për të hedhur themelet e një shteti modern  duhet ta përsëris  të Shqipërisë moderne.

Hoxha dhe komunistët ngritën legjendën e tyre, dhe ardhja e tyre në pushtet shënonte vitin zero për shtetin, kombin dhe atdheun. Gjithkush tjetër para tij u shpall si injorant, antidemokrat, shtypës i popullit dhe sigurisht tradhtar i atdheut. Të gjithë e mbajmë mend narrativën shtypëse, thuajse të përditshme, të regjimit, sipas së cilës “aritjet e shkëlqyera të Shqipërisë Socialiste” krahasoheshin me vitin 1938 pra “me regjimin e prapambetur të Zogut”. Pikërisht këtu duhet kërkuar fakti se, për fat të keq, narrativi, gënjeshtrat dhe shpifjet e Enver Hoxhës për Mbretin Zog ende janë të gjalla dhe trullosin mendjet edhe të gjeneratave të reja.

Historiani Bernd Fischer, autori i këtij libri, shkruan (në shtator 2025) se ndjehet shumë i habitur nga fakti “që kaq shumë njerëz në Shqipëri, madje edhe nga brezi i ri, kanë një mendim negativ për Mbretin Zog, ose të paktën dinë shumë pak për të.” Një historian si Fischer, që gjithë jetën akademike ia ka kushtuar Shqipërisë me disa botime të shkëlqyera për historinë tonë të njëqind viteve të fundit, ka edhe një përgjigje për këtë. Gënjeshtrat dhe mitet e shpifura të Enver Hoxhës dhe regjimit të tij për Mbretin Zog përbënin një indoktrinim të thellë, dhe narrativa negative u propagandua në shkolla, në çdo lloj mediumi, jo vetëm në histori, por edhe në letërsi, arte e filma.

Por sigurisht që ka edhe faktorë të tjerë pse kjo kulturë totalitare dhe kjo narrativë e komunizmit për Zogun dhe vitet e qeverisjes së tij është ende gjallë. Së pari, nuk është e pavërtetë të thuhet se ka një mungesë vullneti për t’u ballafaquar me të kaluarën  nëse nuk është më keq se kaq. Nëse, për shembull, propozimi me 2025  në parlament për të nderuar Enver Hoxhën nuk ishte një aksident. Mungojnë librat, filmat, dokumentet shkencore për të kaluarën dhe për të gjitha periudhat historike. Për shembull, për periudhën e historisë nën Mbretin Zog, përveç Bernd Fischerit, mungojnë libra seriozë dhe botime të tjera shkencore. Dhe, përveç mungesës së botimeve serioze akademike, shumë për të ardhur keq, ka edhe raste të përhapjes “shkencore” të gënjeshtrave dhe narrativës së Enver Hoxhës për Zogun si në komunitetin akademik ashtu edhe në gjeneratën e re të akademikëve shqiptarë, brenda apo jashtë Shqipërisë.

Gënjeshtrat, shpifjet dhe demonizimi i Mbretit si p.sh.: “Mbreti vodhi floririn”, “u arratis nga Shqipëria”, “nuk hodhi asnjë pushkë kundër pushtuesve fashistë” dhe “vodhi arkën e shtetit dhe u arratis”  janë, disa mite që vazhdojnë edhe sot. Një autore shqiptare, libri i së cilës u botua në Perëndim, është një dëshmi e mbajtjes gjallë të narrativave të komunizmit për Mbretin Zog. Ndërsa në pjesën e parë të librit, mësuesja e autores përfaqëson narrativën zyrtare të komunizmit për Zogun  “që vodhi thesarin e shtetit dhe u arratis” në pjesën e fundit të këtij libri, diçka midis një eseje dhe një ditari, vetë autorja mbron të njëjtin narrativ për Mbretërinë dhe Mbretin, kur shkruan se:“Fushata elektorale e Princit Leka, më 1997, duket shumë e pasur, dhe me siguri janë paratë që Mbreti Zog u vodhi shqiptarëve ditën e arratisjes nga vendi në prill 1939.”

Nëse gjatë komunizmit nuk ishte e mundur të konsultoheshin të gjitha dokumentet dhe, mbi të gjitha, historianët dhe shkencëtarët politikë të kohës duhej të ndiqnin versionin zyrtar të historisë, tani nuk ekziston asnjë arsye për të përsëritur “gënjeshtrat e Enver Hoxhës” për Zogun. Për shembull, akademikët e sotëm mund të kishin konsultuar edhe një dokument tjetër: dëshminë e ambasadorit të SHBA në Tiranë, të sjellë në një libër të Ilir Ikonomit, botuar nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare. Ish-ambasadori shkruan se u thirr në audiencë të veçantë nga Mbreti Zog dy ditë para pushtimit italian dhe, me lot në sy, i kërkoi t’i thoshte Presidentit të SHBA të shpëtonte Shqipërinë  dhe se këtë “mund ta bënte vetëm SHBA-ja”. Edhe “gënjeshtra/miti i arratisjes pa hedhur një pushkë kundër pushtuesve” mund dhe duhet të jetë në vëmendjen e studiuesve dhe akademikëve të rinj shqiptarë.

Në praktikë, shumica e mbretërve dhe familjeve mbretërore të vendeve europiane zgjodhën të largoheshin nga vendi  jo për frikë apo “arratisje”, por për të vazhduar rezistencën shtetërore dhe përfaqësimin ligjor të kombit në ekzil. Kjo ishte mënyra e pranuar ndërkombëtarisht për të ruajtur vazhdimësinë juridike të shtetit kombëtar.Në prill 1939, kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, Mbreti Zog I refuzoi të firmoste dorëzimin dhe u detyrua të largohej me familjen dhe një pjesë të qeverisë. Ashtu si monarkët e tjerë, ai nuk abdikoi kurrë zyrtarisht dhe e konsideronte veten kryetar të shtetit shqiptar në ekzil. Ai kërkoi mbështetje në Greqi, Turqi, Francë, Angli e Egjipt për të organizuar një rezistencë shqiptare, por situata ndërkombëtare nuk ia mundësoi. Pas pushtimeve gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore, pothuajse të gjitha monarkitë europiane u përballën me të njëjtin dilemë: çfarë duhet të bëjë një monark kur vendi pushtohet dhe shteti i tij bie? Në thelb, Zogu ndoqi të njëjtën rrugë si mbretërit e Norvegjisë, Belgjikës, Hollandës, Greqisë apo Jugosllavisë  duke ruajtur legjitimitetin e shtetit shqiptar përballë pushtuesve.

Prej kohësh kam menduar se titulli “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri” i rri pak ngushtë këtij libri që përshkruan, analizon dhe dokumenton me një qasje kritike procesin e ndërtimit të shtetit modern shqiptar. Kështu e kam kuptuar qysh në leximin e parë dhe kështu e kam biseduar me autorin sa herë që binte fjala për këtë periudhë historike dhe për rolin e Mbretit Zog. Me këtë ide i propozova Bernd Fischerit ribotimin në shqip të librit të botuar më 1984, edhe si një nevojë për të njohur hapat e parë  në fakt themelet  e shtetit modern shqiptar. Është i njëjti libër, por me një parathënie të re nga autori, ku, midis të tjerash, theksohet pikërisht roli i Mbretit në hedhjen e themeleve të shtetit. Ndoshta kjo mund të shërbejë edhe si një apel për të gjithë në Shqipëri për të reflektuar mbi historinë dhe për t’u dhënë vendin e merituar të gjithëve që kanë kontribuar  dhe si kanë kontribuar  për bërjen e Shqipërisë.

Edhe titulli është i ri. Titulli “Mbreti Zog dhe themelet e Shqipërisë moderne” është, në fakt, fryt i një konsultimi “trepalësh”: i Bernd Fischerit si autor; i Ilir Ikonomit, një historiani që me integritet të admirueshëm akademik ka sjellë monografitë e rivalëve dhe kundërshtarëve të Mbretit si Konica dhe Noli; dhe i imi, që ende nuk më është zbehur pasioni për kërkimet mbi ndërtimin e shtetit , në Librarinë “Tirana Times”, javën e tretë të tetorit të këtij viti (2025).

Dëshiroj të theksoj se këto shënime që shoqërojnë botimin e ri të këtij libri nuk janë për të idealizuar apo glorifikuar rolin e Mbretit Zog në historinë e Shqipërisë, por për të ftuar lexuesin, studiuesin dhe studentin e historisë apo të marrëdhënieve ndërkombëtare që ta lexojnë librin e Bernd Fischer për “Mbretin” në këtë prizëm. Pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912, Shqipëria ishte  në kuptimin më bazik të fjalës  “një shtet pa shtet”: pa administratë, pa ushtri, pa financa, pa kontroll real të territorit dhe pa njohje ndërkombëtare  kushte sine qua non për ekzistencën dhe funksionimin e një shteti.

Në këtë kontekst, Zogu, që nga viti 1920 e më pas si kryeministër, president dhe më vonë si Mbret i Shqiptarëve (1928–1939), ndërtoi shtetin shqiptar nga hiçi, duke e transformuar atë nga një bashkësi fisnore në një shtet modern pamvarësisht  shkallës së funksioinalitetit.Ai ngriti administratën, ushtrinë, sistemin gjyqësor dhe financiar, krijoi monedhën kombëtare dhe hartoi Kushtetutën e vitit 1928, e cila e afroi Shqipërinë me modelet evropiane të monarkive kushtetuese. Për herë të parë pas shumë shekujsh, shteti shqiptar fitoi rend, stabilitet dhe subjektivitet ndërkombëtar, duke u njohur nga fuqitë e mëdha si një entitet sovran dhe i pavarur.

Reformat e Zogut në arsim, drejtësi, ekonomi dhe kulturë hodhën themelet e modernitetit shqiptar: u hapën shkolla në të gjithë vendin, u krijua Banka Kombëtare, u kodifikuan ligjet dhe u konsolidua administrata civile. Përpjekjet e tij për të afirmuar sovranitetin, për të ruajtur ekuilibrin diplomatik midis fuqive të kohës dhe për ta afruar Shqipërinë me Evropën, e vendosin figurën e tij në radhën e liderëve modernizues të shekullit XX. Zogu nuk ishte vetëm një monark, por arkitekti i parë i shtetit shqiptar të qëndrueshëm, që synonte t’i jepte kombit institucione të përhershme dhe një identitet politik evropian. Pikërisht për këtë arsye, ai mbetet ashtu sic Bernd Fischer sugjeron“The Founding Father of the Modern Albanian State”  

3sgIgLJ.png