Lajme

Çdo i pesti qytetar jeton nën pragun e varfërisë

Sipas të dhënave më të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, shkalla e varfërisë në Maqedoni në vitin 2024 ka qenë 21.9%, pra çdo i pesti qytetar është i varfër. Të dhënat bazohen në Anketën për të Ardhurat dhe Kushtet e Jetesës, e realizuar sipas rekomandimeve të Bashkimit Evropian.

Pragu i varfërisë është përcaktuar si 60% e të ardhurës ekuivalente mediane, ndërsa analiza tregon se shkallën më të lartë të varfërisë e kanë grupe të caktuara të amvisërive dhe individëve. Kështu, amvisëritë e përbëra nga dy të rritur me dy fëmijë kanë shkallë varfërie prej 17.1%, ndërsa te personat e punësuar ajo është 7.9%, kurse te pensionistët 12.0%.

“Sipas statusit më të shpeshtë të aktivitetit ekonomik, shkalla e të punësuarve të varfër është 7.9%, ndërsa shkalla e pensionistëve të varfër është 12.0%. Koeficienti Gini (masë e pabarazisë në shpërndarjen e të ardhurave) është 29.1%”, thuhet në raport. Këto të dhëna tregojnë se, pavarësisht rritjes së ekonomisë në vitet e fundit, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve ende jetojnë nën pragun e varfërisë.

3sgIgLJ.png