Procedimi i një fanatiku zbulon një fushatë të dirigjuar nga jashtë, që synon të prodhojë urrejtje atje ku shoqëria shqiptare nuk e ka
Para disa ditësh, policia ka proceduar një personazh i cili prej kohësh, në mënyrë publike në rrjetet sociale, kërcënonte hebrenjtë dhe shtetasit izraelitë në Shqipëri.
Drejtoria e Antiterrorit ka proceduar njërin nga këta persona, një fanatik islamik me inicialet B. G. nga Vlora, i cili sulmonte dhe kërcënonte publikisht kryeklerikun hebraik të Shqipërisë, rabinin Joel Kaplan.
Procedimi i këtij personazhi, i cili është një lloj influenceri në rrjetet sociale për komunitetin që pretendon të përfaqësojë, ka ngjallur reagime të forta nga mediat erdoganiste në Shqipëri. Këto media, prej kohësh, kanë ngritur stekën e diskursit antisemit në vend, duke mos lënë asgjë pa thënë kundër hebrenjve dhe Izraelit.
Një nga këto media e konsideron procedimin e influencerit që kërcënonte një klerik hebre si një “akt paturpësie të shtetit shqiptar si puthador i Izraelit”.
Tituj që të kujtojnë faqen e katërt të Zërit të Popullit të kohës së Enver Hoxhës.
Rasti i B. G.-së nuk është i vetmi. Prej kohësh, autoritetet dhe diplomatët izraelitë në Shqipëri kanë ngritur alarmin për një rritje të antisemitizmit. Edhe për një vëzhgues të jashtëm, është e qartë se ky fenomen nuk buron nga shoqëria shqiptare, por është i orientuar dhe i dirigjuar nga lart.
Izraelitët e kanë kuptuar me kohë se kjo nuk është gjë tjetër veçse një lojë e dirigjuar, e mbështetur dhe e financuar nga Turqia. Fillimisht nuk kanë reaguar, pasi është vënë re se gjithë ky mllef dhe urrejtje nuk kanë sjellë asnjë efekt real në komunitetin shqiptar. Ashtu si më parë, respekti dhe marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe hebrenjve kanë vijuar të jenë të mira.
Në vitin që po lëmë pas, turistët nga Izraeli zënë një pjesë të konsiderueshme të vizitorëve në Shqipëri. Ata jo vetëm që nuk kanë hasur në asnjë problem, por kanë përhapur impresione pozitive për shqiptarët në rrjetet e tyre sociale.
Pikërisht ky impakt pozitiv ka irrituar Ankaranë, e cila ka urdhëruar rritjen e dozës së sulmeve mediatike ndaj Izraelit, për të krijuar artificialisht idenë e një ndjenje popullore kundër hebrenjve në Shqipëri.
Megjithatë, këto zhvillime nuk i kanë shqetësuar seriozisht autoritetet izraelite, të cilat i kanë parë si shfaqje tragjikomike të shtyra me zor. Por kur rritet doza e kërcënimit dhe kur objektivi bëhet një klerik fetar, atëherë situata merr një dimension tjetër dhe bëhet serioze.
Skandali ka arritur një pikë të pakëndshme, pasi televizione të caktuara u japin hapësirë personazheve tragjikomikë që sulmojnë hebrenjtë dhe përhapin propagandë antisemitiste. Një nga këta është edhe një komplotist i njohur, i cili u bë i famshëm duke botuar i pari librin e Hitlerit Mein Kampf në Shqipëri./Pamfleti
